Bejdo Malo: Fytyra e vërtetë e “virusit” dhe kronikanët e zinj
Bejdo Malo*
Kush nuk është dakort me mendimet e Edi Ramës ështe “virus” për prokurorinë e drejtuar nga Kraja. Kështu të paktën sipas të ashtuquajturës gazetare të kronikës së zezë, që pasi mbaroi punë me dosjet e veriut të Shqipërisë, pasi gërmoi si Tarja për qenin e ngordhur (roli i famshëm i Kadri Roshit), dosjet e 97-ës për të kënaqur ata që di ajo, tani krijoi dhe dosje për 10 analistë dhe gazetarë.
Një gjë është thelbësore: Të gjitha ata që kanë qenë në unison të plotë me atë çka ka bërë Edi Rama dhe kanë aq shumë lekë sa të rrojnë pa punuar tërë jetën e jo më të rrinë mbyllur në shtëpi tre ose katër muaj. I trishtë është fakti se sipas kësaj të ashtuquajtur gazetare të kronikës së zezë të gjithë duhet të jemi armatë e Edi Ramës dhe të zbatojmë parrullën: “Popull-ushtar, vigjilent e revolucionar”. Kam filluar të dyshoj se shumë nga ato që bën kjo gazetare nuk i kupton fare, pale në atë emision që kjo i servir s’i kupton e s’i kupton dot.
Një nga kolegët e mi i quajti shtjeska të gazetarisë, pasi disa vite më parë këto u sponsorizuan me miliona që të dilte nga burgu një vajzë që me automatik në dorë kishte vrarë të dashurin e pretenduar, pa iu dridhur qerpiku fare duke zbrazur si marins plot një karikator. Unë jam kundër këtyre kolegëve që i quajnë shtjeska. Për to kam vetëm lutjen: Fali o zot, se ato s’dinë çfarë bëjnë!
Ky grup me ngjan me ato urithët e levave të partisë, dmth të Frontit Demokratik, të Bashkimeve Profesionale dhe të Rinisë, të kontrollit puntor-ushtar-fshatar që spiunonte çdo njeri që ish kundër pushtetit; të njëjtën gjë bëri edhe për ata që ishin kundër tërmetit. Qëllimit ia arritën. Falë këtij kallëpi nja tre dosje hetimore u hapën, një vajzë u arrestua dhe dy juriste u shpallën në kërkim. Tani duan të shpallin 10 në kërkim.
Dikush më tha e bën ai i prokurorisë se ka qenë hetues. E kundështova ashpër. Jo kurrë. Ai përsëri u hodh në kundërsulm. Po, tha ai, me krijimin e strukturave të reja dosjet hetimore nuk do ishin më letra bakalli që do të dilnin faqe për faqe si ato fletë-rrufetë maoiste nëpër stendeat e propogandës së mitrës së kuqe të komunizmit në çdo qendër emulacioni, në çdo ndërmarrje e qendër qyeti.
(Dikur në Përmet i vunë një fletërrufe një personi që dyshohej si kulak dhe për shkak se derën e tualetit e kishte bërë më të hijshme se portën e shtëpisë, ia vendosën atje. Dhe i shkreti ‘kulak’ shkroi vargjet lapidare: Ngrihem herët në mëngjes/O i ziu ku të dhjes/Mu te dera e halesë/Nxinte fleta e rrufesë).
Tani po ndodh akoma më keq. Sekreti hetimor del pa gjë të keqe në të gjitha organet e reja të drejtësisë, pas reformës në drejtësi del mot a mo pa mbushur ora nëpër media. Nënkryetari i një nga tre partive më të rëndësishme në Shqipëri, që del rrallë në television, më tha dje se para heshtjes e mbylljes vdekësore të Covid-19, para 22 ditësh më morën në pyetje në prokurori për një çështje hetimore delikate. Po si o gazetar, më tha, pa mbërritur në shtëpi gjithçka kishte dalë në çdo televizion e portal. Po unë e prokurori ishim vetëm në zyre. Unë s’kisha folur.
S’të besoj, i thashë, Ministri i Brendshëm ka vendosur rregulla për sekretin, asnjë sekret s’del pa mbushur dy orë.
Jo, më tha politikani, deputeti, ish-ministri, tani mendoj se janë shqyer fare dyert e sekretit.
Ta besoja bela, të mos ta besoja prapë bela. Pastaj u mendova. Unë gazetar jam. Dhe kjo punë është ai ajo fjala e urtë. Të pështyj lart të bie në fytyrë. Të pështyj poshtë të bie në gjoks. Ndaj përtyp përshtymën tënde.
Po le të kthehemi tek agumenti themelor. Unë hyj tek ata që aktualisht mendoj shumë, ndryshe nga kryeministri, tërë qeveria, tërë deputët e paralamentit, përfshi edhe ata lapangjozët e opozitës, që janë brenda si pashallarë në shtëpitë e tyre dhe rrinë me kokë në frigoriferët sa faqeja e murit, mbushur me qengja, keca të paprerë; unë mendoj ndryshe dhe nga lideri i opozitës, mendoj ndryshe katërcipërisht nga shumë portale, kolegë dhe analistë-agallarë. Mendoj dhe pro dhe kundër hetimit të Olsi Jazexhiut. Natyrisht kush përhap pani duhet të përgjigjet para drejtësisë, në bazë të provave, por kjo nuk duhet të pengojë shprehjen e mendimit të lire, që është në themel të demokracisë. Dhe për këtë duhet të shkaktoj “virus” që duhet të kem një dosje hetimore në prokurori.
Të gjithë me thonë: Qepe, mbylle gojën. janë të fortë këta. Ata që kam pasur idhull në gazetari, tani më thonë: Ky është kryeminsitri im, më këtë që bëri për shumë kohë do mbretërojë, s’do iki më e të tjerët dhe pallavra si këto kur deri dije kanë vjellur kundër këtij njeriu.
Atëhere ju pyes: Cila është fytyra e vërtetë e këtij “virusi”? Ata që helmojnë këtë opinion. Apo unë që hyj tek ata që mendoj ndryshe. S’kanë lënë video të manipuluar në çdo portal botëror pa e servirur si vlerë. Zoti na mbajtë mendjen. Le që ku kemi zot ne. Gjysma e gazetarëve dhe analistëve ishin pjesë e asaj armatë që më 7 shkurt 1967 morëm kazma e lopata dhe shkatërruan çdo objekt kulti. Ndërsa këta që janë të moshës 30-53 vjeçare kanë lindur pa zot fare. Pas këtyre 22 ditëve kënga që më vjen ndërmend është e shkruar nga një bektashi i mençur përmatar: O teqeja mbi Cmokthinë/më març hakën o allah/si do bëjmë unë e tinë/na ngelën plaëkat në krah.
3 prill 2020.
Autori është moderator i emisionit politik më të ndjekur në hapësirën shqiptare, sipas ‘Gallup” dhe ‘Reporterët pa kufij’.