Heminguej dhe Kafka, dy gjigandë të letrave botërore
Artur Spanjolli
Ndër më të mëdhenjtë e shekullit të kaluar, të cilët edhe pse shumë të ndryshëm nga njeri-tjetri, kanë kontribuar për t’i dhënë një fizionomi estetikës letrare botërore, kanë qenë Ernest Heminguej dhe Franc Kafka. I pari prezantohet me vërtetësinë e tij, me kurajon, me formën e drejtpërdrejt dhe të thjeshtë të të shkruarit, me dëshminë e tij në vetën e parë. Heminguej, po aq sa i talentuar dhe i drejtpërdrejtë, ishte dhe një hero, një figurë e madhe njerëzore. Kurajo e tij për të dëshmuar si kronist bëmat e Luftës së Parë Botërore dhe atë të Spanjës, e bëjnë një legjendë të vërtetë heroizmi. Temat që trajtonte ishin lufta, sporti, raporti i njeriut me kafshët, dashuria, aventurat, të cilat dinte t’i përçonte me një forcë të madhe evokuese. “Plaku dhe deti”, kryevepra e korpusit letrar me të cilin mori çmimin Nobel, është e ngjyer tërësisht me eksperiencën e tij personale, është vetë sinteza e jetës së tij. Ai solli vetëm sintezën e fitores, simbolin e saj dhe çka i jep forcë është ideja madhore që përcjell. Duke e hulumtuar kulturën europiane nga jashtë, ai i bëri homazh vërtetësisë së saj. Shkrimi i tij ishte i thjeshtë, sintetik, faqet e librave të tij janë të mbushura me një ndjenjë absolute të forcës morale dhe fizike që përçmon jo vetëm rrezikun, por edhe vdekjen. Kështu ai u bë një ikonë e shkrimtarisë botërore në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, duke u mirëpritur dhe ndjekur nga shumë krijues të tjerë. Hemingueji arrinte të përcillte me fjalën emocionet më të forta, kjo ishte magjia e mjeshtërisë së tij si shkrimtar; dinte të rrëmbente me aventurat e treguara nga pena e tij. Hemiguej e përçmonte të padobishmen në tregimet e tij dhe kalonte orë të tëra duke hequr fjalët e tepërta, duke i dhënë lexuesit vetëm esencialen.
Një tjetër shkrimtar të cilin mund ta krahasoj me Migjenin tonë për ndjeshmëri dhe brishtësi, ishte Franc Kafka. Mendje e komplikuar, e aftë të hulumtonte, të futej nëpër labiritet e psiqikës njerëzore. Kafka, duket si një profet i vërtetë i njeriut modern, ishte i pari që përshkroi atë gjendje të pakuptueshme “faji”, që për disa aspekte karakterizon njeriun e sotëm. Simbologjia e përdorur ka parashikuar problemet e njeriut në raport me shoqërinë e sotme. Tërë shqetësimet që përcjell tek libri “Procesi”, ku shumë flitet por pak kuptohet, ku pesha psikologjike dhe ankthi ekzistencial mund të jenë një interpretim i gjendjes që përjeton njeriu në shoqërinë bashkëkohore.
Shumë më i errët se i pari, tërësisht e kundërta e karakterit heroik dhe aventurier të babait amerikan, Heminguej, forca e Franc Kafkës, qëndron tek intuita gjeniale për të parashikuar fajin dhe ndërlikimin e njeriut bashkëkohor. Ky pra duket mesazhi universal që Franc Kafka ka përcjellë tek lexuesi botëror. Njeriu i sotëm, i përhumbur në zallamahinë e ndërlikuar të jetës, duket sikur ka humbur jo vetëm heroizmin, por nuk gjen më edhe identitetin e tij. Një identitet gjithmonë i kërcënuar nga metropolet perëndimore, ku njeriu, preh e vetmisë së tij, ndjehet i pakuptuar, i parealizuar dhe i pakënaqur. Analizon ndërgjegjen komplekse të njeriut të sotëm, duke përshkruar një botë absurde, plot me labirinte, një shoqëri të madhe e konsumiste, ku njeriu ndjehet një hallkë e mekanizmit modern të jetës.
Nëse Heminguej, më heroik, më i kthjellët dhe me humor, më kurajoz dhe mospërfillës kundrejt shoqërisë kapitaliste, tregonte madhështore figurën njerëzore nëpërmjet bëmave të tij epike në raport me natyrën, kafshët, luftën… Kafka, jo vetëm që është dorëzuar pa këmbëngulje, por shkoi më tej. E mbyti, e mundoi, e lodhi individin njerëzor nëpër labirintet e një shoqërie përçmuese, e cila kërkonte ta dënonte dhe e dënoi pa asnjë faj. Nëse i pari prezantohej si një hero, i dyti duket profeti i së ardhmes së njerëzimit. Këta dy shkrimtarë janë nga më të rëndësishmit e personaliteteve të letrave, pa të cilët nuk do të kishte kuptim imagjinata letrare e shekullit të kaluar.
Hemiguej