Bashkimi Europian i kërkon ndjesë Italisë
Bashkimi Europian i ka kërkuar falje Italisë, për mungesën e mbështetjes në përballimin e pandemisë koronavirus. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një letër të hapur ndaj italianëve ku reflekton lidhur me ndërhyrjet e fundit, siguron se BE ka ndryshuar dhe se do të bëjë gjithçka që mundet për të garantuar sa më shpejt një përgjigje të koordinuar ndaj këtij problemi të përbashkët. Gjithashtu ajo bën me dije se ka propozuar që të përdoret çdo cent e buxhetit të përvitshme të Unionit Europian për të ndihmuar vendet anëtare në përballimin e kësaj krize. “Europa po mobilizohet përkrah Italisë, por duhet të pranohet se në ditët e para të krizës, përballë nevojës për një përgjigje të përbashkët, shumë vende kanë menduar vetëm për problemet e tyre në shtëpi. Ajo e kaluara, ishte një sjellje e dëmshme që mund të ishte shmangur, por tani Europa ka ndryshuar ritmin e saj”, shkruan shefja e Komisionit Europian. Në letër, Von Der Leyen, po ashtu nënvizon se Italia është goditur nga koronavirusi më shumë se çdo vend tjetër i bllokut, por është shndërruar në burimin më të madh frymëzimi për të gjithë. “Ne kemi bërë gjithçka që është e mundur për t’i bere vendet evropiane të arsyetojnë si ekip dhe të sigurojnë një përgjigje të koordinuar për një problem të përbashkët. Dhe ne kemi parë më shumë solidaritet këtu në Evropë sesa kudo tjetër në botë”, vëren Von Der Leyen ndërsa vlerëson kontributin e industrisë së modës që ndërpreu punën e zakonshme për të prodhuar maska mbrojtëse dhe dezinfektantë për duart. Von der Leyen thekson se kjo krizë është një provë për evropën dhe nuk mund të dështojë.