Cikël poetik nga YMER SHKRELI
Ymer Shkreli lindi në Shkrel të Rugovës më 1945. Është vëllai i poetit te shquar Azem Shkreli. Shkollën fillore e kreu në Haxhaj, ndërsa shkollën normale në Prishtinë. Studioi Gjuhë-Letërsi në Prishtinë. Ka shkruar një numër të madh romanesh, dramash e librash me poezi.
DASHURI
E gjeta veten e humbur një herë
në flokun tënd;
tani jam më i ri për një vdekje
po shoh verbët –
dhe shumë më mirë;
i gjeta puthjet që heshtja
i paska shndërruar në peshq
aqë sa edhe akuj
o dreq –
mes mishit e thoit
e gjeta varrin e premtimit:
dashuria s’ka sy
e ka shpëtim –
midis mishit e ashtit
ose duhet përqafuar
fundin e këtij deti të marrë:
bima e dreqit
a të kthejmë në nismë
a të nisemi dikah tjetër
dikah që s’jemi dy
ose të vazhdojmë –
deri në fundin e lojës së vjetër
një herë një
SHPATA
Ajo e ndau ndau në dysh botë time
unë as kal s’akam;
vallë –
për këtë pjerrtësi
a janë të domosdoshme katër këmbë
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë
atje diku është fundi i dorës
dhe nisma e kokës;
atje është lulja
që nuk ҫel –
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë thellë
ajo ndau më dysh botën time
dhe më la pa mua:
a do të kem fuqi
ta provoj edhe një jetë sado të vogël
ose zotin gurë e kam zgjuar
ose
duhet të zbres në katër këmbë kafsheje
nga dy këmbë njeriu
(Nga përmbledhja “Kërkoj dënim me vdekje”, botoi “Flaka e vëllazërimit”, Shkup 1978).