Mimoza Erebara: Maçoku Mica dhe mustaqet e Stalinit
Tregim
Maçoku Mica është banori më i ri në shtëpinë tonë. Deri më atë ditë kishte jetuar jetën e tij macërore i mbuluar me të gjitha të mirat, i vaksinuar, i larë e i shpëlarë, i rruar e i kruar, me dy cullufe qimesh që i përkundeshin gjithë naze. Cullufja e parë i rrinte çapkënçe, si një adoleshent, (sepse edhe maçokët e kanë adoleshencën e tyre të mbushur plot pikëpyetje e kërkime bishtash të fisëm e elegante) dhe cullufja e dytë padyshim që krenohej në një pjesë të rëndësishme të bishtit të tij krenar.
Maçoku Mica është i edukuar, si një kont i rënë nga vakti, madje do të thoja shumë i edukuar. Këtë e vumë re sapo ai shkeli në shtëpinë tonë, që në ndryshim nga ajo në të cilën ai kishte jetuar, ishte e madhe, me oborr e me kopësht, plot pemë e gjelbërim dhe mbi të gjitha plot mace e maçokë që ecnin rëndë-rëndë nëpër avllitë prej qerpiçi të lagjes më të vjetër të kryeqytetit tonë të ri. Por ajo që na bëri të qeshim, përkundër aristokratizmit cullufor, ishte frika e tij. Kaq shumë u tmerrua kur një gjethe fiku ra, se duhej të binte-ishte fund tetori,sa u fut në një kosh dhe vonë, shumë vonë, gati kur ne i kishim mbaruar kafetë, e nxori cullufen adoleshente nga koshi.
Nuk u desh shumë kohë që maçokëria e mëhallës ta kuptonte se ç’maçok i fisëm e gjithë politesë kishte ardhur. Mica i kishte thonjtë dhe nuk i përdorte, i kishte dhëmbët dhe nuk i përdorte. Ishte aq i edukuar sa i la të gjithë me rradhë të hanin jo vetëm nga ushqimi i tij mbretëror, në taska e pjatka plot lulka, por të shkulnin qime drejtpërdrejt prej trupit të tij që deri atëherë kishte provuar vetëm përkëdheljet e të zotërve të bekuar.
Fisnikëria e tij shkonte deri aty sa të rrinte vetë pa ngrënë duke i parë të babëziturit që ziheshin kush ta lëpinte pjatkën me lulka më parë dhe të mos bënte zë, po të priste gjithë durim. Një stoik i vërtetë! Po zemërimi i vërtetë i maçokërisë erdhi pas një dite plot diell kur në oborr u duk macja më e bukur, e lakmuar dhe e ndjekur nga e gjithë banda e maçokëve zhulanjosë. Ajo e ndjeu të riun, e ndjeu sqimën, po kur i pa cullufet e tij, sidomos ajo e bishtit e la pa mend. Dhe menjëherë u tregoi dhëmbët e thonjtë zhylsave dhe gjithë naze e me bisht lart iu afrua dhe filloi lojën e përkëdheljeve.
Maçoku Mica, hiç. Prapë ajo iu afrua gjithë dhele që do t’i kishte zili dhe një sekretare ministri, por Maçoku Mica prapë hiç. Vetëm sa puliste sytë si kopsa të ngrëna palltoje, tundte cullufet sa mbi sy e sa në bisht, po nuk po ia kthente dhelet zonjushës. Nuk e kuptoi as hakërrimin e bandës që kishin zënë vend nëpër avlli në pritje gjithë zili, të shfaqjes. Zonjusha e provoi edhe njëherë dhe kur pa se Maçoku Mica po rrinte po njëlloj u kthye dhe si një bishë e vërtetë i nguli thonjtë e dhëmbët ku mundi.
Kaq u desh. E gjithë banda iu hodh sipër. E çorrën, e kafshuan ku mundën. Maçoku Mica nuk pati kohë të merrte vesh pse e gjithë kjo se ata u larguan të çliruar e nxituan të gjejnë floririn e tyre që ishte zhdukur avllijave. Mica gjeti një qoshe dhe u tulat aty duke lëpirë plagët të cilat as që kishin ndërmend t’i mbylleshin, sepse banditët nuk e linin për asnjë çast të qetë. Dikur edhe ata u lodhën me këtë mosreagim të pakuptueshëm të Maçokut Mica. Vinin hanin ç’gjenin në pjatkat me lulka dhe iknin pa ia hedhur sytë fare. Le të rrinte aty, do t’u duhej dikur e kur t’u duhej ai do të ishte po aty, duke pritur me durim e devotshmëri prej maceje. Ata punët e tyre i kishin krejt në rregull, zotëronin krejt lagjen, dinin skutat e çdo garazhi, bodrumi çdo fund tigani e tenxhereje, ashtu sikur njihnin edhe bishtat e fshesës. E dinin ekzaktësisht kur mbusheshin më mirë dhe kur zbrazeshin kazanët e plehrave.
Po nuk do isha marrë me përralla macesh e maçokësh, qofshin këta edhe të rangut të dhjerë tashmë të Maçokut Mica, nëse nuk do të bëhej sebep bishti culluferënë dhe i gjakosur i Micës, për atë ç’ka ndodhi më pas.
Bishti i Macokut Mica sa vinte e keqësohej dhe ai vetë ishte aq shumë i sëmurë sa të gjithëve ne na u dhimb dhe vendosëm që duhej mjekuar tek veterineri. Dhe kështu u bë. Macoku Mica, babai im dhe unë nisemi për tek veterineri, djali i një mikut të babait, i cili sapo ishte kthyer nga një specializim nga jashtë shtetit. Ne as që e kishim vënë re kryetarin e frontit i cili na kishte ndjekur pas, për të parë se ku po e conim Macokun Mica, që sikur kishte thënë një ditë “ta mbaje në shtëpi ishte shfaqje borgjeze”.
Ne u përshëndetëm me të zotët e shtëpisë dhe djali i mikut të babait hapi një derë që i shërbente mesa duket si një dhomë vizitash, ku herë pas here i duhej të kujdesej edhe për kafshëzat e pafajshme, të lira, as borgjeze e as proletare. Kuptohet, këtë shërbim mjeksor, humanitar, ai e kryente pasi u kishte shërbyer në orarin e punës lopëve, kafshëve proletare! E nxorra Maçokun Mica nga trasta në të cilën e kisha futur dhe e vendosa në një si bicim bange dërrase të pagdhendur. Ndodhi aq shpejt sa vetëm më vonë mundëm të kuptonim se ç’kishte ndodhur.
Përballë bango-dërrasës ishte varur një portret i stërmadh i Stalinit. Maçoku Mica megjithëse i sëmurë hidhet drejt tij dhe për herë të parë në jetën e tij prej maçoku përdor thonjtë duke e shqyer këtë portret, mu tek mustaqet pis të zeza të Stalinit. Në atë kohë hapet dera dhe kryetari ynë i devotshëm sapo e sheh Maçokun që po mundohej ta bënte copë e thërrime Stalinin me gjithë mustaqe bërtet e ulërin me sa kishte në kokë se para tij kishin dalë armiqtë e pushtetit e të partisë. Dhe nuk priti as të sqarohej për atë incident, që për të dyja familjet u regjistrua si fatal. Internim.
Që nga ajo kohë miku i babait tim nuk ishte më i tillë. Ai nuk ia fali Maçokut Mica shqyerjen e mustaqeve të Stalinit në foton e djalit të tij të preferuar, nuk ia fali të gjitha vitet e rënda të internimit. Shkurt ata nuk folën më. Dhe im atë tepër i prekur nuk e zuri më në gojë mikun e tij, e aq më tepër të birin, veterinerin. –“ E për çfarë? Për një palë mustaqe në fotografi”!
Nejse! Koha shkoi shpejt dhe sistemi ndërroi. Unë ndërkohë isha rritur, babai kishte vdekur, kishte vdekur gjithashtu edhe ish-miku i tij. Kishte vdekur pa asnjë ceremoni, i mbuluar vetëm me dhe nga punëtorët e varrezave edhe Kryetari i Frontit. Maçoku Mica, pasi kishte humbur edhe strehën, edhe pjatkat me lulka me ushqim të zgjedhur borgjez, nuk kishte parë rrugë tjetër para vetes vetëm se të bashkohej përfundimisht me bandën e maçokërisë së mëhallës dhe të mësonte të kërkonte bukën e përditshme njëlloj si të gjithë pjestarët e tjerë të bandës nëpër kazanët e plehrave. E meqë e kaluara e tij aristokrate kishte hije të rëndë, ndjehej disi i nderuar prej zhulsave barktharë e bastardë. Nuk i kishte mbetur asgjë nga cullufet elegante të dikurshme. Macja nazemadhe e bandës nuk e përfilli kurrë po edhe ai nuk e vrau kurrë mendjen për të.
Dikur ishte njohur me një bukuroshe larushe që ia hoqi edhe atë pak mish që i kishte ngelur në trupin e tij si gërdallë shkatarraqe. Duhej të ishte i lumtur se kishte mundur të bënte pasardhës, të denjë për bandën në të cilën tashmë ishte pjestar. Edhe ata nuk kishin asnjë gjë që t’i dallonte nga banditët e tjerë, ishin krejtësisht njëlloj të babëzitur, njëlloj të pistë, njëlloj të zhurmshëm, njëlloj kobashë. Ngordhi nën rrezet e diellit të verës, në perëndim, i ngopur me një drekë të bollshme fundjave. Djali i ish-mikut të babait falë përkushtimit që e karakterizonte në punën e tij, me ç’mësova e kishte kryer shpejt dënimin e tij dhe ishte kthyer në të njëjtin vend pune më shpejt nga ç’iku.
Ne u kthyem shumë më vonë në shtëpinë tonë të vjetër prej qerpiçi që mezi mbahej në këmbë. Unë vazhdoja të isha e papunë kështuqë kaloja shumë kohë në shtëpinë tonë të vjetër me të njëjtët fqinj me të njëjtin filxhan kafeje e me të njëjtat thashetheme “të parrezikshme” për banorët e hershëm të lagjes. Një ditë duke pirë filxhanin e kafesë të orës 11, po flisnim për fushatën e zgjedhjeve që na kishte rrokanisur kokën kur fqinja ime më thotë emrin e kandidatit, për zonën tonë, ishte djali i ish-mikut të babait, veterineri i specializuar jashtë shtetit.
Në çast e vendosa që të mos shkoja. Por kur fqinja ime trokiti në derë dhe më ftoi të shkonim në takimin elektoral nuk i rezistova dot kureshtjes për ta dëgjuar, ndaj dhe nuk e zgjata më po rrëmbeva çantëm dhe shkova. Salla ishte pot, ishin aty pothuaj të gjithë banorët më të hershëm të lagjes sonë të vjetër. Tek-tuk dukej edhe ndonjë fytyrë e re e panjohur për shumicën prej nesh, por si popull i butë ne nuk u ndiem. Edhe atyre do t’u vinte rradha të tregonin se kush ishin dhe nga vinin.
Por këto mendime mbetën pas sapo kandidati për deputet filloi të fliste me një ton që nuk kishte ndryshuar asfare. Të paktën unë kështu e mbaja mend, të ngadaltë, me një fjalor jo shumë të zgjedhur që në këtë rast e e kishte ulur edhe më, për të qenë sa më pranë masave, që ata ta kuptonin deri në fund sa i përkushtuar ishte ai dhe sa shumë i donte. Aq shumë sa sa herë që fluturonte mbi re me avion nuk e zinte gjumi për malet me probleme të popullit, të cilit ai do t’i dilte për zot.
Po nejse, këto ishin gjëra që diheshin, i kishim mësuar prej të gjithë kandidatëve të tjerë që kishin qenë para tij, me mendjen plot, për të na e dhuruar neve, popullit të thjeshtë, një pjesë, të mençurisë e dashurisë së tyre. Po ajo që më bëri përshtypje në këtë tiradë të gjatë fjalësh, si kallinj pa bukë të harruar në arë, që nuk shërbenin as për ushqim foragjer, ishte një fjali që për hir të së vërtetës unë do ta jap sic e dëgjova:
-Se siç e dini edhe ju, ne të të gjithë jemi familje të vjetra, me taban, me shtëpi e me oxhak. Jemi të edukuar. Asnjëherë nuk na është ndier zëri i gojës. Jemi punëtorë dhe të ndershëm. Prandaj pushteti na goditi, se ne nuk e donim atë, pushtetin, ai ishte i keq, ishte i dhunshëm. A e dini ju se përse më internuan mua dhe gjithë familjen time? Sepse unë ngaqë nuk e desha partinë e pushtetin e atëhershëm, grisa fotografinë e Stalinit, me gjithë mustaqe, në zyrën e babait tim. Shkurt e hëngrëm për një palë mustaqe të Stalinit. Që në atë kohë unë e dija të keqen që vinte prej atyre mustaqeve. Ato nuk ishin mustaqe sidokudo, por mustaqet e diktatorit më të egër në botë, mustaqe që kishin marrë në qafë sa e sa njerëz anë e mbanë globit. Ishin mustaqe të zeza, si vdekja, të errta si vetë regjimi, të forta, si vetë kamzhiku që fërshëllentë mbi kurrizet tona. Dhe s’kishe se si të mos dënoheshe për një akt të tillë, që me modesti, po do ta përmend, donte shumë trimëri….
Oh, i shkreti Maçoku Mica!