Arlinda Çausholli: Kohë heronjsh
Në rast se përpara disa vitesh do të shikoja këtë foto, do të mendoja se kishte të bënte me astronominë dhe yjet. Pamjet janë surreale në pistën e aeroportit të vetëm të vendit, e domosdo nuk jemi në të ardhmen. Jemi në thelbin tonë, kemi bërë ca hapa prapa, në instikte mbijetese, në kufizime jete dhe marrëdhënie mes njëri-tjetrit. Për më tepër, kemi 16 ditë që nuk përqafohemi…
Mjekët dhe infermierët që u nisën sot drejt Italisë, e nesër drejt Bergamos për të mbështetur kolegët e tyre, janë një ogur i mirë, jo vetëm për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe solidaritetit që përherë kanë ushqyer dhe patur, por janë një tregues i fortë që jo domosdoshmërisht më të voglit dhe më të pafuqishmit nuk i vjen kurrë radha për t’u bërë hero.
Mos të harrojmë, sekreti i këtyre ditëve – pavarësisht ndryshimit rrënjësor të jetëve tona – është si i interpretojmë gjërat. Ky është celësi që mendjen ta mbajmë të qetë, mbështetjen ta përcjellim aty ku nuk ekziston dhe dashurinë ta themi me zë të lartë, meqë me veprime nuk lejohet….për momentin.
Vishuni me mendime heroike. Nëse nuk janë të tilla, mos i mbani. Mbase janë ditët, ku gjithësecili bëhet hero i vetes së vet dhe siguria përvec se jepet, edhe merret, pra shkëmbehet. Pak si mjekët sot, fytyra të sigurta në kostume yllësie shpëtimi dhe paqeje.