Muza e Bejkos me “Këngë të Solomonit”
Çerçiz Loloçi
Poeti i njohur Sadik Bejko rivjen sërish para lexuesve, nëpërmjet botimeve “Toena”, me përmbledhjen e re të titulluar “Këngë të Solomonit”, fryt i një pune mëse dhjetëvjeçare, ku përfshihen 9 cikle dhe rreth 50 krijime artistike, një libër që kulmon arritjet më të mira të tij dhe pasuron majat e poezisë shqipe.
Vëllimi çelet me poezinë “Rrotullimi i planeteve”, me të cilën autori bën një paralelizëm mes mrekullisë së agimit me lëvizjet e planeteve, ndijësimit të brendshëm për mikeshën e tij ku dhe “Lëvrimi i heshtur i ndjenjës gjer dhe shkrirja e Arktikut/S’janë prerje me gërshërë fati për pritjet e gjata”.
Kjo poezi si kryefjalë e përmbledhjes ka vetëm tetë rreshta që ngjason me një prolog, por që s’ka fort lidhje me krijimet e tjera. Madje, poezi pas poezisë është vështirë që të gjesh sadopak ngjasime, ngase edhe shqetësimi i poetit ka qenë për të sjellë një temë të caktuar me mjetet e tij shprehëse, rrallëherë me rimë, shpesh me humor, por që në çdo strofë të vë në mendime.
“Thirrja e udhës” është poema vijuese, që përbën edhe pjesën e parë të përmbledhjes poetike. Autori, nëpërmjet këtij krijimi pasqyron përpjekjet njerëzore për liri dhe begati, por poema ka një thelb universal që sa i përket Shqipërisë, aq i takon edhe popujve të tjerë të Ballkanit dhe Europës që kanë bërë të njëjtën gjë, kanë rendur pa reshtur në shtigje të panjohura, rrugë e parrugë thjesht dhe vetëm për të ndryshuar statusin e tyre shoqëror.
Autori e mbyll poemën pak a shumë ashtu si e nis:
Ndihen hapa… tok tok… hapa
Kushtrim! Kushtrim!
Nismëni gjithmonë nga e para.
Rrugë – e gjatë sa një e shtënë plumbi
në tëmtha,
barabar sa një jetë,
e shtënë në kufinj mishi, toke, ajri
nëntokë, mbi tokë a në det-
nisemi mik, nisemi herët,
një gjurmë, një hap, një vragë,
port …
hon… tunel… a dallgë…
Në ciklin e dytë “Ora 24” autori ka përfshirë nëntë poezi, mes të cilave “Ora 24”, “Ujku”, “Nën dhunën e dritës”, “Mos më lexo në mbrëmje Magdaliní”, “Loja”, “Reja mbi Dajt”, “Fletë ditari”, “Pylli dhe lakuriqi i natës”, “Brenga” dhe “Baladë”.
Në ciklin e tretë “Shqipëri e karafilave” vijnë një varg krijimesh poetike si “Lamtumirë kometë”, “Shqipëri e karafilave”, “Apokalips 2016”, “Burrnesha”, “Letër mikut”, “Festa”, “Ishte ç’na ishte” dhe “Komunistët demokratë”.
Në ciklin e katër “Harroi zotërimet, madhëri” gjejmë krijime si “Vdekja e gjyshit”, “Cili është ai”, “Ikja e bukur”, “Të dashurit e mi”, “De profundis” dhe “Mëshirë për dimrin”.
Cikli i pestë ka një poezi “Vetëm Krishti”. Në ciklin e gjashtë “Kohë e përjetshme” vargje të mrekullueshme skaliten në poezitë “Kohë e përjetshme”, “Dinosaur”, “Milingonë…krokodil”, “Më thonë”, “Mbjell ullinj”, “Përvoja” dhe “Ansamble e Spartës”.
Te cikli i shtatë “Lamtumirat”, përveç poezisë me të njëjtën titull, zënë vend gjithashtu krijimet “Një vjollcë”, “Kleopatra”, “Ditë të acarta”, “Pa një zë”, “13:13”, “Vera që shkoi” dhe “Kësulkuqes”.
Në ciklin e tetë “Lutje Naimit” spikasin krijimet “Të pikturosh fikun”, “Kaçubja”, “Qershitë”, “Mëngjes në bregdet” dhe “Bora në Dajt”. Cikli përmbyllës “Këngë të Solomonit”, nga ka marrë emrin edhe përmbledhja poetike është padyshim edhe kurora e krijimeve të kësaj përmbledhjeje.
Pasi ke përfunduar krejt përmbledhjen mund të vësh re fare lehtë se autori ka punuar gjatë me këtë libër duke pasur njëherësh larmi temash dhe nga ana tjetër është kujdesur që në secilën prej tyre të sjell një imazh, një tablo që skicon jetë njerëzore, zhbiron në botën e brendshme të çdo krijese për të sjellë atë të veçantën.
Naimi, apo rilindas të tjerë janë rimarrë nga Bejko për të risjellë një kumt të tyre për Shqipërinë dhe shqipen, por pjesa më e madhe e krijimeve poetike bartin një tharm universal që e bëjnë atë të kapshëm edhe për popuj e kombe të tjera që priren të gjejnë më të mirat e jetës.
Brenda përmbledhjes poetike do të gjesh edhe vargje apo strofa që flasin për tjetërsimin njerëzor, por autori i ka sjellë më shumë për të nënvizuar realitetin tonë politik ku vrasësit sillen si ëngjëll, komunistët si demokratë, anarkistët si internacionalistë dhe kështu me radhë.
Libri ka si epilog vjershën “Uria e keqe” ku autori thotë:
Kam patur një uri të keqe që ha kafshata guri,
Uri-vrug hardhish mbi shëndetin tim a të ritë.
Vetëm që të marrë frymë pema me mushkëri uji
Brinjët u shtrembën të lugëta, u epën gjer në krisë.
Paske uri? Më thanë. Ha shkëmbinj me gojë e brinjë,
Ha zogj akulli që shtrat e lëmashk të t’i ngrijnë!
Dhe askush s’e parasheh dot të sosurën, thotë lumi.
Buzët në rreshk e gur, me plasa akulli a eti,
U shtyva për çdo ditë me shpatulla të buta dallge,
gjer, shtruar me ujë të kripur, ndrit një tryezë deti.
Këtu nga zori, me dhëmbë i qeshim njëri- tjetrit
Ne lumenjtë që bluajtëm akuj e shkëmbinj.
Ç’ të bëj? Të lyp ndjesë që u qepa buzëve shkumën –
Që buzëqeshjen e urisë e mbarta me gurët mbi shpinë?