Avokate Margarita Kola: Avokatia të përfshihet në skemën e ndihmës shtetërore
Dhoma Kombëtare e Avokatisë e cila egziston sepse ka profesion avokatinë duhet të reagoj menjëherë mbi vendimin e qeverisë për mos të përfshirë bizneset e avokatisë në skemën e ndihmës. Në kohën që KLGj dhe KLP vendosin mbylljen e gjykatave dhe prokurorisë dhe kur vetë Ministria e Drejtësisë ka bërë thirrje që ndërmjetësit ligjorë dhe avokatët të ndërpresin aktivitetin për shkak të pandemisë mbi çfarë baze qeveria i përjashton nga vendimi. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila së fundmi ka rritur dhe tarifën vjetore të anëtarësimit, duhet të prononcohet zyrtarisht sepse kjo është detyra e saj. Kjo dhomë jo vetëm që nuk mbështet me trajnime të vazhdueshme avokatët sa herë që kemi ndryshime ligjore, të cilat për hir të së vërtetës janë të shpeshta, u dashka tani që të heshti kur qindra zyra avokatie janë të mbyllura jo me dëshirën e tyre, por në pamundësi për të ushtruar aktivitetin e tyre.
Nëse Dhoma Kombëtare e Avokatisë nuk do të ndiej përgjegjësi ta bëj këtë në çfarëdo mënyre që ajo e mendon të mundshme atëhere ne vetë avokatët, si praktikues të ligjit, duhet në mënyrë ligjore të kërkojmë që kjo VKM të konsiderohet diskriminuese dhe selektive dhe të rrëzohet si rrjedhim. Propozoj si hap të parë t’i drejtohemi me një letër Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe nëse nuk ka reagim atëhere duhet të veprojmë vetë në rrugët ligjore që kush më mire se ne i njeh. Fakti që vazhdojnë vetëm gjykimet për masat e sigurisë mbulon një masë shumë të vogël të llojeve të çështjeve që gjykohen në gjykata. Nëse ne na bëhet padrejtësi, imagjinoni çfarë ndodh me kategoritë e tjera sociale. Në terma financiarë shumica e zyrave të avokatisë janë biznese të vogla dhe limiti prej 14 milionë lekësh që është vënë si kufi për të përfituar nuk bën as sens dhe nuk mund të shpjegohet dot, madje as nga ata që e kanë vendosur. Nuk ka dy standarte. Ose jemi biznes i vogël ose jo.