Thonë se i pari që u bë mbret i thesprotëve
dhe i molosëve, pas përmbytjes, qe Faetoni,
i cili ishte njëri prej atyre që erdhën në Epir
bashkë me pellazgun dhe, disa thonë se aty
në mes të molosëve banuan Deukalioni dhe
Pirroja pasi ndërtuan tempullin e Dodonës.
Kjo është dëshmia më interesante që flet për origjinën më të hershme të saj. Në qoftë se kemi parasysh që koha “pas përmbytjes” i takon 23 000 vjetëve para Krishtit, atëherë del që tempulli i Dodonës duhet të ketë një lashtësi të tejskajshme. Flitet për një tempull pagan, në një lartësi malore më në brendësi të maleve dhe ndoshta pikërisht në Tomorin dimërkeq me akuj dhe borë.(!?)
Epiri lidhet pazgjidhshmërisht me kultin e Dodonës, ndaj, që të flasësh për një mbretëri në Epir, duhet të dihet diçka rreth “institucionit të Dodonës”, i cili i gjen lidhjet e veta me qytetërimet më të lashta të botës.
Kronikat me të lashta japin një informacion të dobët për këtë faltore pagane, nën këmbët e malit Tomar, ku buron një lumë, nën ca lisa të lartë e të moçëm: Mali ishte dimërkeq nga ku shihej deti. Aty vinin vizitorë nga e gjithë Europa për të pyetur për fatin, për shëndetin, për problemet e bujqësisë dhe të blegtorisë. Pranë kësaj faltoreje jetonin pellazgët këmbëzbathur që nuk i lanin këmbët kurrë.
Fillimisht do të ketë qenë në një shpellë në veri të Thesprotisë. Sipas legjendave,unë këmbëngul dhe do ta shpjegoj me fakte në kapitujt e mëpastajmë të këtij libri, se në këmbët e malit Tomor, duhet të ketë ekzistuar një para Dodonë. Pas zbritjes së fiseve dorike në Ballkan, në një hark kohor 1800-1200 para Krishtit, pas sulmeve të tyre, tomarët e braktisën këtë tempull. Disa (tomarët – talarët) shtegtuan në rrethinat e malit Olimp, të tjerë zbritën në Jug, më pranë detit, dhe e ringritën tempullin e Dodonës përsëri në rrethinat e Janinës, në fshatin Melingues.
Gjithë magjia e kësaj faltoreje pagane ishte te lutjet e peleasve, priftërinjve të malit, ndanë një ene të madhe prej bronzi. Mbi krye qëndronte një statujë, e cila mbante tri kamxhikë në formë zinxhiri, me fije bronzi. Sa herë i lëkundte era, zinxhirët jepnin tinguj të dridhshëm për një kohë të gjatë. Kaq është e gjitha. Enigmat e tingujve të kazanit prej bronzi si dhe fëshfërimat e fletëve të lisit, fillimisht i shpjegonin priftërinjtë e malit.
Me lindjen e krishterimit, edhe kazani prej bronzi u kthye kokëposhtë. Tek funksioni i zinxhirëve prej bakri, të varur në degët e lisit ndoshta e ka zanafillën dhe kambana me gjuhëzën e vet. Ena prej bronzi do të ketë qenë projekti i parë i kambanës së kishave. Për këtë hipotezë nuk ka dëshmi tjetër, por unë nuk di të ketë as edhe ndonjë histori tjetër më bindëse. Kjo gjë do të ketë ndodhur shekuj më vonë.Liturgjia kishtare lindi si rezultat i kërkesës konkurruese me tempujt paganë, po kështu edhe rrëfimi në kishë pati zanafillë një model pagan.
Njeriu përjetësisht ka kërkuar deshifrimin e mistereve. Kambanat krijuan tempujt e rinj të krishterimit, në mes të fshatrave dhe të qyteteve. Ena e madhe prej bronzi , ena dodonase, lindi mijëra e mijëra shëmbëlltyra të veta në të gjithë botën.
Në një shënim enciklopedik thuhet se emri Dodonë është krijuar për shkak të onomatopeisë së tingujve të kësaj kambane: “don! don! Kur shternin ujërat në lumin pranë tempullit, dilte mbi sipërfaqe vullkani i Vezuvit dhe villte llavë”.
Kjo marrëdhënie nëntokësore e vërejtur qysh në lashtësi ka rëndësinë e vet njohëse. Sidoqoftë, e rëndësishme është të theksojmë se Epiri i vjetër pati një kryeqendër diku në Dodonën pellazge. Institucioni i Dodonës ishte qendra e përpunimit të të gjitha teorive shkencore, në të gjitha fushat e jetës. Ajo ishte qendër e të dhënave meteorologjike, bujqësore, blegtorale, mjekësore, psikoterapike etj.
Epiri i vjetër jep dëshmi jetese në shpellat: Pëllumbas, Velçë, Selcë, Spile e gjetkë. Epiri është jo vetëm një territor me klimë të përshtatshme, me bimësi e blegtori, me fusha pjellore, por edhe me male të larta legjendare, si ai i Tomorit apo i Akrokerauneve ku, sipas historianëve të lashtë, kanë banuar perënditë pagane. (Zeusi akrokeraunes) Rilindësit tanë, sado në mënyrë joshkencore, janë të parët që kanë vënë re se gjuha që flitet sot në Shqipëri është vazhdimësi e gjuhës pellazge, e asaj popullsie autoktone që jetonte dikur në trojet që jetojnë shqiptarët sot.
Sipas një legjende, Dodonën e themeluan Tebanët, e themeloi Kadmi, mbreti i Tebës. Kadmi “Kadhëm”, ishte bir i mbretit fenikas dhe i ati i Ilirit. Gojëdhëna të tjera sjellin dëshmi për pasardhësit e Kadmit në Epir, breza më vonë.
Legjenda tjetër, më pranë së vërtetës historike, është ajo e krijimit të qytetit të Butrintit nga pasardhësit e Priamit, pas shkatërrimit të Trojës.
Legjenda tregon që Eneu i gjeti trojanët në Butrint. Madje ai u çudit kur pa në Butrint shëmbëlltyrën e Trojës. Më e besueshme është legjenda e ardhjes në këto troje të Helenit, vëllait të Hektorit. Heleni u martua me Andromakën, të shoqen e Hektorit.
Porta “Skea” e Butrintit si dhe fusha e Kestricës (Kestrini) mbajnë emra trojanë.
Legjenda tjetër përforcon dy të parat: “Qytetin e themeluan dy lykaone” (liqenas) të ndryshëm, Periketio dhe Oenotrasi, shtatëmbëdhjetë breza më parë se të hidheshin për së dyti nga Epiri në Itali. (M.Zeqo.”Panteoni Ilir”, fq.147).
Në qendër të të gjitha legjendave për themelimin e Butrintit gjendet një ka ose, më mirë të themi, “një buall”.
Të gjitha legjendat e lidhin krijimin e këtij qyteti me flijimin e një bualli.
Qyteti u themelua aty ku qëndroi bualli i plagosur. Këtu mund të ketë një të vërtetë, se kafshët e plagosura, të etura për ujë, i kanë përdorur për të zbuluar burimet e ujit të pijshëm.
Leskeu i Lesbos (shek VII para Krishtit) sjell dëshminë tjetër më të lashtë. Kur ra Troja, Eneu iu dorëzua Neoptolemit, mbretit të mirmidonëve, birit të Akilit, i cili e çoi të futur në një thes në Epir. Legjendat nuk kundërshtojnë njëra-tjetrën, por përforcojnë të njëjtën ngjarje, në të njejtën pikë, atë të rënies së Trojës. I pari shfaqet Heleni, i biri i mbretit të Trojës së rrënuar.
Varianti më i besueshëm i themelimit të qytetit të Butrintit i cili u bë pë ca kohë qendra e qytetërimit të kaonëve, është ai që flet për një Buthrotos, vazhdimësi e Ilionit të braktisur.Një Ilion në miniaturë, ngritur nga trashëgimtarët e derës princërore. Të zhvendosur larg vendit të vet, ata u përpoqën të krijojnë shëmbëlltyrën e kështjellës së Trojës. Në kujtim të të shoqit të vrarë nga Akili, në duelin nën muret e Trojës, Andromaka bëri një varr simbolik.
Dëshmi për këtë janë toponimet e gjendura në Butrint. Së pari është fusha e Kestrinës, përpara kështjellës. Kestrin quhej i biri i Helenit, nip i Priamit. Në Butrint gjenden edhe dy toponime të tjera që flasin në të mirë të kësaj legjende, toponimet “Troja” dhe “Skea”.
Për Butrintin na jep disa të dhëna edhe Skymni. “Kjo tokë ka një liqen,-thotë ai,- të cilin e quajnë Linhid”.
Çabej thotë se Linhid quhet vetë liqeni. “Afër tij ndodhet një ishull”.
Fare qartë. Pranë tij ndodhet ishulli i Korkyrës, ku thuhet se erdhi Diomedi (hero grek i luftës trojane) dhe vdiq atje. Ky ishull quhet edhe ishulli Diomedisa. (Këtu ka një pasaktësi, pasi ishulli i Diomedit ndodhet në Adriatik.)
Studiuesi M. Zeqo, te “Panteoni ilir” shkruan: “Ky variant është pak i çuditshëm dhe përbën një pasaktësi gjeografike”.
Kjo çudi ndodh ngaqë, në çdo kohë, Linhid është konsideruar liqeni i Pogradecit. Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë thjesht me një emër liqeni pranë një ishulli, i vetmi ishull i banuar në këto vende.
Historiani Stefan Bizantini thotë: “Kadmi e përshkroi rrugën në këmbë, hipur mbi një çift qesh”. Të tjerë shkruajnë “Kadmi dhe Harmonia, të shoqëruar nga Epiri, i biri, shkuan në Kaoni. Kur Epiri vdiq, kësaj treve iu vu emri Epir”. Nga kjo legjendë marrim vesh për një degëzim tjetër teban, pinjollë të gjakut princëror teban, të cilët emigruan në Epir dhe populluan këto zona:. Legjenda e Ilirit, djalit të Enkeleas, nuk po gjen shtratin e vërtetë.
E vërteta është ajo që thotë Çabej: Enkelan është varianti i fjalës engiala (ngjala) prej së cilës trashëgojmë kultin e gjarprit teban dhe atij ilir. Kulti i gjarprit të liqenit (ngjalës) gjendet vetëm te fiset ilire.
Ka dhe një mendim tjetër: Meqë Kadmi rridhte prej mbretërisë fenikase, më e pranueshme do të ishte ideja që Kadmi të ketë themeluar jo Butrintin, por Foeniken (Finiqin e sotëm).
Cikli teban rrëfen edhe për një “Laodam”, pinjoll i brezit të pestë të Kadmit, mbret i Tebës që shkoi në Iliri. Epiri, si trevë e ndërmjetme me përzierje të vazhdueshme epiro-greke, ka qenë zona ku legjendat janë shtresëzuar mbi njëra-tjetrën. Sa më shumë të studiohet kjo zonë, aq më tepër ndihen diferencimet me kulturën greke.
Taloci thotë: “Mitologjia ilire i ka dhënë shumë mitologjisë greke”.
Straboni, në shkrimet e veta, tregon se Epiri dhe Iliria ishin të pasura. Ai bën diferencime rreth territorit dhe popullsisë së tyre. Orakullit të Dodonës i blatoheshin dhurata edhe nga vendet më të largëta. Ata vinin edhe që nga përtej detit, edhe prej ishujve jonianë. “Nëse të japin pëlqimin Tomuret e Zeusit të madh, Telemaku (biri i Odiseut) do të vritet”.
Në një vend tjetër, Straboni thotë: “Tani një pjesë e tyre janë shkretuar dhe vendet e banuara janë fshatra dhe gërmadha të braktisura. Fatin e tyre e pati dikur dhe orakulli i Dodonës. Ky orakull, sipas Eforit, është ndërtuar nga pellazgët”.
Nga ky informacion marrim vesh që Iliria dhe Epiri dikur jetonin në fqinjësi të mirë. Një pjesë e madhe e tyre fiseve iliro-epirote u shkretua dhe u braktis. Me sa duket, bëhet fjalë për një pushtim shumë të egër, i cili rrafshoi kultet dhe i shkretoi qytetet dhe fshatrat e Ilirisë dhe të Epirit të vjetër.
* Në vitet 169 para Krishtit, Polibi thotë se Pauli (konsulli romak Paul Emili), pasi theu dhe rrënoi maqedonasit e Perseun , shkatërroi 70 qytete të epirotëve (shumica e këtyre kanë qenë të molosëve). Si gjurmë të këtij qytetërimi të lashtë në Jug, Teopompi përmend 14 fiset më të dëgjuara të Epirit, të parët kaonët e më pas molosët, “për shkak të fisit mbretëror (ishin këta ajakidë ) dhe për shkak se në vendin e tyre ishte faltorja e Dodonës, e vjetër dhe e dëgjuar”. Autori përmend ndër to limanin e Panormit, liman i madh midis maleve Keraune (Palermoja e sotme.) dhe Onhesmin (Saranda e sotme), që gjendet përballë Korkyrës. .Më poshtë gjendet limani Kasiope. Pastaj vjen Poseidi dhe Buthroti, në grykën e limanit të quajtur Pelod.
* Emri i pellazgëve të Epirit kishte dalë jashtë përdorimit përpara se të zëvendësohej emri pellazg me emrin alban, në qytetin Alba të ndërtuar nga Eneu. duke dalë jashtë përdorimit emri pellazg në Epir u zëvendësua me emrin epirot.
* Epirotët molosë patën për sundues Pirron e Neoptolemit, birin e Akilit, pasardhësit e tij nga Thesalia.Të tjerët sundoheshin nga vendësit.
*Dodona, në kohët më të vjetra, ishte nën sundimin e thesprotëve, ashtu edhe mali Tomar ose Tmar (se të dy emrat përdoren)… më vonë u vu nën sundimin e molosëve. (Straboni. “Gjeografia…”VII.11)
* Në fillim ata që profetizonin ishin burra; ndoshta këtë do të thotë edhe poeti i cili i quan ata hypofetë, duke vënë në një radhë me ta dhe profetët. Por më vonë u zgjodhën tri plaka. (Straboni. VII.12.)
*Aty nga fundi i shekullit të 13-të para Krishtit, i biri i Eneut, Askani, ndërtoi një qytet të ri të cilin e quajti Alba -Longa…Banorët e Alba -Longas ishin banorët e Laviniumit dhe banorë të Albas, ndërtuar prej Eneut, domethëne, ishin: pellazgë, arkadas, elej dhe trojanë. Më vonë banorët e Alba -Longas u quajtën albanë. Roma ndërkaq u rrit nga gërmadhat e Albas, prijësit të albanëve. (Tit Livi ).