Frank Shkreli: Disa politikanë shqiptarë s’vlejnë as për ruajtjen e kotecit të pulave
Parlamenti i Kosovës zhvillon dje një seancë për të shqyrtuar mocionin për rrezimin e qeverisë Kurti, pa i mbushur ende as pesë javë jetë.
Shpresa ime, pas zgjedhjeve Tetorin e kaluar në Kosovë, ishte se më në fund kemi të bëjmë me një model të ri qeverisjeje ndër shqiptarët, si rezultat i koalicionit midis Vetvendosjes dhe LDK-së. Fatkeqsisht, politikat dhe interesat e vjetra, të brendshme dhe të jashtme, paskan pasur plane të tjera. Ku tjetër në botë ndodhë që në kulmin e një krizë shëndetësore si kjo e virusit korona, të rrëzohet qeveria, duke i shkaktuar vendit edhe një traume tjetër, përvec asaj shëndetësore?
Klasës politike shqiptare në Kosovë, por edhe në Shqipëri, i ka dalë boja. Për dekada tashti po e provojnë se një shumicë e tyre nuk është e denjë as të kujdeset për një kotec pulash, e jo më tu besohet përgjegjësia e qeverisjes së një vendi.
Me maska ose pa maska, madje edhe me thes mbi kokë, shqiptarët dhe bota u njeh tashti si të pa aftë për të bashkpunuar me njeri tjetri, madje edhe përball një krize kombëtare dhe ndërkombëtare, sic është përhapja e virusit korona. Mblidhni mendët, tregoni pak atdhedashuri dhe vullnet të mirë politik për tu marrë me sfidat serioze me të cilat përballet Kombi shqiptar dhe lini mënjanë grindjet politike, për një kohë më të përshtatshme.
Asnjeri prej jush, sado të zotin ta konsideroni veten, nuk i zgjidh dot problemet politike dhe ekonime, vetëm, as si individ as si parti. Por me marrvëshje politike, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, mund të bëni mrekullira.
Dështimet dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme të kësaj klase politike, si rezultat i grindjeve të tyre politike, nuk nderojnë sakrificat sublime të qindra mijëra shqiptarëve që gjatë shekujve ka dhënë jetën për liri dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, anë mbanë trojeve të tyre në Ballkan.
Reflektoni! Delni mbi interesat personale politike, ekonomike dhe partiake. Mbroni interesat e përbashkëta kombëtare! Kjo është përgjegjësia kryesore që votuesit u kanë besuar ju. Rrezimi i qeverisë së koalicionit nuk është në interesin e Kosovës, në këtë moment, ndërkohë që vendi dhe bota gjendem përballë një sfide shëndetësore që po tund themelet, jo vetëm të shëndetit në botë, por edhe bazat ekonomike, duke rrezikuar edhe mirëqenien materiale të njerëzve anë mbanë botës. Reflektoni, seriozisht!
Ende nuk është vonë!