Guxim Alimani: Kur apokalipsin e sjellin mashtruesit dhe abuzuesit!
(Alert i bazuar nga ngjarje të përjetuara)
Falë Zotit dhe jo aq për sistemin shëndetësor që kemi Shqipëria po përjeton një situatë jo shumë alamante pandemie. Kjo nuk ka të bëjë as me karakterin robust te shqiptarëve dhe as me optimizmin që na karakterizon.
Thjesht se varfëria na ka bërë të mos udhëtojmë dhe komunikojmë si kombet e tjerë. Se duhet ta pranojmë se dhe para Covid-19 jemi ndër më të vobektit në kozmos. Është nihilizëm absurd nëse nuk i vlerësojmë skajshmërisht dhe masat që po merren privatisht e shtetërisht që t’i ngadalësojmë vrullin këtij agresiviteti human. Por ky nuk është intensioni i këtij editoriali. Është diçka tjetër që vjen jo vetëm nga eksperienca, por dhe nga realiteti ynë.
Psh. nga lufta e Kosovës u evidentuam mijëra viktima, por mbijetuan dhe u pasuruan shumë bisnesmenë. Një i tillë në Kosovë është një mostër që quhet Ekrem Lluka… kur në fshatin e tij vriteshin nga serbët mijëra shqiptarë ai fuste në Kosovë në bashkëpunim me serbët qindra kamionë me cigare kontrabandë…dhe sot ai vijon të ngelet “personalitet” i bisnesit i kohës së kolerës!
Kjo nuk është normale dhe tregon se shteti i mëpastajshëm jo vetëm nuk ka funsionuar, por ka qenë fund e krye i korruptuar. E solla këtë shembull për të ilustruar një ngjarje të rëndë që nuk mendoj se po përjetohet vetëm në Tropojë. Një kompani e njohur autorizon një të njohur që të dërgojë 100 pako ushqimore ndihmë që komisioni i ngritur në bazë të nevojave t’i ndajë. I njohuri i bisnesmenit të njohur jo vetëm i merr, por nuk rezulton t’i jetë dhënë qoftë dhe një pako as komshiut…kjo është jo vetëm antihumane por dhe e dënueshme.
Kësaj praktike i duhet dhënë fund. Shteti duhet të veprojë dhe në kohë pandemia e lufte se prandaj paguan me taksat tona punonjësit e tij. Këta “filantropë” politikë që mendojnë të përfitojnë nga nekropolitika e nekropandemia duhet ti kalojnë gjyqit. Është kohë emergjence nacionale dhe duhet të përcaktohen qartë rregullat që kush jep, si jep dhe kujt ja e jep e kush ka autorizim t’i shpërndajë. Nëse ndodh si deri më sot edhe nëse shpëtojmë nga vdekja e pandemisë nuk shpëtojmë nga laku i politiko-oligarkisë.