Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: A JANË TË VËRTETA ATO QË SHKRUAJNË POETËT?

ORA SHQIPTARE: Rifat Ismaili

– Pyetje që më është drejtuar nga një lexuese.

Poezia është një nga artet, që më shumë se kushdo tjetër, ka në brendinë e saj trillimin. Jo se nuk bazohet në elementet e reales dhe të vërtetës, sepse ajo aty e ka burimin, por shtrirja e saj, duke qenë ndjenjë, rrok me dashje ose pa dashje, abstraksionin, hapesira te pakufijshme irreale, paqenësinë, të pamundurën…

“Gratë lakuriq lajnë
Trupat e tyre me diell
Dhe në gjakun e bujshëm të heronjve
Pijnë verën e harresës…”.
(Nga poezia ” Parajsë e pavërtetë” R.I.)

Kur shkruajmë per dashurinë, dihet se na ka joshur realisht apo mendërisht, bukuria e një gruaje, apo imazhi i gruas.
Por ndjenja hiperbolizohet, ndër vargje, në elementë të paekzistueshëm ose të pamundshëm, kjo, sepse i rrit forcën dhe vlerën asaj që poeti ka dashur të shprehë.

“Ah, buzëqeshja jote
Më përcëlloi heshtur
Që nga majë e flokut
Gjer poshtë në thembër”.
( Nga poezia ” Zjarri i pasionit” R. I.)

Poezia mbart në vetvete bukurinë estetike!
Qëllimi i saj është të japë tek lexuesi shijen e veçantë dhe të rrallë të fjalës, ashtu sikurse një elizir magjik na shpëton shpirtin.

Ashtu si dhe në gjini të tjera, filmi, teatri, romani, proza, piktura, edhe poezia eshte e lidhur me fiction- in.
Ajo nuk është, dhe nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht e vertetë.
Poezia,duke u ngjizur dhe duke dalë ne jetë, ka brenda saj embrionin e jetës.
Poezia në brendinë e saj, mbart të vërtetën e ëndrrës!
Nëse në jetën e zakonshme prozaike, njeriu ka një masë për gjërat, duke i peshuar në kandarin e racionales, në mendimet dhe në ëndrrat e tij është i papeshe, i pa mbyllur ne hermetizmin e vlerave materiale, i paparashikueshëm.

“Jetoj i mbuluar nga retë
Jetoj i rrethuar nga deti
Jetoj i burgosur nga vetja
Jetoj i dashuruar nga gratë e mendjes
Jetoj i yjësuar nga shpresat.
Si murg gjuhëprerë
Lexoj pas dritares orakullin e qiellit”.
(Nga poezia “Natë e pafund” R. I.)

Nënvetdija e njeriut, ndërthur realen me jo realen.
Dhe poezia ka mjetet e duhura për ta shprehur këtë.
Ndaj pyetja: “A jane të vërteta ato që shkruajnë poetët?”,- mendoj se është e pabazë dhe nuk ka një përgjigje, apo përgjigjen e duhur.
Poezia e ka vlerën tek mesazhi i saj.
Vjen nëpër tymnajat e kohrave dhe shpirtrave të mynxyrtë, si një nuse me kalë të bardhë, duke çarë e galopuar shtigje të pafundme pengesash.
Poezia hyn në portën e shpirtit të përndezur të njeriut,si një nuse me vello, që dhëndrri i dashuruar me gishtat që i dridhen, i ngre pak nga pak cohën e hollë për ti zbuluar fytyrën.
Tek poezia duhet kërkuar mesazhi, jo e vërteta e poetit!

Please follow and like us: