Albspirit

Media/News/Publishing

Policia dhe ushtria, barikada e sigurisë ndaj koronavirusit

Whatsapp Image 2020 03 27 At 13.23.16

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI 

Shqipëria është përfshirë në vorbullën e epidemisë më të madhe të shekullit, koronavirusit. Shkaqet dhe shkaktarët erdhën nga përtejdetit dhe përtejtokës. “Tellallët” mediatikë dhe jo vetëm, përsërisin paralajmërimet ndaj shqiptarëve, ndaj atyre që kanë veshë për t’i dëgjuar, por edhe ndaj rebelëve, edhe pse rrezikun e sëmundjes, e parandjejnë të gjithë. Qytetet dhe shtetet më të mëdha të botës janë nën pushtetin e një heshtjeje të frikshme. Njerëzimi në mbarë planetin “ka ndalur frymën”. Ndërsa Shqipëria ka hyrë në javën e tretë të kësaj përballjeje të panjohur. Në sfidën e shekullit në frontin e luftës janë bluzat e bardha, policia, ushtria, gazetaria informuese dhe çdo segment shtetëror e privat i prodhimit dhe shërbimeve për komunitetin, që i shërben misionit për jetën.
Bota ka hyrë një “territor gri”, të tunelizuar dhe skenerë të “mistershëm” të paparashikueshëm. Institucionet e sigurisë, agjenci sigurie në mbarë botën janë përballë sfidave që kurrë nuk kanë qenë, përballë Covid-19. Dalja e Policisë dhe Forcave të Armatosura në rrugë në vendin tonë dhe jo vetëm është shenjë sigurie, që mos gjendemi në reanimacione masive, tenda jashtë spitaleve dhe më keq akoma vdekjet masive siç ndodh aktualisht në Itali, Spanjë, Kinë, Iran, Francë..!.
Mediat, portalet janë mbushur me politikanë pozitarë e opozitarë të të gjithë kalibrave, mjekë, gazetarë, analistë, ekonomistë, shkrimtarë, inxhinierë që thonë të njëjtat gjëra. Ka edhe ndonjë “liberal”, që kërkon rrugë liberale për të zbutur krizën, ndonjë futet edhe në “shkurrishten” e kostove, jetës pasvirusale, aktivitetin social-ekonomik, gjobëvëniet për shkelësit e vendimeve për shkelësit, rrebelët, që kapen jashtë orareve të lejuara, në kohën e shtetrrethimit e deri tek superminoranca që sa dëgjojnë sirenën policore këta “trima” ja japin vrapin “nga sytë këmbët”, (maksimë popullore që shpjegohet vetëm në gjuhën shqipe). Sirenat, njoftimet, patrullimet e policisë dhe Forcave të Armatosura në rrugët e Tiranës dhe Durrësit nuk janë kërcënim, por siguri, siguri të jetëve njerëzore. Më shumë disiplinë e durim sot, më pak dëshpërim e mjerim, shumë më pak viktima nesër!
Është e natyrshme që jo të gjithë kanë nevojë për këshillën e policisë, pse jo edhe për shtrëngimin e policisë, për masat e saj energjike, të mirëgjykuara përballë “Epimenides Paradox”, kësaj sfide madhore të njerëzimit, që është “ulur këmbëkryq” në planetin tonë. Shumica janë të ndërgjegjësuar.
Kufizimit të lëvizjeve në krejt vendet perëndimore, “kufizojnë të drejtat e njeriut”, “rrudhin demokracinë”, “rikthejnë format tiranike”etj, formatime të mendjes njerëzore, që ka prodhuar inteligjenca e homo sapiensit që prej mbi 800 vjetësh të “Magna Carta”(1215), kur krijoi hapësirat e lirisë. Por njerëzimi ndodhet përpara një “skenari” vrastar që është i pamëshirshëm. Menaxhimi i emergjencës shëndetësore për shumicën dërrmuese të shqiptarëve ka një emër që shumëkush e dëshiron e që quhet “siguri publike”, ndërsa për një minimum pakice, që i quan të tepërta masat, ndërkohë vijojnë të sillen si të dehur me veten dhe me jetët e të tjerëve sipas parimit: “ku rafsha mos u vrafsha!”. Një absurditet i papranueshëm. Por kjo nuk është një përgjegjësi personale por për masën e gjerë të njerëzve të mbarë komunitetit. Pretendimet për ushqimet, paratë, ilaçet, borxhet, apo më keq akoma, teoricienëve se “është një copëz grip”, “teorive maltusiane”, “ideve patriotike”, “teorive të rakisë”, “ideve të pleqërisë”, “të stacionit të parajsës”, “për ditët e perëndisë”, “trimat e komunitetit të bixhozit” etj.
Kritikët dhe kritizerët e çdo gjëje mund e duhet të “mbajnë gjuhën” dhe të mos grinden me veten, dhe akoma më keq “për mustaqe të Çelos”, përballë një rregulli të thjeshtë: “qëndro në shtëpi”. Kërkohet të shtohet kontributi për situatën alarmante të krejt planetit dhe mbështetje pa kushte për Policinë që duam dhe e kërkojmë sot e në çdo vështirësi apo emergjencë ekstreme natyrore dhe sidomos epidemike, për Policinë që është prezente dhe e gatshme edhe në ditë “kiameti”.
Policia dhe Forcat e Armatosura janë mbështetje për jetën qytetare, mbështetje pa kushte si dhe në kohë sakrifice, ndërkohë që familjarë të policëve dhe ushtarakëve janë po aq të rrezikuara sa dhe vet komuniteti. Sot polici dhe ushtaraku duhet të shikohet si vetja, si pasqyra e një shtetari misionar, që kryen detyrën në kushtet e pandemisë, përballë një “armiku” vrastar virusal që nuk e di nga të vjen, pa anë e pa fund dhe që nuk ka front ndeshjeje por është i kudogjendur dhe kudoshtrirë në përmasat e gjithë planetit tonë. Banorët e kësaj bote nuk e kanë parë e ndjerë kurrë këtë situatë, ku njerëzimi në gjithë shtetet e botës është mbyllur në shtëpi.

 “Mysafiri i planetit”, koronavirusi ndryshoi mënyrën e jetesës dhe akoma më tej do të bëjë ndryshime në mbarë sistemin ndërkombëtar ku jeta “ndali” dhe po bën “në vendnumuro”, me lëvizshmëri të kufizuar, ku përparësi ka marrë teknologjia “online”. Shtetet të trembur nga përbindëshi historik çdo ditë, orë e çast. Listimi i shteteve që mbyllin kufijtë dhe vendosin gjendjen e jashtëzakonshme, ka arritur kulmin sikundër kurrë planeti nuk e ka përjetuar. Kufizim ka pasur edhe në qarkullimin e mallrave, edhe pse tregëtarët e grosistët janë treguar “bamirës”. Dhëmëzimi i ingranazheve të jetës ka bërë që bota të eci me xhiro të ngadalësuara. Virusi “smart” kërkon të mendohemi, të gjykojmë e më tëj të veprojmë, të kujdesemi për veten, njerëzit e shtëpisë, të afërmit, të moshuarit, fqinjët, të ruajmë jetën dhe të risjellim sërish rritmin e jetës së sigurtë. Është plotësisht e mundshme, pa sakrifica të mëdha. Përpara se të presim ekspertë të fushës, staf mjekësor, tonelata ndihmash medikamente, solidaritetin euroatlantik të shfrytëzojmë resurset e zbatimit të rregullave të karantinimit dhe izolimit, pa mund, pa sforco, pa harxhime kolosale. Këtë detyrë nuk mund t’ja ngarkojmë vetëm Policisë së Shtetit e Forcave të Armatosura, por ta konsiderojmë ashtu sic është në të vërtetë, si një detyrim mbarëkombëtar.

Covid-19 nuk po kursen askënd, as organet e sigurisë, as policinë dhe as ushtrinë dhe kjo është vërtetuar në dhjetra raste në vendet e NATO-s, ku shefi i ushtrisë italiane e polake të dy pozitivë ndaj koronavirusit, komandanti i forcave të ushtrisë amerikane në Evropë i vetëkarantinuar pasi ekspozimit me virusin gjatë një konference. Me të drejtë NATO-ja ka vendosur që të evitohet qëndrimi i Sekretarit Jens Stoltenberg dhe zëvendësit në të njëjtën godinë në të njëjtën kohë. Ndërkohë që organizata më jetëgjatë e sigurisë në botë, NATO, më 19 mars 2020, vendosi të zhvillonte mbledhjen e përhershme të Sekretarit të Përgjithshëm me ambasadorët e vendeve NATO, duke zbatuar rigorozisht të gjitha masat e sigurisë të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit. Në selinë qendrore në Bruksel personeli prezent në zyra është reduktuar e Sekretari Jens Stoltenberg vendosi të zhvillonte konferencën e parë Skype me gazetarët për të eleminuar rrezikun e përhapjes virusale.
Bota ekonomike do të gjendet në vështirësi sepse virusi po dëmton prodhimin industrial dhe bizneset në të gjithë botën, nafta dhe tregu i saj është prekur nga këto zhvillime dhe ka sjellë tronditjen e parë me rënien e çmimit të naftës së papërpunuar pasi furnizimet rriten dhe bien kërkesat. Po kështu në të gjithë sektorët e tjerë të prodhimit. Bota ekonomike është stopuar përkohësisht. “Vrapi” i bizneseve tashmë nën një “hap të përbashkët”, edhe për “të marrë frymë”, ka “parkuar” përkohesisht sa të kalojë “stuhia – Covid-19”, dhe që sërish të ndezë motorrët e zhvillimit dhe prodhimit. Flaka olimpike e fikur, përkohësisht le të shpresojmë se do të rindizet së shpejti dhe jeta do të rifillojë sikurse në gjithë vendet dhe në Shqipëri.
Në vendin tonë punohet reduktueshëm, si dhe ata sektorë që policia i ka akredituar për të tillë. Megjithatë çdo prodhim ekonomik ka nevojën e sigurisë dhe siguria ka organet, agjencitë dhe instrumentat prodhuese të sigurisë, që vështrimi mbi të duhet të jetë konsistent dhe i vijueshëm. Përpara se të flitet për milionat e miliardat e eurove, dollarëve, për vendet e punës, mikrobizneset e makrobizneset të flasim për sigurinë e jetëve njerëzore, për masat ndaj pandemisë deri në ekstrem.
Sistemet “Paket financiare”, “tamponë testimi”, “respiratorë”, “aktiviteti ekonomik”, kërkojnë zgjidhje qeveritare me akte normativë, ndaj dhe zërat propagandistikë me/pa krahë politikë mund dhe të rreshtin, durojnë dhe vetdisiplinohen përballë rreziqeve madhore, që i kanoset njerëzimit. Bashkëpunimi dhe njerëzillëku duhet të dalin në plan të parë.
Skemat, skenarët, taktikat, strategjitë, zgjidhjet nuk presin. Kërkohet garancia e jetës së qytetarit në çdo qelizë të jetës shqiptare. Janë ditë të një sprove të madhe që në plan të parë është jeta e ndodhur përballë një sulmi të padukshëm, të papritur si “mysafir i paftuar”, që ka goditur më i mençur, më agresiv, më i paparashikueshëm dhe ka krijuar atë që njerëzimi të gjendet si kurrë më parë përballë emergjencës shëndetësore, përballë alternativës “të rrosh a të vdesësh”. Për çfarë? Për mungesë disipline e kujdesi ndaj vetes dhe të tjerëve!.
Shqiptarëve dhe gjithë kombësive të tjera u kërkohet të izolohen brenda shtëpive, për të kapërcyer situatën. Frika nga vdekja është bërë “simfoni” për të gjithë popujt që e duan jetën, sepse liria nuk mund të jetohet pa vetë jetën. Dhe çmimi i jetës është i papagueshëm. Siguria ekuacionale me shumë të panjohura ka “ardhur” të testojë forcën reale të njerëzimit. Në ballë të saj për misionin “në roje të jetës” në vendin tonë është policia dhe ushtria, pas mjekëve, bluzave të bardha që me të drejtë etiketohen “heronj të ditës”. Por, po kaq heronj të ditës janë sot ata burra e gra që kryejnë misionin në roje të jetës dhe sigurisë njerëzore, bluzat e bardha, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, gazetarët informues, farmacitë, sistemet e shërbimit dhe mbështetëse për furnizime me ushqime të popullatës.
E para si në çdo emergjencë ekstreme të natyrës, por edhe të epidemive sërish policia, policia e sakrificës, misionare e përhershme e shtetit dhe garanti i sigurisë publike. Është policia e shtetit që ndodhet pranë e ngroh zemrat në situatat dramatike të komunitetit njerëzor.
Pambarësisht komenteve dhe mendimeve ndonjëherë edhe krejt shterpë, një gjë është e vërtetë se policët dhe ushtarakët kanë zbritur në një prej terreneve më të vështira të betejave. Pse? Fakt është se Shqipëria me mbi 104 të infektuar në gjithë Shqipërinë me Covid-19, në total, ka në mision shtetarët e saj mjekë, policë, ushtarakë, gazetarë, shitësave, furnitorëve.., ku familjet e policëve, ushtarakëve, personelit mjeksor, gazetarëve, farmacistëve, shitësve, për hir të së vërtetës janë të ekspozuar ndaj kësaj epidemie. Në ambientet e jashtme të Urgjencës së QSUT-ë ka filluar sot më 23 mars ngritja e çadrave, me gjasa për të përballuar një fluks të mundshëm të qytetarëve të prekur me koronavirus. I pritshëm?! Deri ku do të shkojë tragjedia njerëzore e shekullit?! Pa harruar rreth 25.000 jetë të humbura në pak kohë, rreth 550.000 të prekur në të gjithë botën duhet shtrirë arsyetimi dhe gjykimi më në thellësi. Vetëm Italia ka pasur mbi 8.000 viktima, një shifër kjo e krahasueshme me humbjet e betejave më të mëdha të historisë botërore. Familjarët e gjithë profesioneve të thirrur në shërbim antivirusal, prindërit, gjyshërit, fëmijët, të afërmit janë të kërcënuar nga të panjohurat që përmban kjo sëmundje –“grip”, kjo pandemi e rrezikshme e planetit tonë. Përgjegjshmëria e serioziteti përballë organeve të sigurisë, të policisë, të ushtrisë, të gazetarisë, etj., kësaj barikade kaq të nevojshme në këtë situatë kërcënuese është e duhet të jetë vlerësim e dedikim për jetët e gjithë komunitetit shqiptar kudo që punon e jeton.
Pandemia virusale po sjell pasoja në të gjithë sigurinë e kombeve. Siguria njerëzore është në kërcënim serioz që kapërcen tradicionalizmin kombëtar, rajonal e botëror. Strukturat kyçe të sigurisë në shtete të ndryshme, përfshi edhe miq e partnerë të Shqipërisë, janë përballur deri tani me skenarë të paparashikueshëm, me kurba shkallmuese përtej limiteve spitalore. Të parët që janë ndeshur fuqimisht janë strukturat shëndetësore, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, logjistika dhe sistemet informuese e mbështetëse, që edhe planifikimin e skenarëve e kërkonin gjithmonë të përgatitur si mundësi ndodhjeje. Kërcënimi ndaj sigurisë ka gjithmonë “ilaç”, sikundër përballë çdo lloj pandemie vrastare, edhe kur kërcënimi është drejtpërdrejtë ndaj sigurisë njerëzore. Mbi virusët vrastarë të jetës qëndron gjithmonë kompetenca, si mbi kërcënimet e drejtpërdrejta edhe mbi kërcënimet indirekte, që lidhet mbi të gjitha me masat e agjencive të shtetit për të siguruar në kohë sigurinë njerëzore|

Please follow and like us: