Koço Kokëdhima: Tallja në kohë karantine
Në kulmin e epidemisë së coronavirusit, me një popull të tërë të izoluar, pa punë dhe pa mjete jetese, elita e vjetër politike vijon agjendën e saj si në gjithë 23 vitet e shkuara. Sot shumica u mblodh për të zgjatur afatin e Komisionit Hetimor ndaj kreut të shtetit, në një kohë kur shteti ka kyçur dhe paralizuar gjithçka, ndërsa qindra-mijëra njerëz janë në kufijtë e urisë, pas tri javëve në izolim.
Elita e vjetër politike i mban ndezur konfliktet e sajuara politike për të larguar vëmendjen nga dhjetra problemet e rënda që po kalon vendi. Mbi 10 mijë shqiptarë janë ende të pastrehë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 dhe epidemia e coronavirusit i ka shtyrë projektet e Rindërtimit.
Kacafytjet e tyre për pushtet na kujtojnë se marrëveshja apo lufta për të mbajtur a ndarë gjithçka mes tyre është e vetmja gjë që funksionon këtu. Popullit të zhveshur nga të gjitha pushtetet i vijnë fatkeqësi si nga marrëveshjet edhe nga lufta mes tyre. Rrënimi i vendit në të vërtetë nuk erdhi as nga tërmeti dhe as nga virusi COVID-19, por nga elita e vjetër politike. Pa demokratizuar Shqipërinë dhe pa larguar këtë elitë politike nuk kemi shpëtim.