Albspirit

Media/News/Publishing

BOTA ËSHTË E DETYRUAR TË SHKOJË DREJT NJË REVOLUCIONI STRATEGJIK PËR MBIJETESËN

Cikël poetik nga Astrit Gjunkshi - Albspirit

Nga Dr. Astrit Gjunkshi

 

Ekziston mendimi se, edhe pas këtij kërcënimi global të pandemisë, bota do të vijojë evolucionin për t’u përmirësuar dhe nuk do të ketë ndonjë revolucion sepse, ndryshe nga individët, njerëzimi nuk është një masë kompakte në ndërgjegjen e tij. Ai është i prirur të harrojë shpejt dhe do të vijojë të shkojë sërish në konflikte, në indiferencë dhe do të vijojë të organizojë jetën, qeverisjen dhe politikën me të njëjtin mentalitet, ashtu si para pandemisë…

E mbështes plotësisht një arsyetim të tillë. Ky kostatim i shërben shoqërisë shqiptare dhe njerëzimit, në përgjithësi, për të tejkaluar atë eufori që bie në sy këto ditë, sipas të cilit shoqëria njerëzore dhe politika do të nxjerrin mësimet e duhura. Megjithatë, do të doja të shkoj përtej këtij konstatimi realist. Do të doja të sugjeroj disa drejtime novatore për të ndërgjegjësuar paksa njerëzit dhe politikën se e kemi ne në dorë që të përshpejtojmë evolucionin e ngadaltë dhe të ndryshojmë rrjedhën e ngjarjeve, për të strukturuar sa më shpejt kuadrin e plotë të një revolucioni. Në fund të fundit, revolucionet janë bazuar vërtet në nevojën për ndryshim, por ata kanë gjetur rrugën e zhvillimit tek idetë novatore, të cilat janë materializuar më pas përmes strategjive të detajuara. Këtë po përpiqem të bëj, në mënyrë modeste dhe duke u përpjekur të jem sa më realist në idetë që do të shtroj në këtë ese.

E dijmë se kur jeta gjunjëzon një njeri, fatkeqësi pas fatkeqësie, ai ka dy mundësi: të dorëzohet, duke shkuar drejt fundit, ose të mbledhë forcat e tij shpirtërore dhe fizike, të gjejë mjete dhe mbështetje të reja e të sigurta ku të kapet, për t’u ngritur sërish në këmbë. Të ngrihet me forca të reja për të mos u gjunjëzuar lehtë nga fatkeqësi të tjera që mund t’i dalin përpara.

Në të njëjtën mënyrë ka mbijetuar mbarë njerëzimi, me uljet dhe tkurrjet e tij në periudha të vështira globale, por me ngritje e zhvillim në periudha të tjera, herë të ngadalta e lineare dhe herë më të shpejta. Herë pas here, ka patur edhe shpërthime të fuqishme të progresit të gjithanshëm, të cilat i kanë ndryshuar faqen botës, në rastet e revolucioneve të mëdha të karakterit strategjik, siç janë Revolucionet Ushtarake (Military Revolutions- MR) apo Revolucionet për Çështje Ushtarake (Revolutions in Military Affairs- RMA). Ata kanë filluar pas stanjacioneve të zgjatura apo pas përfundimit të krizave të mëdha të njerëzimit dhe u kanë vënë vulën zhvillimeve që zgjasin edhe përtej një shekulli. Një revolucion i tillë filloi pas Luftës së Parë Botërore dhe pas krizës më të madhe shëndetësore të pandemisë së gripit spanjoll në vitin 1918 dhe vijoi me një hov më të madh pas Luftës së Dytë Botërore. Ndryshimet e shpejta të shekullit të njëzetë njohën një spirale të paparë progresi, si në zhvillimet e mëdha teknologjike, ashtu dhe në mënyrën e organizimeve sociale e politike dhe në mentalitetin e njerëzve. Duke bërë një vlerësim të të gjitha ndryshimeve, në të gjitha fushat, Lawrence Freedman arriti në përfundimin se ata sinjalizojnë nevojën që për një revolucion të ri, më të gjërë dhe përtej RMA, për të cilin ai përdori termin e ri: Revolucioni për Çështjet Strategjike (Revolution in Strategic Affairs- RSA), duke argumentuar se jemi në vorbullën e këtij revolucioni të ri.

Unë gjykoj se, në këto dy dekada të para të shekullit të 21-të, revolucioni (RSA) i pretenduar nga Freedman nuk ka evoluar njëlloj në të gjithë dimensionet e tij. Nga njëra anë janë akumuluar shumë zhvillime të reja teknologjike, të paimagjinueshme. Por, nga ana tjetër, kanë lëvizur mjaft ngadalë ndryshimet në dimensionet e tjera, siç janë ndryshimet organizative të qeverisjes në nivel kombëtar dhe global, si dhe ndryshimet në mentalitetin social e politik, edhe pse globalizmi ka sjellë mjaft ndryshime në format e mëdha të organizimit ekonomik, siç janë kompanitë shumëkombëshe, apo në shkëmbimin e shpejtë të informacionit përmes internetit, etj. Pra nuk mund të themi ende se kemi një revolucion të vërtetë, një rrymë të fuqishme që të përfshijë njerëzimin në çdo aspekt.

Dihet se revolucionet shpërthejnë kur përmbushen kushtet objektive dhe subjektive. Ekzistojnë të gjithë kushtet objektive, sfidat e mëdha në rritje për njerëzimin dhe për globin nga kërcënime si përmbytjet, thatësira, zjarret masive, ngrohja globale, ndotja e deteve apo rritja e nivelit të tyre nga shkrirja e akujve, pandemitë nga viruset, etj. Efektet e tyre kërcënojnë ekzitencën e njerëzimit dhe të globit dhe përballimi i tyre është emergjencë globale. Ata mund të përballohen vetëm nëse teknologjia e sotme vihet në efiçiencë të plotë dhe përparon edhe më shpejt. Por, për këtë, duhet të ekzistojnë edhe kushte subjektive, siç janë organizime më të avancuara të qeverisjes dhe të politikës, si dhe ndryshimi i mentalitetit të sotëm social. Kjo po bëhet qartësisht e dukshme sidomos në këta dy muaj të fundit të pandemisë së koronavirusit, që ka paralizuar jetën dhe ka goditur rëndë ekonominë dhe të gjithë sektorët mbështetës. Edhe shtete të fuqishëm janë përulur para saj. Numri i viktimave po rritet çdo ditë dhe perspektiva është e zymtë.

Revolucionet shpërthejnë si rezultat i mobilizimit të gjithanshëm të kapaciteteve njerëzore e materiale të globit dhe përfshijnë të gjitha dimensionet e veprimtarisë. Ata ngrihen mbi bazën e zhvillimit të teknologjive të reja, që përfshijnë edhe teknologjitë e reja të armëve të sofistikuara- si dhe organizime të reja sociale dhe mentalitete të reja, që krijohen në përshtatje me avantazhet që jep teknologjia e re. Për këtë arsye, bota duhet të gjejë patjetër zgjidhjet për të siguruar mbijetesën e qytetërimit. Prandaj, është koha që evolucioni, apo RSA virtual i Freedmanit, të përshpejtojë ritmet duke u kthyer në një revolucion emergjence. Unë do ta emëroja atë si Revolucion Strategjik për Mbijetesën (Strategic Revolution for Survival – SRS). Dhe, duke bërë një paralelizëm me Arkën e Noes, që kishte gjithashtu mbijetesën si synim të madh, do të quaja edhe Revolucioni i Noes (Noah Revolution). SRS duhet të jetë një revolucion që duhet të përshpejtohet në të gjithë dimensionet: në atë teknologjik, në dimensionin e organizimit qeverisës e politik dhe në mentalitetin human e social, duke patur parasysh specifikat që dikton shekulli i 21-të. Unë ndihem mjaft i motivuar për të dhënë disa ide në këtë drejtim, për secilin nga dimensionet e tij.

  1. Revolucioni Strategjik për Mbijetesën (SRS) të bazohet në pragmatizmin e novacioneve për zhvillimin intensiv të teknologjisë

Ashtu si dhe revolucionet e mëparshme, të cilat nuk priten me thikë midis tyre, gjykoj se SRS ka hedhur mjaft hapa paraprake në dimensionin e teknologjisë. Nga fundshekulli i 20-të dhe deri në ditë tona ka avancuar në mënyrë të paimagjinueshme teknologjia e informacionit elektronik, nano teknologjia, teknologjia për inteligjencën artificiale, ajo e armëve të sofistikura, teknologjia e ekzaminimit dhe e trajtimeve mjekësore bazuar në zbulimet në gjenetikë dhe fizikë, dhe mjaft të tjera. Por, kërcënimet në rritje për njerëzimin diktojnë që zbulimet e deritanishme shkencore të futen në efiçiencë me zbatime më të gjëra teknologjike. Nga ana tjetër, duhet përshpejtuar puna studimore- shkencore për të finalizuar shumë kërkime shkencore që janë në proces, si dhe të ndërmerren projekte e studime të reja që i nevojiten urgjent njerëzimit. Urgjenca më e parë lidhet me zbulimin e vaksinës për përballimin e kërcënimit nga koronavirusi.  Më tej, mund të vazhdohet me finalizimin e teknologjive për përfitimin e energjisë së pastër përmes fuzionit bërthamor, për uljen e kurbës së ngrohjes globale, për parashikimin e tërmeteve, për parandalimin dhe luftën kundër zjarreve masive, për pastrimin e tokës dhe të detit, për kultivimin e bimëve rezistente, për gjetjen e mjekimeve për sëmundje të pashërueshme deri tani, për prodhimin e ushqimit artificial në tableta që të zëvendësojë mungesat ushqimore në raste katastrofash të mëdha, për të mundësuar pa vonesë jetesën në Mars dhe për teknologjinë për të shkuar më thellë në hapësirë, etj, etj.

Natyrisht, që të realizohen të gjitha këto, kërkohet mobilizim i shkencëtarëve më të shquar të botës, në të gjitha fushat, si dhe burime financiare shumëfish më të mëdha. Duhet koordinuar gjenia e mendjeve më të ndritura të botës, sepse shmangia e dublimeve në punën kërkimore e bën atë më efektive në arritjen e rezultateve të shpejta. Nga ana tjetër, ka shumë rezerva për të rritur shumëfish kapitalin që duhet të investohet për teknologjinë e re tepër moderne. Rezervat gjenden te buxhetet qeveritare të çdo shteti dhe te kapitali privat i kompanive të mëdha. Rezerva më e madhe e buxheteve qëndron tek reduktimi drastik i shpenzimeve për mbrojtjen. Pandemia e virusit, por edhe katastrofa të tjera natyrore, kanë treguar se sa të panevojshme janë arsenalet e armëve të sofistikuara për t’i përballuar ato.

Mjaft para mund të kursehen edhe nga fusha të tjera që nuk janë aq të nevojshme për shoqërinë njerëzore.  Po e kuptojmë sot, kur jemi të izoluar, se sa të pakuptimta janë disa veprimtari që nuk lidhen me nevojat prioritare të njeriut, të cilat marrin para nga buxhetet. Por, rezerva mjaft të mëdha të kapitalit gjenden në shumë kompani shumëkombëshe, që fitojnë aq shumë nga të ardhurat e njerëzimit, madje edhe në mënyrë abuzive, në mjaft raste. Mjafton të përmend dy prej tyre: industrinë farmaceutike dhe industrinë e telefonisë mobile.

Kompanitë farmaceutike krijojnë të ardhura marramendëse përmes prodhimit të medikamenteve të njëjta, që shpesh ndryshojnë vetëm nga emri. Pa folur për rastet kur, ilaçe me efekte anësore mund të krijohen për të prodhuar ilaçe të tjera që luftojnë ato efekte. Ndërkaq, nuk dua të besoj teori të tilla konspirative që qarkullojnë si ato që, në fakt, janë shpikur medikamente që mjekojnë me sukses sëmundje të pashërueshme deri tani, por nuk futen në prodhim pikërisht për të rritur fitimet e kompanive farmaceutike nga shitja në sasi të mëdha të ilaçeve ekzistuese. Ndalimin e këtyre politikave që shpërdorojnë shëndetin e njerëzve, mund ta bëjnë vetën organizma që kanë autoritet absolut në shkallë globale, përderisa edhe ato kompani janë thuajse globale.

Kompani të tjera, ku ndodhen rezerva të mëdha të kapitalit, janë ata të telefonisë mobile. Shihni sa shpesh sofistikohen llojet e smartfonëve të cilët qëndrojnë në rradhë për t’u hedhur në treg shumë shpesh, sapo të jetë shitur një sasi e madhe e llojit të fundit. Ndërkohë që ata kanë qenë të shpikur shumë më herët! Një politikë dhe kontroll i një autoriteti global do të ndikonte që kompanitë të mos fitonin artificialisht e në mënyrë abuzive nga xhepat e përdoruesve. E njëjta gjë mund të thuhet për tarifat e larta për sinjalet telefonike për konsumatorët. Kuptohet që, në kushtet e ekonomisë së lirë të tregut, më e pakta që mund të bëhet është rritja disafish e taksave ndaj kompanive farmaceutike dhe atyre të telefonisë mobile.

  1. Nevoja për ndryshime rrënjësore të organizimeve qeverisëse dhe politike, si një dimension subjektiv i domosdoshëm për Revolucionin Strategjik për Mbijetesën

Arritjet e reja teknologjike mund të përshpejtohen kur menaxhohen dhe kontrollohen nga organizime të reja social- politike, thellësisht të ndryshme nga të sotmet, duke filluar nga riorganizimi i pushtetit politik. Këtë po na e bën mëse të qartë lufta për të përballuar pandeminë e COVID- 19. Qeveritë kanë shpallur masa të jashtëzakonshme dhe kanë pompuar shuma të mëdha për të mbështetur nevojat e shërbimit shëndetësor dhe për të kompensuar dëmet e pallogaritshme që ka pësuar ekonomia dhe jetesa e familjeve në të gjithë botën.Por, ata duhet të kishin investuar më herët këto triliona dollar, së pari për të ulur varfërinë dhe rritur nivelin e jetesës që ndikon në rritjen e imunitetit të njerëve dhe, së dyti, duke shtuar investimet në mjekësi. Dhe, megjithatë, gama e gjërë e kërcënimeve do të vijojë.

Siç e thamë më sipër, rezervat më të mëdha për të fituar kapital për zhvillim janë ulja e shpenzimeve të jashtëzakonshme që shkojnë për armatosjen si dhe vjelja e kapitaleve shumë më të mëdha nga kompanitë shumëkombëshe. Për të bërë këtë, nuk mjafton autoriteti i një qeverie, sado e fuqishme që të jetë. Nuk e bën dot as vetëm SHBA apo Kina. Duhet, së pari, të arrihet një marrëveshje historike e tipit që solli fundin e Luftës së Ftohtë, një Marrëveshje Strategjike për Mbijetesën e botës. Dhënia fund e të gjithë konflikteve lokale që ekzistojnë sot në botë, ulja e kërcënimeve reciproke me armë bërthamore e konvencionale të sofistikuara midis fuqive të mëdha. Forcimi i bashkëpunimit të tyre do t’i hapë rrugë mirëbesimit dhe do të ulë shpenzimet për stoqet e mëdha të armatimeve, që nuk nevojiten aspak për mbijetesën tonë.

Për të rritur fuqinë qeverisëse në shkallë globale, nevojitet një qeveri me autoritet global qeverisës, si një organizëm mbi qeveritë kombëtare. Fare mirë mund të ishte G20, forumi më i fuqishëm i shteteve më të zhvilluara, që të kishte kompetenca të mëdha politikëbërëse dhe vendimmarrëse në shkallë globale. Ajo mund të bëhej fare mirë një mekanizëm themelor në kuadrin e OKB-së, që të koordinonte ngushtë me Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkaq, duhet bërë reformimi i thellë i OKB-së duke u dhënë agjencive të saj kompetenca të ministrive që qeverisin sektorë të ndryshëm në shkallë globale, në koordinim me ministritë e qeverive kombëtare. (Vetë Sekretari I Përgjithshëm i OKB-së foli dje njëlloj si Papa i Vatikanit , duke bërë thirrje për solidaritet për përballimin e koronavirusit!) Por ne nuk kemi nevojë për dy Papë, kemi nevojë për një OKB që të qeverisë botën përmes masash konkrete!

Përderisa të gjitha kërcënimet lidhen me sigurinë, është e nevojshme që të riformatohen edhe strukturat e sigurisë, si në shkallë kombëtare edhe në rang global. Kjo kërkon përshtatjen e misionit dhe të strukturës së tyre për t’iu përgjigjur nevojave të reja të shtetit dhe të shoqërisë. Në fakt, prej disa vitesh, forcat e armatorsura kanë në misionin e tyre përballimin e emergjencave natyrore si zjarre, përmbytje, etj. Por ato duhen të kthehen në misione prioritare në kushtet e emergjencës globale. Duhet forcuar i tërë komponenti i sigurisë shëndetësore në këto forca. Megjithatë, ky model i ri duhet zbatuar edhe për strukturat ndërkombëtare  të sigurisë, duke filluar me NATO-n, si struktura më e fuqishme e sigurisë në botë.

Një riformatim i shpejtë i NATO-s në kuadrin e Revolucionit Strategjik për Mbijetesën, do të përbënte mbështetje jetike për suksesin e këtij revolucioni.  NATO duhet të shtrijë dhe të forcojë Partneritetin për Paqë (PfP) në të gjithë globin, duke e shndërruar atë në Partneritet për Mbijetesë (Partnership for Survival- PfS), për përballimin e të gjitha kërcënimeve, përfshirë kundër pandemive, përmes integrimit në operacionet mbështetëse më solide të strukturave të emergjencës shëndetësore. Në këtë mënyrë, nuk do të përsëritej ai izolim në marrëdhëniet ndërkombëtare, që vihet re në përballimin e kosonavirusit. Ky partneritet do të përbënte një hap vendimtar për tejkalimin e konflikteve midis fuqive të mëdha dhe forcimin e bashkëpunimit të tyre edhe në fushën e sigurisë. Në këtë mënyrë, gradualisht, NATO do të transformohej duke i lënë vendin një strukture globale të sigurisë, ku kundërshtarët e sotëm do të punonin krah për krah për të investuar dhe për të përballuar së bashku, deri ndërmarrje të tilla të vështira si mbrojtja nga objektet hapsinore, që mund të sjellin apokalips për globin.

Një OKB me kompetenca më autoritative globale dhe me G20 në strukturën e saj qeverisëse, do të kishte autoritetin edhe mbi kompanitë shumëkombëshe dhe do të menaxhonte si burimet natyrore, ashtu dhe ato njerëzore, do të menaxhonte edhe zbatimin e ligjit nga kompanitë shumëkombëshe. Ndërkaq, dhe Bashkimi Evropian duhej të inkuadrohej si strukturë në kuadrin global. Ajo duhet të ndërtonte partneritet të ngushtë me G20, por kjo e fundit duhet të kishte prioritet.

Për t’u hapur rrugë zhvillimeve të tilla në gjeopolitikën globale, që i vlejnë mbijetesës së njerëzimit, kërkohet një revolucion rrënjësor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai duhet të jetë një revolucion që të shpjerë në rënien e shpejtë të rëndësisë së kufijve, që sjell edhe shuarjen e shumë konflikteve lokale dhe në rang botëror, bazuar në lëshime të mëdha të sovranitetit, në interes të paqës dhe të bashkëpunimit pa kufij. Duke jetuar prej shumë vitesh në globalizëm, rëndësia e kufijve është relativizuar. Megjithatë nga pikëpamja formale, ata mbrohen dhe mbeten burim konfliktesh territoriale midis një numri jo të pakët shtetesh. Po në rast katastrofash? Cilit shtet do t’i hyjnë në punë që të marrë nga shteti fqinj disa kilometra katrorë më tepër, ndërkohë që nuk shfrytëzon dot për të shëtitur as rrugët e lagjeve ku banojnë shtetasit e tij? Ndërkaq, dëshira për të nacionalizuar burimet vetëm për vete, në dëm të të tjerëve, vetëm se i rrit tensionet dhe pamundësinë për të përballuar sfidat, pa bashkëpunuar me fqinjët. Problemet e mëdha të njerëzimit, kërcënimet aktuale dhe ata që duken në horizont nuk njohin kufij, prandaj edhe përballimi i tyre kërkon bashkim të të gjitha burimeve në shkallë globale, koordinim të përsosur të përdorimit të tyre, të papenguar nga kufijtë, nga interesat nacionale dhe nga defektet e koordinimit. Liderët botërorë të sotëm do të mbeten në histori nëse e kthejnë në realitet një supozim të tillë, duke u lënë vendin shkencëtarëve dhe menaxherëve që kanë bërë emër si për qeverisjen e vendeve të tyre, ashtu dhe për qeverisjen në shkallë globale.

 

  1. Revolucioni Strategjik për Mbijetesën do të përcaktohet nga kurajua për të ndryshuar mentalitete dhe sfiduar tabu

Në mënyrë që njerëzimi të merret me atë që është thelbësore për mbijetesën, është e domosdoshme që të shohim në mënyrë tepër kritike disa çështje thelbësore që lidhen me disa mentalitete dhe tabu. Mund të rendisim këtu modelin e demokracisë liberale dhe lidhjen e saj me sovranitetin, politikën dhe qeverisjen, vlerën e parasë e të pasurisë, mënyrën e jetesës, etj.

a) Është e domosdoshme që qeveritë kombëtare të përbëhen në shumicën e tyre nga profesionistët më të shquar të një shteti.

Në rastin e katastrofës virusale po shohim se janë profesionistët që janë vënë në ballë të përpjekjeve për të ruajtur shëndetin e njerëzve, duke rrezikuar edhe jetën. Janë mjekët, gazetarët, policët. Edhe pse klasa politike në qeverisje nxorri urdhëresat dhe rregulloret, u panë sheshit në vendin tim dhe në mjaft shtete mungesat në pajisje dhe në mjedise moderne për raste të tilla. Opozitat sikur nuk kanë shumë kuptim në kushte anormaliteti, sepse kërkohet veprim i unifikuar me qeverinë. Deputetët fjalëshumë e fodullë në kohë normale, të fryrë nëpër intervista, nuk duken gjëkundi, sikur të mos ekzistojnë. Ku e çuan përgjegjësinë për elektoratin e tyre? Natyrisht ata nuk kanë ndonjë lidhje shpirtërore dhe as ndonjë përgjegjësi sepsenuk janë zgjedhur në mënyrë demokratike, të paktën në vendin tim. Shumë më tepër se qeveritë e dala nga klasa politike, na duhen qeveri me profesionistë dhe menaxherë e shkencëtarë, njerëz me integritet e më të përgjegjshëm, që dijnë të qeverisin më mirë në periudha normale dhe dijnë si të drejtojnë përgatitjen për të përballuar katastrofat e shumta. Edhe politikat mund të bëhen fare mirë dhe më me kompetencë nga ana e tyre.

b) Sfida ndaj modelit të demokracisë.

Demokracia ka dhënë frutet për ndërtimin e shoqërive të lira dhe rritjen e mirëqenies, madje edhe aty ku u përqafua vonë, pas Luftës së Ftohtë. Por ajo njohu edhe shumë deformime në shtetet postkomuniste. Pluralizmi politik ishte vërtet kyçi për t’i dhënë fund sundimit të partisë-shtet në këta vende, por partitë e reja në pushtet fituan shumë shpejt tiparet e partisë-shtet të periudhës së komunizmit. Lufta për pushtet e partive kyndërshtare u bë shpejt aq e paskrupullt sepse, secila palë, përsosi manipulimin e zgjedhjeve dhe klasa politike u korruptua. Kjo u pasqyrua në hapa të ngadaltë në rritjen e mirëqenies, në pakënaqësi sociale dhe në gjetjen e rrugëve alternative për t’u pasuruar, si deformimi i sistemit gjyqësor, trafiqet. Edhe pse shtetet me demokraci të zhvilluar janë përpjekur, prej tre dekadash, që të kultivojnë standardet e demokracisë së tyre në këta shtete, progresi është i ngadaltë. Ndërkaq, edhe në vendet ku demokracia ka krijuar traditë prej shumë dekadash, politika krijon ndarje sociale dhe kosto të konsiderueshme për zhvillimin dhe ekonominë. Ndër të tjera, harxhohen shuma marramendëse për sistemin politik, që arrrin kulmin gjatë fushatave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

Në përkufizimin e saj, thelbi i demokracisë ka të bëjë me ngritjen e institucioneve që mbrojnë qytetarin e thjeshtë nga plotfuqishmëria e shtetit, në kohë normale dhe në kohë katastrofash. Por, në mjaft shtete, përshirë vendin tim, e dijmë se partitë, para së gjithash, mendojnë se si të fitojnë elektorat duke fryrë edhe propagandën për arritje të paqena, ndërkohë që mjaft halle të njerëzve zvarrisen pa u zgjidhur për vite të tëra. Partitë përdorin biznesin e fuqishëm për të ardhur në pushtet dhe, më pas, ia shpërblejnë atij disafish përmes koncensionesh të paracaktuara e të korruptuara, në dëm të buxhetit të shtetit dhe të taksave. E gjithë lufta për pushtet bëhet se cili krah i politikës do të sigurojë më shumë fitime për klanin politik! Pastaj, e gjitha kjo vishet me termat e rreme për demokraci, për rrotacion politik pëmes zgjedhjesh të lira, që në fakt defomohen e vidhen pa skrupull! E gjithë kjo rezulton në padrejtësi dhe në ulje të standardeve të jetesës, duke mbetur pak për të investuar për përballimin e katastrofave. Ndonëse në një shkallë më të ulët, këta fenomene nuk mungojnë as në demokracitë më të zhvilluara.

Përse atëhere nevojiten partitë dhe pluralizmi politik, që vetëm shkatërron unitetin e popullit dhe ngadalëson zhvillimin në një sistem të demokracisë së deformuar? Edhe forcimi i lëvizjeve ultra të djathta politike në demokracitë e zhvilluara duhet parë si rezultat i dobësive të sistemeve demokratike. Është koha për t’i parë gjërat në sy dhe për të thënë të vërtetën. Kjo demokraci që na serviret ka dështuar në shumë vende, dhe është koha për të ndryshuar. Ajo duhet zëvendësuar urgjent me një sistem vërtet demokratik që punon për popullin. Shtrohet nevoja që të sfidohet sistemi i funksionimit të demokracisë që bazohet në pluralizmin politik, duke kaluar në sistemin e demokracisë direkte, të gërshetuar me rritjen e peshës politike të profesionistëve të aftë dhe me integritet. Ajo që nënvizuam për qeverisjen nga teknicienë e shkencëtarë mund të arrihet nga korrigjimi i sistemit të funksionimit të demokracisë. Grupe intelektualësh me integritet duhet të vihen në krye të popullit, të organizojnë procese zgjedhore për kuvendin dhe për këshillat vendore, duke përzgjedhur profesionistë intelektualë me integritet, që i respekton populli. Prej tyre mund të dalë edhe qeveria e përgjegjëshme, një qeveri njerëzish të urtë dhe aktivë. Janë këta që duhet të shfrytëzojnë hapësirat që japin referendumet për të ndryshuar kushtetutat kombëtare që duhet të parashohin ndryshime të tilla jetike.

c) Duhet ndryshuar mentaliteti për për mënyrën e jetesës, për vlerën dhe përdorimin e parasë.

Kjo katastrofë që po përjetojmë nga përhapja e virusit po dëshmon se fuqia e parasë është relative në kohë katastrofash globale të zgjatura. Deri tani, është bërë gjithçka për t’u pasuruar. Por, shohim se sa relative është të kesh shumë para, vetëm për vete. E ç’rëndësi ka nëse je miliarder kur virusi, apo çdo katastrofë tjetër, të godet thuajse njëlloj si atë që mezi nxjerr bukën e gojës? Cilit të korruptuari i hyjnë në punë pallatet, vilat apo pronat e pallogaritshme që ka hipotekuar gjithandej, ndërkohë që është i detyruar të jetojë i mbyllur në pak metra katrorë? Ç’rëndësi ka që zotëron biznese të mëdha, nëse katastrofa të zgjatura godasin fuqinë punëtore dhe konsumatorin? Pa sigurinë e tyre, nuk ka prodhim, nuk ka konsum dhe as të ardhura.

I njëjti vlerësim duhet të bëhet për vlerën dhe përdorimin e parasë edhe nga qeveritë. Ato duhen investuar në fusha prioritare që rrisin mirëqenien e njerëzve, sigurinë e tyre dhe perspektivën për mbijetesën e njerëzimit. Mësimi që duhet të nxjerrim është se, në kohë normale, të ardhurat duhen krijuar në mënyrë të ligjshme dhe pa abuzime. Po ashtu shpërndarja e të ardhurave duhet rregulluar që të mos krijohen probleme sociale në shtresa të gjëra të popullsisë.

Këta ishin disa ide për një revolucion që dikton koha me ulurimat e katastrofave që kërcënojnë njerëzimin.  Sot, në kushtet e katastrofës virusale globale, mjaft njerëz të cilëve u punon logjika shohin se sa të dëmshme janë shumë veprime e praktika të paskrupullta të individëve, të klasave politike, të disa qeverive e institucioneve ndërkombëtare dhe të aktorëve të tjerë të fuqishëm. Shumë gjëra duhen bërë krejt ndryshe prej tyre. Është koha që të shpërthejnë energji të ndrydhura që kanë fjetur apo janë shpërdoruar deri tani! Përndryshe, me praktikat aktuale të individëve, të shoqërive, të qeverive dhe të politikës, që tentojnë të kalojnë gjithnjë përmes labirintesh të ngatërruara, njerëzimit do t’i merret fryma në honet që hapen nga kërcënimet e sotme, që ulërijnë.

E kam të qartë që shumë personave mund t’u duken ëndërra këto ide. Por ata duhen shqyrtuar me vemendje dhe të vlerësohen siç duhet, veçanërisht nga intelektualë të shquar, sepse mund të kenë vlera në thelbin e tyre. Mbase mund të zhvillohen më tej disa prej ideve. Shpresoj që mbështetja për ‘to të fillojë nga njerëzit më të shquar të kombit tim, në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në botë. Me njohjet e tyre me autoritete të spikatura politike, shkencore apo artistike në arenën ndërkombëtare, ata mund t’i japin jetë një projekti që përmban shkëndija të cilat mund t’i shërbejnë njerëzimit.

 

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe dhe mban diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë. Është studjues dhe autor librash, shkrimtar, poet, eseist dhe përkthyes. Ka shërbyer si diplomat – Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe ka kryer detyra të tjera në diplomacinë e mbrojtjes dhe në sektorin e arsimit. 

 

Tiranë, 01 Prill 2020.

 

 

 

 

Please follow and like us: