Gabriel Garcia Marquez: Letra e lamtumirës
Në se për një çast Zoti do të harronte se jam një kukull lecke e do më dhuronte pakëz jetë, ka gjasa se nuk do të them gjithçka që mendoj, por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.
Do t’u jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që ato kanë, po për kuptimin.
Do të flija më pak, do të ëndërroja më shumë, e kuptoj se për çdo minutë që mbyllim sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.
Do të vazhdoja rrugën kur të tjerët do të ndaleshin, do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin, do të dëgjoja kur të tjerët do të flisnin dhe sa do ta shijoja një akullore të mirë me çokollatë!
Në se Zoti do të më dhuronte pakëz jetë, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha nën rrezet e diellit duke lënë zbuluar jo vetëm trupin por edhe shpirtin tim.
Zoti im, në se do të kisha një zemër do ta shkruaja urrejtjen time në akull dhe do të prisja derisa të shkrihej në diell.
Do të pikturoja me një ëndërr të Van Gogut sipër yjeve një poemë të Benedetit dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata që do t’ia kushtoja hënës.
Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët për ta ndier dhimbjen e gjembave dhe puthjen e butë të petaleve…
Zoti im, në se do të kisha pakëz jetë… Nuk do të lija të kalonte qoftë edhe një ditë pa iu thënë njerëzve se i dua, se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë se i dua fort dhe se do jetoja i dashuruar nga dashuria.
Njerëzve do t’ua provoja sa shumë gabojnë tek mendojnë të heqin dorë së dashuruari kur plaken, pa e ditur se plaken kur heqin dorë së dashuruari.
Një fëmije do t’i jepja flatra, por do ta lija ta merrte vetë fluturimin.
Të moshuarit do t’i mësoja se vdekja nuk vjen me pleqërinë por me harresën.
Kaq shumë gjëra që kam mësuar nga ju Njerëzit!
Kam mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë në majë të malit pa e ditur se lumturia e vërtetë është kur ngjitesh lart. Kam mësuar se kur i porsalinduri shtrëngon për herë të parë me grushtin e tij të vockël gishtin e babait të vet do ta mbajë shtrënguar përgjithmonë. Kam mësuar se një njeri ka të drejtë ta vështrojë një njeri tjetër nga lart poshtë vetëm kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.
Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj