Sotir Athanasi: Gjysh! Pse po qajnë retë? (2)
( E- mail i dërguar një miku akademik*)
Dy.
Ky numër u vendos që lexuesi të kuptojë se kemi të bëjmë me vazhdimësinë e tregimit “Çeçeni dhe Komandanti”. Roli i rrëfimit për Çeçenin në këtë mes është një mënyrë e veçantë e paralelizmit meta- forik. Dhe po e titullojmë, siç e kemi shkruar edhe më lart:
(E-mail dërguar një miku akademik*). Por, të mos harrojmë që flet kolegu im shkrimtar:
“I nderuari Profesor!
Në një portal elektronik, tek i cili kam botuar shumë nga tregimet e mia, lexova rastësisht një shkrim që bënte fjalë për shqiptarin tonë të suksesshëm në një nga shtetet e Britanisë së Madhe. Ky nxjerr të printuar një revistë. Unë, i prirur nga dëshira që tregimin: ‘Shuarja e një Ylli’, të kisha mundësi t’a ekspozoj të paktën në anglisht, (sepse përpjekjet e mia në frëngjisht kishin dështuar), mbas shumë kombinimeve, e gjej E-mailin e tij. Dhe, kur prova qëlloi në shenjë, i mora leje përpara se t’ia nisja shkrimin në fjalë. Nuk vonoi dhe përgjigja e tij, erdhi: Po t’a riprodhoj atë:
“Tregimi më pëlqeu shumë dhe ju rekomandoj të gjeni një përkthyes të mirë në anglisht dhe të ma dërgoni. Unë marr përsipër botimin në revistën time”.
Entusiazmi im arriti krenajën. Menjëhere bëra disa përpjekje, të cilat, për fat të keq e me dëshpërimin pa cak, vërtetuan shpërfilljen. Ndjeva kështu, aizbergun e cinizmit. Vetinteresi qe kthyer në prirje dhe se në një padukshmëri të nënkuptuar te këto personalitete të përkthimit, që fama i bënte me krahë, gëlonte një tufë insektesh fluturuese.
Dështova edhe me një mikun tim, Profesor në përgjigjen e të cilit lexohej frika (e natyrshme) se mund të më zhgënjente.
U kujtova që në korrespondencën me Britanikun, ai më kishte thënë se materiali i botuar në atë portal që unë kisha lexuar, ishte përkthim. Sepse ai (Britaniku) e kishte botuar në anglisht dhe se një shoku i tij ambasador, e kishte përkthyer shqip dhe e kishte dërguar në portal).
Unë, i paisur në shkallën sipërore të këmbënguljes së domosdoshme për të realizuar një ëndërr, i bëj, me shumë takt, një E-mail, ku i propozoj se:
A nuk do të qe në nderin e një diplomati të përkthejë një tregim me temën: ‘Dështimin e një dashurie me vështrim të parë e të pastër’, diç të ngjajshme me Madam Baterflajn, por për shkak të terrorizmit?
Dhe ai m’u përgjigj: “Unë, nuk do të guxoja!”
Gjithsesi këmbëngulja ime ndiqte ngulmimin dhe ky i fundit, i shoqëruar nga kokëfortësia për luftën deri në fund, më nxiti t’i shkruaj:
Pa trokitur, nuk hapet asnjë portë, megjithëse, njëra sapo m’u mbyll.
– Po, – ndërhyra unë për të ndjekur vazhdimësinë e kolegut shkrimtar. Ai vazhdoi:
– “Mbas kësaj korespondenca u ndërpre. Që atëhere mbase është mbushur viti dhe unë u mora me përpilimin e vëllimit me tregime për të harruar dështimin e kalimit të kufirit gjuhësor të tregimit; kufi që mesa shoh qenkërka ku e ku, në mos më i dhimbshëm, po aq i barabartë me telat me gjëmba përtej zonës së pa shkelur në diktaturë.
Dhe kjo ndodhte me një nga tregimet e mia mbase më të arrira”.
Shoku im vuri në buzë kapuçinon e ftohtë tanimë dhe atëhere kur unë shikoja tek ai pragun e një humbjeje të plotë, ai ngrihet me një lloj nxitje të pazakontë: me gjeste të një frymëzimi hyjnor. Se në prag të një zbulimi do të përballesha nga ai. Lexojeni:
– E megjithatë, kur u njoha me historinë e Çeçenit, siç e kam dhunti të ngrihem mbi realen dhe të fantazoj, befas e gjeta veten në rolin e tij. Prandaj natyrshëm më lindi pyetja:
– Po Komandanti im, cili është?
Për ta bindur veten në këtë gjetje, i dashur Profesor, thërrita në ndihmë shkrimin tuaj ese mbi vëllimin me tregime jo vetëm analizën, por më tepër dashamirësinë e akademikut ndaj një shkrimtari, të cilit pavarësisht talentit, i duhet edhe një mbështetje për të çarë dhe thashë:
– Komandanti i Çeçenit, jeni ju miku im, Profesor. Unë nuk synoj si Çeçeni kthimin në qytet pranë familjes, por mundësinë e përkthimit dhedaljen jashtë gardhit gjuhësor të një cope të krijimtarisë sime.
Post Scriptum
1.
E shkruajta këtë E-mail dhe e lashë për të nesërmen t’a rishihja, por edhe të merrja një mendim nga… shoku im kritizer. (Këtu ai e kishte fjalën për mua) dhe vazhdoi:
– “Kontrollova portalin tënd të parapëlqyer dhe aty pashë i dashur Profesor, një shkrim tuajin, plot dashamirësi, shkrim që bënte fjalë për mikun tuaj frankofon, ish ambasador në një nga vëndet e europiane. Unë sërish falë dhuntisë, por edhe dëshirës sime, u vesha me petkat e Çeçenit në tren për të përmbushur shërbimin në skajin më të largët. i ulur përballë ‘Nënoficerit’. Aty njoha Komandantin tjetër:
Duke synuar botimin në anglisht, për të vibruar frëngjishtfolësit, gjeta një nga mjeshtrat e gjuhës frënge.
Shuarja e një ylli, (shtatë a tetë faqe) mund të rindizej nga botimi i saj në një revistë letrare në Paris. Kjo do të qe për mua dhurata më e çmuar për tetëdhjetëvjetorin tim.
– Po, – i thashë unë. – Ç’bëre pas kësaj?
– I dërgova një E-mail të mirëmenduar frëngjishtpërkthyesit për t’i kërkuar lejen që t’i përcillja tregimin prej 7-8 faqe libër.
– E pranoi?
– Po.
– Dhe?
– Si dhe?
– Desha të them dhe cila qe përgjigja?
– Matanë zhgënjimit.
– Që do të thotë…?
– Prijeni çdo shpresë!
– E ka shkruar kështu?
– Jo. Por e lë të nënkuptohet.
– Konkretisht?
– Ka shkruar vetëm tri fjalë që do të çuditesh: “Ju lexova – përgëzime”.
Unë mbeta i befasuar. Naiviteti i shokut tim, si një kod kishte korruptuar edhe mendësinë time, aftësinë për t’u ngritur mbi idealizmat e për të zbritur në tokë, gjë që nuk desha ta besoj. Atë e kishte pushtuar termi madhor i zhgënjimit. Të dyve na iku goja.
Befas sytë tanë përnjëherë dhe instiktivisht shkuan te ekrani në sfond. Një djalë i vogël futet me vrull nga jashtë në shtëpinë e tij dhe i drejtohet gjyshit:
– Gjysh! Pse po qajnë retë? Se janë yjet e dëshpëruar, prandaj?
– Yjet mund të jenë të dëshpëruar me veprimet e njerëzve në tokë… Por retë nuk qajnë, se ato s’kanë ndjenja, bir!
—————–
…akademik*) = Ky e-mail s’u dërgua kurrë. Efekti i tij është për të mbuluar një kuptim fisnik, sa të fshehur, aq joshës e të magjishëm. Por edhe si një kushtrim për kalimin e kufirit gjuhësor të krijimtarisë sonë, efekti i tij i ngjet tingëllimit të një kambane që kërkon të zbulojë një të vërtetë tejet të hidhur.