Albspirit

Media/News/Publishing

Balil Gjini: ‘Nisemi’, libri i ri me poezi i Krenar Zejnos

No photo description available.

Nisemi!

E shikojmë këtë titull. Nëse çdo libër është një koshere që gumëzhin nga bletët e fjalëve, atëherë titulli është matka mbretëreshë. Gjithë luzma e pafund e bletëve janë vënë në punë për të lindur mbretëreshën, për ta ruajtur dhe për t’u kujdesur për të. Gjithë fjalët e librit zhurmojnë, shtyjnë njëra-tjetrën, diskutojnë me pasion si në një aeropag, për të zgjedhur mbretëreshën e tyre: titullin. E shikojmë këtë titull, këtë fjalë-matkë, shikojmë krahët dhe këmbët e saj gjithë polen lulesh.

Nisemi!
Fjala është në urdhërore. Por nuk është një urdhërore kategorike, e prerë, përkundrazi, disi mëdyshëse, nguruese. Këtë ngjyrim ia jep mbase ajo pikëçuditëse e ngulur si ushtë mu në fund të saj. Është nga rastet e rralla kur një shenjë e tillë e le rehatinë e klisheve ortografike dhe vjen e bëhet shënjuese kuptimore. Por kujdes! Mua më duket se nuk është një shënjese e drejtpërdrejtë, përkundrazi, ndonëse armët i ka marrë tek kështjella gjuhësore ku banon, këmbët dhe trupi i saj shënojnë tjetër gjë. Ajo bëhet shenjë trafiku automobilistik, pikëçuditësja e famshme me ngjyrë të kuqe në rrethin e bardhë, që kërkon të tërheqë vëmëndjen për një kthesë, një të papritur, një befasi. Është cok ajo që i vë shpatullat forcës së foljes nisemi dhe ia pret hovin e vrullin.

Nisemi!
Folja është në numrin shumës. Vetvetiu kemi një refuzim të unit, i bërë aq ndot e pis në pothuajse gjithë poezinë tonë, sa, pothuajse s’ka më lumë Jordan që t’ia heqë baltën e llurbën. Është zgjedhur Ne në vend të Unë. Por ky përemër, që ka veç dy shkronja, aq sa mund të duket si bishti dhe mbulesa e një çadre plazhi dyvendëshe, në fakt nuk është i tillë. Brenda kësaj fjale vërtet mund të rrinë dy veta – autori me të dashurën – por mund të rrinë edhe shumë e shumë tjerë. Madje më shumë se njerëz, në të mund të rrinë sende, shenja e kumte granatikore, dhe është bash atyre që autori (duke i mjaftuar vetvetja) iu thotë të bëhen gati të nisen së bashku me të.

Nisemi!
Në fakt ishte njëlloj sikur të thoshte: ikim, largohemi, rrjedhim tutje. Dhe vetvetiu gjejmë burimin: panta rei (gjithçka rrjedh), togfjalëshin e famshëm të Heraklitit. Pastaj më tej. Unë e dua gjithçka që rrjedh, madje edhe fluksin menstrual që mbart me vete vezë të pafekonduara, thotë Deleuze, duke iu referuar Millerit. Kjo mënyrë të rrjedhuri, të ikuri, i merr me vete klishetë dhe steriotipet e vjetra dhe gërryen e thellon shtratin e vet. Në fakt edhe në librat e tjerë Krenar Zejno këtë ka bërë: ka krijuar një shtrat të vet poetik, të ashpër, gjithë zaje të zinj dhe ngjira rrufullitëse. Lexuesi, po deshi, është i mirëseardhur të shikojë reflekset e lëbyrjet estetike të këtij lumi…

Please follow and like us: