Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Antishqiptarizmi, virusi që rrezikon Kosovën

Qeveria e Kosovës vendosi mbrëmë që të kufizojë lëvizjet e qytetarëve për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Por ky vendim u cilësua antikushtetues nga Presidenca e Kosovës, që u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të mos ta respektojnë. Për partinë ‘Zgjidhja’ përplasjet e rënda ndërinstitucionale të kohëve të fundit janë me pasoja të mëdha për interesat shqiptare në Kosovë e më gjerë dhe nuk kanë lidhje me forcimin e luftës kundër pandemisë që kërcënon botën, apo kushtetuetshmërinë e vendimit të firmosur nga Kurti, por me interesat që shërbejnë një grusht politikanësh në të dy anët tona të kufirit.

Antishqiptarizmi i politikanëve të korruptuar dhe kompromentuar në Shqipëri e Kosovë është virusi më i rrezikshëm për interesat e kombit shqiptar. Kujt i shërben mocioni për rrëzimin e qeverisë 50 ditore dhe largimin nga pushtetit të Vetëvendosjes, forcës së parë politike në Kosovë, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019? “Zgjidhja” e mbështeti vendimin e qeverisë së ish-kryeministrit Haradinaj në nëntor 2018 për vendosjen e taksës 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake si përgjigje ndaj sabotimit të njohjes së Kosovës si shtet të pavarur.

 ‘Zgjidhja’ ishte dhe është kundër pazareve me tokat shqiptare në këmbim të njohjes nga Serbia. Po ashtu ajo mbështeti strategjinë e qeverisë së Kurtit për heqjen e taksës 100 për qind dhe vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Shqiptarët nuk duan asnjë pazar për të këmbyer trojet e tyre të copëtuara gati një shekull më parë. “Zgjidhja” bashkohet me apelin e pesë ambasadave të vendeve të fuqishme aleate në Kosovë (Quint) për liderët politikë që të fokusohen në luftën kundër koronavirusit.

Kosovës i duhet stabilitet politik dhe respekt reciprok ndërinstitucional më shumë se kurrë. Politikanët që përpiqen të shfrytëzojnë këtë situatë kritike për të krijuar një krizë politike në Kosovë e bëjnë këtë më së shumti për interesat e tyre vetiake apo për llogari të interesave të huaja dhe tjetërsimin e trojeve shqiptare gjoja për të fituar njohje të Kosovës. Cilado qoftë nga këto, ajo mbetet një zgjedhje e turpshme./shekulli/

Please follow and like us: