Albspirit

Media/News/Publishing

Gisela Gaxha: E drejta e jetës, ti bota moderne ku je?

Meditim

Gisela Gaxha

Kanë kaluar 4 muaj që kur virusi i padukshëm e kërcënues u shfaq fillimisht në Kinë dhe prej një muaji ai ndodhet i pranishëm në çdo vend të botës e është KRYEFJALA e jetës sonë tashmë.

Unë nuk dua të shtoj as ankthin, as dëshpërimin, por dua të ndaj dy fjalë zemre me ju. Ne jemi një valixhe frymuese në botë. Na zbritën në këtë aeroportin e madh që quhet Tokë dhe fillojmë të rrugëtojmë si valixhe, diku stacionohemi, diku jemi tranzit, na marrin, na hedhin, na paketojnë, na ambalazhojnë, na etiketojnë, na peshojnë, ama e di nuk e shmangim dot, ne kemi një destinacion final. Njësoj si një valixhe!

Ne nuk kemi në dorë aeroportin, tranzitin, kur dhe ku e kemi biletën. Por ne kemi në dorë shumë! Ne kemi në dorë shumë më shumë nga këto, kemi në dorë ta shndërrojmë planetin tonë tokë ne një vend më të mirë. Në një vend ku nuk egziston vetëm interesi, egoizmi, dëshira për zhvatje e vetëm për disa letra të qelbura me emrin PARA. Kjo para e shndërroi qenien njerëzore nga një qenie me shpirt në posedues sendesh dhe parash. Por askush nuk e blenë dot pavdekësinë.

Prandaj ky izolim mendoj se na ka bërë te gjithëve mirë, pasi të gjithë kishim nevojë për një reflektim për veten, për të dashurit tanë e për planetin tonë që i kemi shkaktuar pafund dëme. E sot ai po na përgjigjet ashpër me fenomene natyrore që sjellin vetëm tragjedi për gjithë njerëzimin mbarë.

Ne kemi dashurinë! Ne nuk kemi në dorë humorin e natyrës, as reagimin e saj ndaj nesh! Ne kemi në dorë vetëm dashurinë! A e dini që ne kemi probleme me peshoren e jetës? Nuk kemi një njësi matëse të saktë. Peshorja e jetës ka një defekt të rëndë, memorien. Sa shpejt harron! Sa pak peshon në ditë me diell, sa shumë rëndon në ditë me shi.

Bëni gjithçka, çdo gjë që dëshironi, por sigurohuni që aty brenda të ketë dashuri. Le të harrojmë çdo ngjarje që dhemb, por mos të harrojmë dashurinë. Ne këtë e kemi në dorë. Nuk e dimë çfarë do ndodhë nesër. Shih me dashuri atë që ke afër! A themi bashkë të dua? Ta themi! Të dua! Sepse ne kemi në dorë të vetmen, dashurinë! Para COVID-19 të gjithë jemi njësoj! COVID-19 nuk ka arsye, por përcjell arsye..

Please follow and like us: