Romario Metanj: Demokracia në rrezik nga Covid – 19
Urdhri i MAS i datës 9 mars 2020 për mbylljen e institucioneve arsimore për parandalimin e përhapjes së Covid -19, do të ndryshonte rutinën e përditshme të çdo njeriu. Gjendja e frikës sa vjen edhe shtohet në rradhë e shoqërisë, jo vetëm për shkak të rrezikshmërisë të virusit, por edhe nga kryeministri nga njëra anë i cili ka zaptuar çdo ekran duke treguar masat e marra prej tij dhe nga ana tjetër media e cila gjithë kohës jo vetëm në edicionet e lajmeve, por edhe titrave shtojnë frikën deri në palcë. Informimi i shoqërisë është i domosdoshëm, por me karar çdo gjë siç thotë një fjalë e vjetër e popullit. Reagimi i shoqërisë përtej frikës udhëhiqet nga ligjet, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për reagimin e institucioneve, reagimi i të cilave po udhëhiqet nga gjendja e frikës e cila mbizotëron në vend.
Por pse kjo gjendje? Është e arsyeshme një analizë. Sistemi qeverisës në Shqipëri është i bazuar në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Nuk ka një epërsi absolute të pushtetit ligjvënës mbi pushtetet e tjera. Një parim i përgjithshëm është se Kuvendi ka pushtetin më të lartë në shtet, edhe pse kjo nuk shprehet në mënyrë taksative në Kushtetë. Nga ky rol i Kuvendit, si mbajtës i pushtetit më të lartë buron edhe parimi se qeveria e merr mandatin nga Kuvendi,i cili pastaj e ka në dorë fatin e qeverisë. Kjo panoramë vetëm de jure sepse de facto qeveria merr dhe kompetenca të Kuvendit,dhe këtë përligjie të veprimtarisë së saj e bën duke u munduar të mos e lexojë dhe kuptojë drejt ligjin më të lartë të shtetit Kushtetutën.
Kushtetuta ka parashikuar mundësinë që qeveria të nxjerrë akte normative krahas vendit të veçantë që i ka kushtuar proçesit legjislativ të Kuvendit, si organ legjislativ, lejon ndërhyrjen e qeverisë në këtë fushë.Kjo e shprehur në nenin 100/4 sipas të cilit Këshilli i Ministrave nxjerr akte normative në formën e vendimeve dhe udhëzimeve. Por vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave e vënë theksin si bazë ligjore nenin 101. Me të drejtë mund të bëhet pyetja: Nuk ka Shqipëria një ligj i cili të mbulojë situatën e shkaktuar nga virusi Covid-19?
Patjetër e ka një ligj të tillë. Pikërisht ligji 15/2016 ”Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infective” i përafruar me praktikën më të mirë të legjislacionit shëndetësor europian. Është pikërisht ligji në fjalë i cili ka si qëllim mbrojtjen e popullatës nga infeksionet dhe sëmundjet infektive duke përcaktuar rregullat dhe aktivitetet për zbulimin në kohë, evidentimin, parandalimin dhe kontrollin e tyre, për eleminimin dhe zhdukjen e sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë nga këto lloj sëmundjesh. I çuditshëm është fakti në lidhje me nenin 37 të ligjit të mësipërm,i cili urdhëron Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë përgjegjëse për shëndetsinë të nxjerrin një sërë aktet nënligjore në plotësim të ligjit. Kur kanë kaluar 3 vjet dhe neni 37 i ligjit pothujse nuk ka ekzistuar përderisa dhe mungesa e akteve nënligjore është e evidentueshme shumë lehtë.
Ndërkohë asnjë nga institucionet përgjegjëse ngurojnë ta citojnë dhe citojnë nenet e ligjit themeltar të shtetit, duke nisur me nenin 101
Përdorimi i këtij neni mbetet në vlerësimin e Këshillit të Ministrave, por duhet të theksohet fakti se përdorimi gjerësisht dhe jo në kushtet e parashikuara do të cënonte pavarsinë e pushtetit legjislativ dhe karakterin demokratik të shtetit.
Kjo e drejtë ka natyrë lejuese dhe përjashtimore ,prandaj Kushtetuta e ka kushtëzuar ushtrimin e saj me ekzistencën e nevojës dhe urgjencës, si dhe kontrollin përfundimtar nga Kuvendi të akteve të nxjerra. Nuk po mohoj gjendjen e nevojës dhe urgjencës por funksionimi i shtetit të së drejtës është thelbësor për një shtet demokratik.Vendi nuk ndodhet në gjendje lufte ku është e pamundur të mblidhet Kuvendi dhe të vendosë për masat ndaj ndalimit të virusit. Deri më sot Kuvendi nuk është mbledhur në një seancës të nevojës emergjente, duke i mbetur çdo vendimmarrje Këshillit të Ministrave. Shumë mund të mendojnë se Kuvendi,Parlamenti është drejtohet nga një njeri i vetëm. Kjo tregon humnerën e shtetit të së drejtës. Këshilli i Ministrave ka zgjedhur të ndërmarrë çdo gjë e vetme, mos ndoshta se kjo është më e lehtë se miratimi i një ligji. Për të garantuar demokracinë dhe ndalimin e një arbitrariteti në kushte jo të zakonshme, Ligjvënësi në nenin 84/4 e Kushtetutës shprehet se mund të miratohet një ligj në kushtet e nevojës dhe urgjencës dhe për këtë mjafton shumica e të gjithë anëtarë (qeveria aktuale e ka) dhe pëlqimi i Presidentit të Republikës. Të dyja këto kushte në këtë situate do të ishin mëse të plotësueshme dhe ligji do të futej në fuqi menjëherë,vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Një ligj i tillë do të shoqërohej me një raport i cili do të përligjte shpenzimet financiare për zbatimin e tij. Vlen për t’u theksuar se buxheti do të ishte i madh,dhe ndaj qeveria ka zgjedhur nxjerrjen e akteve normative të cilat për një periudhë 45 ditore, (periudhë kjo e cila kulmon me miratimin nga Kuvendi) mund të ndryshohen çdo moment dhe të mbulohen shpenzime të mëdha ose t’u jepet drejtim tjetër fondeve të parashikuara në luftën ndaj virusit.
Pushteti Gjyqësor është i pezulluar prej datës 10 mars, duke funksionuar me trupa të vogla punonjësish vetëm sa për të përballuar gjyqet emergjente të caktimit të masave të sigurisë për të arrestuarit. Gjykata Kushtetuese e cila garanton respektimin dhe interpretimin e Kushtetutës mungon. Kjo situatë dramatike mind të sjellë zbatimin e akteve normative të cilët sjellin pasoja në dëm të interesave publike a private. Të shpresojmë se përgjigjet e një sërë pyetjesh të ngritura në material, të jenë pozitive dhe Këshilli i Ministrave mos të ketë qëllim tjetër.