Albspirit

Media/News/Publishing

FOTO STRAKOSHA – EMBLEMA DHE MREKULLIA E NJË KOLOSI TË FUTBOLLIT SHQIPTAR

Foto Strakosha - Career Best Saves & Highlights - YouTube

Foto Strakosha

 

Pirro FOTIADHI

 

 

Portret i paautorizuar në kremtimin e jubileut të 55-Vjetorit të Ditëlindjes, së Legjendës së Portës Kuqezi, Portierit dhe Trajnerit të spikatur, Mjeshtrit Foto STRAKOSHA.

 

Në vend të prologut..

Sportet në përgjithësi dhe veçanërisht futbolli, si një prej  sporteve tejet interesantë, që me topin e rrumbullaktë ose ndryshe me magjinë e tij, impresionon dhe tërheq miliona e mijëra sportdashës, pavarësisht viteve që pasojnë heshturazi njëri tjetrin, ato posedojnë vlerat e jashtëzakonshme krejt të patjetërsueshme. Këto vlera të shumanshme, në këtë sport kaq emocional e magjik, mishërohen pikërisht prej individëve protagonistë, prej idhujve lojtarë, që me  talentin, pjesëmarrjen dhe kontributdhënien e tyre në fushat e blerta, krijuan mitet e figurave dhe personaliteteve shumëkompleksiv, duke ngritur peshë e dhuruar momente emocionale magjike krejt të veçanta e të papërsëritshme, duke u adhuruar dhe duartrokitur si askush tjetër.

Një prej figurave brilante tepër të shquara e të spikatura të fushës së blertë është portieri dhërmias, Foto StrakoshaSimboli i një sportisti të jashtëzakonshëm, një prej portierëve të talentuar dhe virtuozë, që startoi rrugëtimin dhe  karrierën sportive mbresëlënëse, në një prej qytezave provinciale, tepër larg evenimenteve sportive qendrore. Një  rrugëtim real përmes sakrificave, dallgëve dinake të jetës, vetë sfidave të kohës, duke u shndërruar në një ‘uragan’ futbollistik siç dëshmoi në rrugëtimin e tij,duke ngjitur me sukses shkallët e karrierës dhe duke u shndërruar në dekadën e viteve 90-të e në vijimësi, në  simbolin e një portieri legjendë, një kolosi real të futbollit shqiptar e përtej kufijve të tij.

Municipality of Memaliaj - All About Albania

Memaliaj

 

Hapat e rrugëtimit jetësor dhe karrierës profesionale…

 

Foto Strakosha erdhi në jetë në një ditë pranverore, pikërisht si sot, më 29 Mars 1965, si pinjoll i familjes dhërmiase të Lefter Strakoshës dhe bashkëshortes së tij, Theano Jerasimo Duni, në qytezën e Memaliajt, ku jetonte në atë periudhë kohore familja e tij. Vitet e fëmijërisë dhe shkollimit i kalon në qytetin e Memaliajt. Pikërisht në këto momente, qysh në moshën 9-vjeçare, me moshatarët e tij nëpër fushat e pluhurosuara, pa respektuar asnjë lloj orari, nisin të shfaqen fillimisht dëshirat dhe prirjet e tij, për t’u marrë me futbollin.

Kësisoj, starton të angazhohej me veprimtaritë e ndryshme sportive fillimisht në shkollë e mandej edhe në ato që organizoheshin nga Shtëpia e Pionierit në Memaliaj. Mandej fillon të hedhi hapat e para, duke u aktivizuar me ekipet e moshave zinxhir, në sportin e futbollit, pranë ekipit të qytetit të Tepelenës, «Minatori». Në këto mjedise, ai stërvitet dhe njëherazi merr njohuritë fillestare lidhur me rolin e portierit si edhe teknikat respektive për mbrojtjen e portës. Tanimë ndonëse  njomëzak, vetëm 15-vjeçar, debuton dhe luan në formacionin bazë, me ekipin e të rinjve në Memaliaj. Në këto ndeshje, dëshmon prirje dhe një talent admirues, duke u shquar dhe spikatur. E njëherazi duke impresionuar e tërhequr vëmendjen e drejtuesve teknikë të ekipit të të rriturve të «Minatorit».

Ndonëse vetëm 17 vjeç, ai tërhiqet dhe nis të stërvitet me të rriturit, ku fillon të aktivizohet në kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë, ku merrte pjesë ekipi i «Minatorit» të Tepelenës, në formacionin bazë, si portier titullar. Qysh në ndeshjet e para, ai shquhet dhe nxjerr në pah aftësitë e shkëlqyera dhe talentin e tij në mbrojtjen me sukses të rrjetës tepelenase. Stërvitet me përkushtim dhe pasion, duke  u treguar sistematik e këmbëngulës e duke ndjekur me skrupulozitet këshillat dhe sugjerimet e trajnerit  vlonjat Skënder Ibrahimi, duke e motivuar dhe e ndihmuar realisht, në perfeksionimin e mjeshtërisë së tij si portier.

Pas një paraqitjeje të suksesshme e rezultative në dy kampionate rradhazi, falë talentit të tij të padiskutueshëm si edhe përgatitjes së gjithanshme e stërvitjes intensive, portieri i talentuar Foto Strakosha, tërheq vëmendjen dhe interesimin e ekipeve prestigjioze të kategorisë superiore. Ekipe dinjitoze, rezultative dhe  emërmëdhenj në futbollin shqiptar, si Flamurtari i Vlorës, apo Luftëtari i Gjirokastrës, Apollonia e Fierit, shfaqin predispozitat dhe dëshirën e tyre, që ta përfshinin në stafin e skuadrave të tyre. Por gjithsesi, interesimet mbetën thjesht në hapat e interesimit dhe krejt të pakonkretizuara, për faktin se portieri Foto Strakosha rëndohej nga «njollat dhe hijet» famëkeqe të biografisë. 

Duke pasur parasysh faktin, se regjimi totalitar kishte nën kontroll gjithçka, natyrisht duke përfshirë edhe sportet, nuk ishte  asfare e lehtë për të, që me gjyshin dhe dajon e arratisur, të mund të shikohej e vlerësohej nga ana e autoriteteve partiake, të cilat bënin ligjin për gjithçka edhe në sport dhe veçanërisht në kampionatin e futbollit, si një prej sporteve masive tepër popullore, për atë ç’ka ai përfaqësonte dhe mishëronte, duke premtuar si një portier talent. Madje fatkeqësisht, edhe kanibalët e atëhershëm autoritete partiake dhërmiase, të turpshmit dhe neveritësit anadollakë, puthadorë, servilat dhe injorantët e obskurantizmit arbitrar të ideologjive krejt false, relatonin dhe shpreheshin negativisht lidhur me biografinë, duke qenë një barrierë dhe pengesë e pakapërcyeshme, për një talent premtues, si Foto Strakosha.

Foto Strakosha: Dinamo, një histori e dhimbshme

Por karriera sportive e një talenti të përmasave të Foto Strakoshës, pas tre edicioneve gjurmëlënëse dhe rezultative, tepër të sukseshme, në harkun e viteve 1985–1988, duke mbrojtur portën e ekipit të «Minatorit» të Tepelenës, nis të ndriçoj.T eksa me pëlqimin dhe përzgjedhjen, me autoritetin e padiskutueshëm dhe këmbënguljen e trajnerit të atëhershëm dinamovit, Bejkush Birçe, duke siguruar miratimin respektiv nga organet e larta partiake, Foto Strakosha të përfshihet si portier në ekipin e «Dinamos» së Tiranës.

Shtatlarti portier Foto Strakosha, i pikasur si talent nga ekipet e moshave nga një qytezë provinciale në Shqipëri, i lindur për t’u promovuar si futbollist, tanimë starton të konfigurojë dhe sendërtojë realizimin e ëndrrës së tij, në njërin prej ekipeve më të suksesshëm,tepër prestigjiozë dhe me autoritet,ndër tri klubet më të fuqishme shqiptare të asaj periudhe kohore, siç ishte ekipi i «Dinamos» së Tiranës. 

Në të parin sezon me fanelën e «Dinamos», përkrah kolegut, portierit Ilir  Bozhiqi, tanimë si pjesë  e një ekipi elegant dhe prestigjioz, që në fushën e blertë luante një lojë të zhdërvjelltë dhe rezultative, me imazhe futboll-bukura nga më tërheqëse, e natyrshme që të lindnin ambicie dhe synime madhore edhe për rishtarin 23 vjeçar Foto Strakosha. Jo vetëm për t’u konfiguruar si titullar i portës dinamovite, por gjithësesi për t’u përballur me sukses dhe dinjitet me këtë sfidë madhore të karrierës së tij sportive. Përmes një stërvitjeje intensive, përmes një vullneti te çeliktë, përmes një  angazhimi dhe përkushtimi ambicioz dhe admirues, për të përvetësuar çdo detaj apo teknikë që i nevojitej, portieri Foto Strakosha, në katërkëndorin dinamovit, me inteligjencën dhe elegancën që e karakterizonte, nga njëra ndeshje në tjetrën, nga muaji në muaj, nisi të spikaste duke dëshmuar e shpalosur talentin dhe aftësitë e rralla të tij,duke realizuar pritje spektakolare dhe njëherazi u shndërruar në një siguri absolute për ekipin dinamovit.

Duke luajtur si portier titullar 38 ndeshje zyrtare të Kampionatit Kombëtar, ekipi dinamovit nën drejtimin mjeshtëror të Bejkush Birçes, me ndihmësa Vasillaq Zërin dhe Ilir Luarasin, shpallet si fitues i Kupës së Republikës në sezonet 1988-89 dhe 1989-90, si dhe i Superkupës së vitit 1989, ndërkohë që shpallet Kampion Kombëtar në sezonin 1989-90, duke u paraqitur me formacionin e mëposhtëm: Foto Strakosha, Naun Kove, Ermal Tahiri, Genc Ibro, Pjerin Noga, Ilir Silo, Ilir Bozhiqi, Rudi Vata, Eduart Abazi, Ardian Jance, Arben Milori, Sulejman Demollari, Arian Stafa, Agim Canaj, Josif Gjergji, Agron Xhafa, Viktor Briza, Alfred Ferko, Ardian Jance, Ilir Sula, Ilir Daja,duke patur natyrisht meritat e tij të padiskutueshme edhe portieri i talentuar, Foto Strakosha.

Në dy edicione kampionate kombëtare, me ngjyrat e ekipit të Futboll Klubit Dinamo të Tiranës, si pjesëz e një ekipi që luante dhe demostronte futbollin më të bukur e tërheqës, në rrugën e saj  të suksesit drejt titullit kampion e kompeticioneve të tjera triumfuese, Foto Strakosha dëshmoi reflekse dhe mprehtësi, një performancë të jashtëzakonshme, aftësi impresionuese, ndërhyrje vendimtare,duke fituar kësisoj simpatinë jo vetëm të futbollistëve por edhe të sportdashësve të zjarrtë dinamovitë.

Shpërbërja e rregjimit totalitar dhe celja e kufijve, krijoi hapësira dhe ambicie të natyrshme edhe për portierin profesionist Foto Strakosha. Me një performancë të shkëlqyer dhe një talent të padiskutueshëm, në vitin 1991, ai bëhet pjesë e ekipit të PAS Janinës, duke qenë në një formë sportive admiruese, sprovat e tij shkaktojnë habinë për klasin e lartë të tij si portier. Sfida e parë në fushën e lojës me ngjyrat e ekipit të Janinës, debuton përballë Panathinaikosit, përkoi me shpalosjen e gjithë potencialit të tij teknik, madje duke pritur edhe një 11 metërsh, të gjuajtur nga ylli i kampionatit grek të asaj periudhe kohore, golshënuesi më  mirë, Dhimitris Saravakos.

Kësisoj, portieri Foto Strakosha, krejt i vetëm,me aftësitë e tij, bëhet pengesë serioze për sulmuesit e ekipit kampion, duke realizuar pritje spektakolare e duke ndikuar në rezultatin 1-2 në favor të Panathinaikosit, duke fituar admirimin dhe respektin e publikut janinjot e njëherazi, si pa e kuptuar, krijon premisa për të ngjitur shkallët e karrierës në kampionatin e futbollit grek.

Ndonëse pas 6 muajve, vetëm 3 ndeshje zyrtare iu krijua mundësia të luante me PAS Janinën, Foto Strakosha largohet nga ekipi i Janinës, për shkak të mungesës së dokumentave, në vijimësi, në harkun kohor 1991-1993, ai angazhohet si portier me ekipin e «Ethnikos» të Pireut në Athinë, duke luajtur në formacionin bazë 33 ndeshje e duke dëshmuar mundësitë dhe impaktet e një portieri prestigjioz të nivelit të lartë. Ende pa përfunduar kampionati kombëtar dhe kontrata respektive me ekipin e «Ethnikosit», Foto Strakosha pëlqehet nga ekipi dinjitoz i «Olympiakosit», të Pireut, një prej ekipeve plot shkëlqim në kampionatin grek, ku portieri Foto Strakosha, nënshkruan një kontratë 5 vjeçare, duke qenë në krah të portierit të mirënjohur Aleko Rado.

Në harkun kohor të viteve 1993-1997, ndonëse zhvilloi ndeshje tepër dinjitoze duke mbrojtur portën e ekipit «Olympiakos», si në kampionatin grek, madje edhe në takime të Kupave të Kampionëve Evropiane, gjithsesi, për një sërë shkaqesh subjektive, në këtë ekip, ndonëse u shpall edhe Kampion Kombëtar në edicionin 1996-1997, nuk mundi të shpaloste gjithë mjeshtrinë e performancën e tij që posedonte. Kësisoj,me përfundimin e vitit të 4-ët, të kontratës, ai personalisht kërkon të largohet, ndonëse drejtuesit e klubit nuk e dëshironin një gjë të tillë.

Ëndrra “përgjysmë” e të atit, Strakosha e bën realitet

Natyrisht që gjendet konsensusi dhe karriera e Foto Strakoshës, tanimë kunfigurohet dhe ravijëzohet për dy vjet 1997-1999, si portier me ekipin «Panionios» në Athinë, ku duke qenë titullar në mbrojtjen e portës në 56 ndeshje zyrtare, duke dëshmuar shkathtësi e fleksibilitet, teknikë të lartë e një formë të shkëlqyer, mjaft i suksesshëm e madje duke fituar edhe disa trofe me këtë ekip. Në edicionin e vitit 1998 ekipi i «Panionios» shpallet fitues i Kupës së Rep. së Greqisë. Ndërkohë që në vitin 1999, ekipi i kompaktuar, me meritë renditet në vendin e 8-të të Kupës së Kupave të Evropës, ku u eleminua nga ekipi i famshëm në ato vite,«Lacio» e Romës.

Në harkun kohor 1999-2002, Foto Strakosha bëhet pjesë e ekipit të «Ionikosit», duke luajtur në formacionin bazë 75 takime dhe kompaktësuar mbrojtjen e portës, një ekip që u shqua dhe spikati në kampionatin grek, në ato vite dhe ku ishte edhe si finalist në edicionin e Kupës së Republikës Greke. Në kampionatin e edicionit, 2002-2003, portieri Foto Strakosha vijon karrierën e tij të suksesshme me ekipin e Kalitheas, për të vijuar në edicionin 2003-2004 me ekipin e «Ethnikosit»,me atë të «Prodeftikisë», e rishtaz duke u rikthyer në ekipin e «Panioniosit» në edicionin 2004-2005, ku edhe shënoi finalen e karrierës së tij aktive futbollistike, ku spikati dhe u shqua për disa  detaje karakteristike, të cilat e bënin atë krejt të veçantë në llojin e tij. 

Foto Strakosha, në ato vite të suksesshme të spikatura të karrierës së tij sportive, ka mbrojtur me shumë sukses edhe ngjyrat e ekipit Kombëtar, si portier titullar i formacionit. Debutimi i tij i parëpërkon më 30 Maj 1990, në stadiumin e Reykjavikut, përballë ekipit të Islandës. Madje në dekadën e viteve 1990-2000 duhet nënvizuar se prezenca dhe përvoja e tij, luante një rol prioritar dhe vendimtar dhe duke qenë edhe si kapiten i këtij ekipi, e si një ruajtës besnik dhe rezultativ, pa as më të voglën mëdyshje, duke u shndërruar në një legjendë të portës kuqezi.

Please follow and like us: