PANDERSHMËRIA E PUSHTETIT DHE PUSHTETI I PANDERSHMËRISË
Mimoza Erebara
Pandershmëria e pushtetit tani për tani është kthyer në sistem, të plotë, të pagabueshëm. Baza e vetme e krijimit të marrëdhënieve mes shumë njerëzve, promotorri i tyre dhe meqë ata përbëjnë shumicën, i gjithë shoqërisë. Më e pakorrigjueshmja.
Sepse në këtë stad marrëdhëniesh njerëzore as që bëhet fjalë për të korrigjuar ndërgjegjen. Pikërisht për këtë themi:
Pushteti i pandershmërisë- i cili në vetvete është i llahtarshëm, gllabëron ç’i del përpara. Të dobtit i vret, të fortit i shkatërron. I shkatërron si njerëz. Ata pushojnë së ekzistuari, bëhen një burmë fare e parëndësishme në makinën e madhe të shtetit – dhe për vetë këtë një shifër, ca fjalë në ca letra- të gjitha këto të mbyllura në ca dosje kartoni.
Ku do të shkosh, o njeri? D o të bluash vetveten, si edhe e ke bluar? A po do të ngrihesh në një betejë DonKishoteske?
Atëhere ti zgjedh mjetin më të mirë për të shpëtuar: bën sikur mbyll njerin sy e njërin vesh dhe hesht… Po, po, hesht. Hesht i heshtur. Dhe në heshtje pret. Pret që diçka të ndryshojë. Le ta ndryshojnë të tjerët. Ai le të përfitojë nga kjo luftë. Dhe është i sigurt se do të fitojë. Ai është një qenie që bën sikur jeton, sikur dashuron, sikur vdes… Ai është një qenie e dobët, e thyeshme që me goditjen e parë. Ai e di si është, prandaj koracohet me heshtje, e pret ndryshimet që duan të tjerët.
Ai s’ka më shpirt- është i vdekur, i nxirë , i ngrirë, është si një qen i rrahur dhe prapë besnik.
O Zot, ç’e bëre Njeriun- qenien më të përkryer tënden e pikërisht për këtë edhe më të vuajturën?
Jeta është e çuditshme. Ka njëmijë mënyra për të të provuar burrërinë dhe pastaj ajo qesh e tallet me ty, që s’je veçse një grimëz e saj. Jeta sulet përpara si një tren drejt një stacioni imagjinar që kurrë s’ekzistoi, sepse gjith- një lëviz për diku tjetër, gjithnjë përpara, gjithnjë e më përpara.
Dhe njerëzit hypin në këtë tren me shpresa, dëshira, qëllime. Vagonët e saj mbeten rrugës bashkë me ata të cilët i lodh udhëtimi.
Edhe ty njeri, të lodhi, të mundi, udhëtimi?
Ti mbete që në stacionin e parë. Pushteti ishte më i fortë se ty dhe pandershmëria kishte bërë vend në zemrën tënde. Prandaj ti mbete, e dot s’ece.
Prandaj ti numëron ditët e tua me buzëqeshjet e pushtetëmbajtësve.
Prandaj ti ke vdekur, prej kohësh, prej kohësh…