Albspirit

Media/News/Publishing

Shënimet e Aleksandër Pushkinit në kohë epidemie

pushkini Archives - Mekuli Press

Në prag të kolerës, në korrik 1831, Pletniov i shkruante Pushkinit për vdekjen e plakut Mollçanov, me të cilin ishte i lidhur shumë. Edhe Pushkini po kalonte kohë të vështira; ai vazhdonte të vajtonte për Delvigun, shokun e Liceut dhe mikun e tij shpirtëror. Ai i kishte 32 vjet. Dhe ja fjalët e ngushëllimit që gjeti Pushkini.

PLETNIOVIT

22 korrik 1831, Carskoe Sello

… Letra jote e datës 19 më ka brengosur fort. Përsëri po mërzitesh. Ej, pa shiko: mërzia është më e keqe se kolera, njëra vret vetëm trupin, tjetra shpirtin. Delvigu vdiq. Molçanovi vdiq: prit do të vdesë dhe Zhukovskij, do të vdesim dhe ne. Por jeta gjithsesi është e pasur, do të takojmë të njohur të rinj, këta të rinj do të na bëhen miq, bija jote do të rritet, do të bëhet nuse, ne do të bëhemi pleq gërmuqë dhe gratë tona plaka gërmuqe, por të vegjëlit do të bëhen fëmijë të dashur, të mbarë, të qeshur; djemtë do të bëhen çapkënë kurse vashat sentimentale; neve na bëhet shumë mirë. Gjepura, shpirti im; mos u mërzit-kolera vjen dita dhe shkon, të mbetemi edhe ne gjallë, do të jemi si dikur dhe të gëzuar…”.

Eugjen Onjegini

Më vjen keq që nuk i ke marrë letrat e mia. Kishte mes tyre serioze; por nuk është hatá. Eslingu, ai të cilin ti e njeh,- nip im i Liceut dhe, duket një djalë i mbarë- e porosita që të dorëzonte “Përrallat e mia”; lexoi ato për hir të mërzisë nga kolera, nuk ka ngut për t’i botuar. Përveç 2000 për “Borisin”, s’kam marrë asgjë nga Smirdini; besoj, janë mbledhur afërsisht po dy mijë nga rroga; shkruaji atij që të m’i dërgojë me postë, duke të lënë ty 500. Me që ra fjala po të tregoj një lajm (por të mbetet, për shumë arsye, midis nesh): cari më ka marrë në shërbim – por jo në kancelari, apo pranë oborrit, apo në ushtri-jo, ai më ka dhënë rrogë, më ka hapur arkivat, që të gërmoj atje dhe të mos bëj asgjë. Një mirësi shumë e madhe nga ana e tij, apo jo? Ai tha; “ Puisqu’il est marié et qu’il n’est pas riche, il faut faire aller sa marmite.”[Me që është i martuar dhe jo i pasur, i  duhen dhënë mjete për të jetuar.] Me të vërtetë që është treguar shumë i mirë me mua. Po kur do të shihemi, vëlla? Oh, kjo kolera tani! Jusupovi im vdiq, Hvostovi ynë vdiq. Me shpresë se vdekja do të kënaqet vetëm me ato dy viktima. Lamtumirë. Shumë të fala. Qofshi me shëndet. Krishti me ju.

PO CILI ISHTE PLETNIOVI?

Pjotr Aleksandroviç Pletniov është një nga poetët e shumtë të kohës së Pushkinit, kritik dhe botues. Gjithashtu, mik i Pushkinit dhe ndihmësi i parë e tij në çështjet letrare. Ato u njohën shumë kohë para se Pushkini të përfundonte Liceun.  Letërkëmbimi i tyre është përplot me çështje letrare, botimi, financimi, praktike dhe çdo gjë tjetër. Ai ishte për Pushkinin “gjithçka: dhe i afërm, dhe mik, dhe botues, dhe arkëtar”. Ai nxori në dritë- që do të thotë gjeti botues dhe librashitës, zgjidhi çështjet tipografike, materiale dhe probleme të tjera, për më shumë se 20 libra të tij. Dhe të gjitha këto pa asnjë interes. Pushkini e quante Pletniovin “mëndeshë”, “bamirës” dhe e pranonte që për pavarësinë e tij “i detyrohem Zotit dhe ty”. Si akt mirënjohjeje nga ana e tij,  Pushkini i kushtoi Pletniovit kreun IV dhe  V të romanit në vargje “Eugjen Onjegin” [1828] dhe më vonë- të gjithë romani [në 1833, kur doli botim i veçantë.]

Përgatiti dhe përktheu B. Hudhri, Exlibris

Please follow and like us: