Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Humor fëmijësh

 

 Viron Kona, Shkrimtari që punon prej 40 vjetësh për t'u zbukuruar ...

Gjysh, pse po rri vetëm?

 

Mbesa e vogël kur pa gjyshin që po rrinte vetëm në kuzhinë i erdhi keq dhe e  pyeti:

-Gjysh, pse po ri vetëm?

-Po shikoj një film në televizor.

-Ku janë gjyshja  dhe halla?

-Kanë shkuar nga dhoma tjetër po bëjnë punët e shtëpisë.

Mbesa heshti një çast e keqardhur, pastaj i tha:

-Gjysh, të të sjellë arrushin tim, që të mos rrish vetëm?

 

      

 

Njërën ta mora unë, sa kokrra të mbetën ty?

 

-Bubulino,- i tha shoferi i furgonit,-të të bëj një pyetje?

-Bëje,-i tha vogëlushi.

-Ta zëmë se ti vogëlush ke dy kokrra mollë. Njërën nga ato ta mora unë. Sa kokrra të mbetën ty?

Bubulinoja e pa një çast në sy shoferin e furgonit, pastaj kushedi pse nisi të vërenjtej. Vetullat iu mblodhën hark dhe iu kthye shoferit të furgonit me zemërim:

-Ore, xhaxhi, po ti pse ma more kokrrën e mollës?

 

 

Gëzimi i shkurtër

 

 

Në mëngjes Bubulinoja ngrihej vonë nga gjumi dhe, sa herë që ai mbrrinte në shkollë, mësimi kishte filluar.

Por, atë mëngjes ai u ngrit shumë herrët. Gjyshja u gëzua që vogëlushi po bënte kthesë dhe nisi ta ndihmojë që ai të bëhej gati sa më shpejt. Më në fund i zgjati çantën e mbushur plot me libra.

-Po unë nuk kam mësim sot, o gjyshe, kam ekskursion! – i tha Bubulinoja dhe vrapoi poshtë shkallëve.

 

Hunda e Pinokut

        

-O babi, përse e ka hundën aq të gjatë Pinoku? – e pyeti Bubulinoja.

-Sepse gënjen. Sa më shumë gënjen, aq më shumë i rritet hunda.

-Edhe hunda ime po rritet dhe po bëhet e gjatë, o ba?

 

 

O babi, mos u mërzit!

 

Babin e Bubulinos e kritikuan në një gazetë sepse nuk kishte shkuar disa herë radhazi në mbledhjet e prindërve të shkollës ku mësonte i biri. Ai u dëshpërua pa masë dhe u kthye vonë në shtëpi, ngaqë i vinte turp që ishte bërë aq shumë problem sa ta nxirrnin edhe në gazetë.

U vesh me rrobat që mbante në shtëpi dhe u ulë në divan pa guxuar t`i shihte në sy ata të shtëpisë.

Bubulinoja sapo e pa të atin, u sul drejt tij duke mbajtur gazetën në dorë dhe i tha:

-O babi, mos u mërzit që të kishin nxjerrë në gazetë, se unë gjeta një laps të zi dhe  e prisha emrin tënd. Nuk duket fare, o ba, ja shikoje edhe vet po deshe!

 

E shtuna dhe e diela  janë pushim 1)

 

Vini po i shpjegonte shokut të tij, Bubulinos:

– 7 ditët e javës, kanë emrat e 7 planeteve, që njiheshin në kohët e lashta. E hëna, ka emrin e Hënës; e marta, ka emrin e Marsit; e mërkura, ka emrin e Mërkurit; e enjtja, ka emrin e Jupiterit; e premtja, ka emrin e Venusit. Kurse, të shtunën dhe të dielën do të m’i thuash ti, – i tha Vini Bubulinos.

– E shtuna dhe e diela  janë pushim!, – iu përgjigj Bubulinoja.

 

 

——————————–

1) E shtuna ka emrin e planetit Saturn (në anglisht: e shtunë-Saturday). E diela ka emrin e Diellit. Kurse dita e enjte dhe e premte dallohen në gjuhën frënge: e enjte: jeudi (nga Jupiteri); e premte: vendredi (nga Venusi)

 

Please follow and like us: