Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: “Ligji dhe Maliqi”

 

Xhoi Jakaj

 

A jemi popull i bindur ndaj shkopit apo ndaj ligjit, sa i zbatojmë detyrat dhe sa kërkojmë të drejtat tona…

Pyetje që na mundon shpesh në kohërat që jetojmë ku tundemi e shkundemi nga termetet, viruset dhe ligji i shkruar e i miratuar nga ligjvënës listash që as na kanë përfaqësuar ndonjëherë?!

Shumica e ligjeve aprovohen në proces të drejtë dhe transparent, sidomos në nivel të Kuvendit.

Por janë disa ligje të cilat prekin interesat personale të ligjbërësve dhe personave të fuqishëm e procesi i bërjes së këtyre ligjeve është në kundërshtim me parimet demokratike të ligjbërjes.

Këto ligje bëhen për interes të ligjbërësve. E pastaj në dorë të ‘maliqëve’ një e lwmojnë e një e godasin… dhe nga këto raste ka plot të tilla…

Po le t’i kthehemi ligjeve në histori.

Doktrina e Tolerances i referohet një postulati se të gjithë njerëzit kanë pikëpamjet e tyre dhe duhen respektuar për këtë.

E megjithë ligji është një, por format e intrepretimit të tij janë të shumta. Sipas kësaj doktrine, të gjitha filozofitë, fetë dhe të gjitha mendimet, janë njëlloj të vlefshme dhe nuk kanë asnjë hapësirë të mundshme për të gjykuar njëra – tjetrën si moralisht superiore apo jo.

Por pavarësisht kësaj, jemi më se të ndërgjegjshëm se interpretimi i kësaj doktrine bëhet në mënyra të ndryshme edhe duke shkelur disa nga parimet e saj bazë, interpretime që jo rrallë herë edhe shkelin e nëpërkëmbin të tjerët.

Për të shmangur kaosin që do të krijohej nga gjithë kjo amulli, shoqëria fatmirësisht ka hartuar një sistem rregullash për t’u zbatuar nëpërmjet institucioneve sociale apo qeveritare që rregullojnë sjelljen që janë LIGJET.

Ligjet si sistem, ndihmojnë në vendosjen e rregullit dhe sigurojnë që shoqëria të funksionojë mbi bazën e respektit e barazisë për anëtarët e saj. Pavarësisht funksionit primar që ligji ka, historia ka treguar se ligjet vazhdimisht janë shkelur nga individë të caktuar, ndaj edhe ligji ka një tjetër funksion atë ndëshkues (frenues) e rehabilitues.

Sigurisht shkeljet kanë edhe ndëshkimet përkatëse. “Sy për sy e dhëmbë për dhëmbë” shkruhej dikur në doktrinat hebreje!

Kodi më i hershëm i shkruar për rregullimin e marrëdhënive njerëzore daton 2100 para Krishtit nga Ur-Nammu, mbret i Urit, një qytet shtet i Lindjes së Mesme.

Tre shekuj më herët Hammurabi, mbret i Babilonisë, kishte arritur të krijonte një sistem të mirëfilltë ligjor që rregullonte sjelljen, biznesin dhe precedentët ligjorë, nga të cilat 282 nene kanë mbijetuar deri më sot.

Siç dëshmon historia botërore, ligje për rregullimin e sjelljes që kanë të bëjnë me respektimin e çdo individi ka patur gjithmonë por po të bësh një rishikim të historikut të ligjeve do të vësh re se ndoshta në kohën e Hammurabit ky respekt ishte në një nivel më të lartë e jo gjithmonë i bazuar në interes ndaj tjetrit…

Po në Shqipëri kur filloj të respektohen të drejtat e njeriut krahas zbatimit të ligjeve kushtetuese.

Po ju sjell ndërmend që në 1992-1996 parlamenti kishte deputet të mirëshkolluar, gati si në perëndim që patën prirje të vendosin amendamente kushtetuese të shpejta në zbatim të ligjit dhe ka qenë një parlament efikas në ndërtimin e ligjeve të shkruajtura në kushtetutë; pastaj ndër vite parlamentarët ndryshuan dhe u përshtaten vazhdimisht sipas “njëshit” dhe kartonat përdoreshin për të bërë ligje për masën dhe për të zhbëra ca të tjera që nuk i shërbejnë “Partisë-shtet të radhës”.

Po sot?! A ka ligje dhe vallë zbatohen ato?!…

Të gjithë flasim me zë të lartë ligji. Kushtetuta, moszbatimi, uzurpimi nga gjykatat i pushtetit ligjor në shërbim te shtetarëve e po këta të fundit flasin përsëri pafund e me zë të lartë në tribunat e tyre politike për korrupsion të prokororëve e gjykatësve, të cilët as vetingu nuk i frenoi e as nuk i spastroi, përkundrazi i la sërish sepse u pozicionun me partinë në qeverisje.

Atëherë popullit të thjeshtë natyrshëm ju lind pyetja: Kush i bën ligjet? Cili i shkel ato? Kush i ndëshkon shkelësit e ligjeve?

Një nga dënimet që jepet kur ligjet shkelen është heqja e lirisë dhe burgosja në institucione përkatëse e presupozohet se këtij ndëshkimi nuk ‘shpëtojnë’ dot asnjë, por në momentin e paraqitjes para gjykatësit nuk jemi të barabartë para ligjit, thuhet teorikisht se jemi të njejtë para ligjit si para zotit, por kjo nuk ndodh kurrë në Shqipëri.

Për një vend si Shqipëria, respektimi i të drejtave të njeriut vazhdon ende të konsiderohet si një ëndërr e bukur – jo se të drejtat nuk respektohen, por se tranzicioni që po koklavit prej 3-dekadash shqiptarët, i bën ata skeptikë,  edhe shkelja e të drejtave të tyre vazhdon e ndodh po në emër te ligjit.

Është thelbësore që të gjithë të kemi një culture, të respektojmë individualitetin dhe dinjitetin njerëzor, të dëgjojmë me vëmendje dhe të jemi respektues të ligjit që pastaj të kërkojmë të drejtat tona.

Sa me të respektuara të jenë të drejtat e njeriut, aq më demokratike është shoqëria, aq më mirë zbatohet ligji i shkruar dhe ai njerëzor; vendi ynë ka ligje perfekte, i zbatojme apo jo ky është thelbi i një shteti demokratik. E nëse jo, kush është përgjegjësi kryesor?! Në realitet shtetet të cilat nga jashtë duken si shtete demokratike, nga që kanë kushtetutë, parlament, organe gjyqësore, organizojnë zgjedhje, ligjet më shumë i shfrytëzojnë për përfitime personale. Shkurt kemi “shtete të Maliqëve…”.

Dhe ligji kur gjendet në dorën e “Maliqit”mund të godas fort ose butë në varësi të personit tek i zili zbatohet ai !

Please follow and like us: