Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Emiri: Unë, vjedhësi i librave! 

Shënime për triptikun me vargje satirike të Shpëtim Emirit - Albspirit
– Kryeinxhinieri i ndërmarrjes, Shpëtimi, na ka vjedhur librat!!! – qarkulloi befasisht si deklaratë përcjelljeje në ditët e largimit tim, si të ishte një lloj përshëndetje, kod i ri, “falënderim” për kontributin tim njëzet e një vjeçar në ndërmarrje. Dhe mbeti deklarata e përfolur në një rreth të mbyllur, mes atyre që e artikuluan fillimisht. I zoti, “hajduti”, domethënë unë, kur më mbërriti në vesh, më la me gojë hapur. Ç’të ishte kjo? Rrufe në qiell të hapur. Hajdut?! Për të qeshur e për të qarë. O Zot! Duhej kohë për të mbledhur veten.
Dalëngadalë, ngaqë nuk kish asgjë të vërtetë në atë shkreptimë, ditës me diell, gjykova se ishte i tepërt shqetësimi, sidomos kur m’u bënë të ditur cilët ishin “perënditë” që kishin lëshuar rrufenë. Ca më pak i kushtova rëndësi korit të disa ndjekësve të vobektë.
Prej katër vitesh kryeja detyrën e kryeinxhinierit të ndërmarrjes. Mua, direkt, nuk erdhi askush të më thoshte, qoftë dhe një fjalë, për atë që mërmëritnin pas krahësh, bile as kur unë kaloja para tyre me “presh në duar”, me librat që po i transferoja nga zyra për në shtëpi. Më linin të kaloja, nuk më afroheshin, si të kisha marrë me vete bërthamën e një rrezatim radioaktiv vdekjeprurës. Ishin librat! Fuqia magjike e tyre. Aq sa të afrojnë, po aq të sikterisin ato!
Situata e përgjithshme e atyre ditëve, në vitin ‘91, ishte tmerrësisht e tensionuar. Kish rënë Muri i Berlinit. Ra gjithë sistemi komunist në Evropën Lindore. Shteti ynë, si gjithmonë i fundit, këtë radhë mund të mburrej me vonesën e rënies në gjunjë. Ashtu, e përgjunjur, qeveria nxori vendimin për asistencë një vjeçare, gjysmë page, për gjithë punonjësit në shkallë kombëtare dhe njëherësh miratoi ligje që lejonin dhe stimulonin krijimin e aktiviteteve private për t’i shpëtuar asfiksisë totale, sidomos mbas asistencës, domethënë, “Shpëtoni kokën, se unë ika!”. Ekonomia shtetërore e përqendruar kish dështuar. Sipas orientimeve që dha në grahmat e fundit kufoma e pushtetit, po krijoheshin këshillat drejtuese nëpër ndërmarrje me idenë të vetëdrejtonin aktivitetet me forcat e tyre në rrethanat e reja të panjohura … Shteti nuk do të planifikonte më investime, pra mbështetja financiare dhe furnizimi me lëndë të parë bëheshin zero.
“NNI Fier”, ndërmarrja ku unë kisha punuar qysh kur mbarova fakultetin e inxhinierisë, në vitin 1970, ishte ndërmarrje e specializuar kryesisht për ndërtimet industriale dhe realizoi punime ndërtim-montimi të pazakonta, speciale, vepra me teknologji perëndimore e lindore, me vështirësi të shkallës më të lartë: 4 oxhaqe betonarme (b/a) me lartësi deri 100 metër, 5 freskore (b/a) me konfiguracion parabolik e lartësi 56 m, 2 kullat (b/a) të granulimit me lartësi 64 m, mbi 40 furra e kaldaja industriale(konstruksion metalik me veshje të brendshme zjarrduruese), 2 mbulesa kupolë (b/a) me hapësirë 32 metra, mjaft godina (b/a) industriale të komplikuara me hapësira e lartësi të mëdha, mbulesa të holla 3-4 cm, armocementi, me hapësira deri 18 m, punime antiacide, punime antibazike, rrjete inxhinierike të komplikuara nëntokësore e ajrore, si dhe godina banimi, sociale e të tjera …
Aktiviteti i kësaj ndërmarrje ishte shtrirë në disa rrethe.

Fier – Uzina e Azotikut- 340 T/ditë – teknollogji Italiane, TEC-i 100 MW-tekn. Kineze, plus Shtesa 60 MW- tekn. Çeke, Rafineri Nafte, Uzina e parë e URE-së – 240 T/ditë – tekn. Kineze, Uzina e dytë e URE-së – 240 T/ditë – tekn. Kineze, Industri Ushqimore- tekn. Gjermane, Hungareze, Ind. Blegtorale, Ind. Artizanale, banesa, institucione e të tjera.

Ballsh – Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës me kapacitet 1.200.000 ton/vit- tekn. kineze, Ujësjellësi i Poçemit 700 l/sek – 12 km. TEC-i 24 MW- tekn. kineze, Uzina e Vajrave Lubrifikante – 30 000 T/vit – tekn. Rumune, Impianti i gazit- 1.5 milionë m3/ditë – tekn. Belge, ndërtim komplet i Qytetit të Ballshit e të tjera.

Vlorë – Uzina e Sodës – dyfishim kapaciteti, Uzina e PVC –tekn. Italiane.

Berat – Në Kombinatin e tekstilit –Rep. i Filaturës- tekn. franceze, Rep Ngjyrosjes- tekn. Rumune.

Elbasan – Metalurgji (Uzina e Tullave Refraktare – 100 000 T/vit – tekn. Kineze).

Sarandë – Fab. tullash Hofman, pallate banimi Lukovë, Ujësjellësi Ksamil.

Përmet – Fabrika tullash tip tunel.

Pra ishte një ndërmarrje e fuqishme, e specializuar dhe me shumë eksperiencë.
Detyrën si kryeinxhinier, detyrë me mjaft përgjegjësi, sidomos për nivelin e asaj ndërmarrjeje, ta themi pa pirë, ma dhanë me miqësi. Them, me miqësi, se me drejtësi, troç muhabeti, mua nuk më takonte! Bile miqtë nuk e patën fort të lehtë të më ngrinin. Atë, vlerësimin maksimal në diplomë dhe cilësimin “I DALLUAR” në të, nuk e dinte njeri tjetër veç meje dhe, ndofta, shefi i kuadrit ku depozitoheshin dokumentet personale në momentin e pranimit në punë. Deri në vitin ‘87, kur do më ngrinin në përgjegjësi, kishte kaluar kohë e gjatë, ishte harruar. Ato, vlerësimet ambulante nga punonjësit, si inxhinier “i zoti” apo inxhinier “me eksperiencë” etj., kam përshtypjen se qarkullonin dashamirësisht për gjithë inxhinierët.
Mirëpo, siç e thotë fjala e urtë, “Miku është budalla!”, vjen e ta zë derën, kur nuk ia ke ngenë e as oreksin. E me këto, mendtë e mikut, shkojnë e i zënë derën në shtëpi Haki Toskës (ish anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë) Farudin Hoxha, ministër i ndërtimit dhe Varvara Zogu, drejtoresha e drejtorisë së kuadrit të ministrisë.
– Mendojmë të vendosim në detyrën e kryeinxhinierit në një nga ndërmarrjet më të mëdha të ndërtimit filanin, por dokumentet biografike të familjes nuk e lejojnë …
E lexoi dokumentin biografik ai. Ishte në dijeni, me shumë gjasa edhe miratues, i burgosjes politike të Alizot Emirit nga viti 47 në 52, por përgjigja që iu dha dy miqve në fund të bën të besosh se nuk ka qenë aspak dakord me të pavërtetat shkruar për qëndrimin ndaj pushtuesve, si dhe sajesat e pakapërdishme që e nxinin plotësisht biografinë, firmosur nga organizata bazë e partisë e lagjes Palorto, prej nga ishte dhe ai vetë.
– Ju shikoni djalin, se për atë familje e mbaj unë përgjegjësinë…! – i këshilloi dhe i garantoi i Madhi, që lëshonte hije edhe mbi organizatat e partisë. Hakiu, në moshë të thyer, i dalë në pension me këmbënguljen e vet, ka mundësi të ketë kaluar në sitë jetën, përfshirë dhe shfaqjet e ekstremizmit, egërsinë e diktaturës dhe të ketë përjetuar përgjegjësi e ndofta dhe faj para Zotit (të mohuar) për ç’kishin marrë më qafë, individë e familje, dhe mund të jetë ndodhur në gjendje reflektimi njerëzor, e ndofta edhe në një lloj pendese. Për fat, pra, u kapërcye me kontaktin e parë kjo pengesë, por përpara ishte tjetra, “Rrethi”. Dhe Fieri nuk e hante sapunin për djathë. Vetë sekretari i parë, njëherësh anëtar i Byrosë Politike të …, “shoku” Pali, që ish vënë në dijeni,  kërkoi mendim për biografinë e familjes Emiri nga Resul Zani, djalë Gjirokastre, bashkëlagjas në Palorto, në atë kohë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Përmetit. I kënaqur që iu kërkua mendim, Resuli i bëri të ditur kush ishte opinioni i përgjithshëm qytetar për atë familje dhe vlerësimet reale për kontributet e saj para, gjatë dhe pas pushtimit.
Unë nuk dija asnjë gjë nga këto dhe kur më komunikuan emërimin e ri, m’u duk e çuditshme, hezitova. Kisha parasysh se çfarë sikleti kaloja, vit për vit, kur bëheshin propozimet për dekorimin e punonjësve në veprat e mëdha të pesëvjeçarit. Herën e parë, të them të drejtën, u ndjeva mirë kur, në mbledhjen e kolektivit të kantierit në Ballsh, ndërtuesit numëruan arsyet, pse meritonte të vlerësohej emri im. Vitet e tjera, kur bëheshin propozimet, rrija si mbi gjemba. Plagë e hapur! Nuk gjeja dot ndonjë mundësi t’i frenoja dashamirësit. Kur ndaheshin dekoratat e miratuara bënte përshtypje e përflitej nën zë pengesa biografike. Por kish edhe ndonjë, mes komunistësh, që kundërshtonte. Si ka mundësi? Atij partia i ka dhënë shkollë, e ka bërë inxhinier, i beson të drejtojë në veprat e pesëvjeçarit … Por nuk mungonte përgjigja. I ka boll aq! I ka dhënë më shumë nga ç’i takon. E di Partia më mirë se unë e se ti. Të jep, të jep, po i fut edhe një indietro ajo! Ehuuu! E njeh mirë Partinë ti, apoo …?!
– Ju faleminderit shumë për vlerësimin, por mos shkelni në dërrasë të kalbur! – i thashë drejtoreshës, sapo më komunikoi vendimin për emërimin tim. Mos ju marr më qafë edhe ju …, se, dihet, për çdo avari a defekt në ndërmarrje, unë kapem i pari …
– Jo! Tani do të jesh edhe më i besuar dhe më i mbrojtur …  – më qetësoi ajo, një grua zonjë nga Zagoria. Nuk e zgjata. Ç’ta zgjasja? Të të ngrinin rrogën e të bëje naze?
Ja pra dhe miqësia! Dy anëtarë të Byrosë Politike, një ministër dhe një kryetar komiteti, përveç drejtoreshës, miratonin ngritjen time në detyrë. A ka pas kush miq më të mëdhenj se miqtë e mi?
– Të zë sitë, t’ua mohosh nderin! – të thonë në Gjirokastër.
Më shumë se çdo gjë, nga kjo ngritje në detyrë, mua më pëlqeu pikërisht rritja e pagës, sepse pjesë të asaj detyre unë i kryeja edhe pa u emëruar, thjesht nga pozicioni i përgjegjësit të kontrollit teknik të punimeve për ndërmarrjen, si dhe nga eksperienca e gjatë, për të cilat unë ndihesha mjaft i vlerësuar moralisht. Mendimin për pagë një çikë më të lartë e kish çdo njeri në atë kohë. Si gjirokastrit nuk kish pse ta kisha më të theksuar, por, sidoqoftë, nuk guxoja ta shfaqja se mund të më hidheshin në kokë: Uaaa! Po edhe ti, mo? Ç’e duan gjirokastritët rrogën më të lartë. Tepër i kanë dhe aq sa marrin, sikur u harxhuan me qerasje …
Bukur! U zgjidh pengesa e biografisë, po ama, “ju shikoni djalin”, ua kish varur këmborën në qafë ai i pari. Nuk dija kë kishin pyetur për mua*2. Veç, qe koha kur në Shqipëri, nga vitet 80, qenë bërë emërimet më të habitshme. Vetë Partia, udhëheqësja e të gjitha fitoreve të korrura për gati dyzet vjet, deri sa mbërriti në buzë të greminës, ngriti nga hiçi e i ngjiti në majë për të drejtuar më tej vendin pikërisht ata e ato që ia garantonin rrokullimën, “objektivin”.
Mor, po ku i gjente, xhanëm?!
Ngriti nga balta e arave kooperativisten e dalluar në mjelje dhe e bëri anëtare të byrosë politike, ngriti një shofer diku nga Puka dhe e bëri anëtar të byrosë politike e ministër të industrisë, ngriti një saldator dhe e bëri anëtar të byrosë politike e sekretar të Komitetit Qendror pas Njëshit, Enverit, ngriti një karrocier nga Shkodra, ngriti një… (Në parantezë: Nuk është çudi, po te ky akt i “forcimit”artificial të Byrosë politike mund të kërkohen edhe rrënjët e vjedhjes së votave, ves i kthyer fiksim në politikë, aq sa të vidhen vota pa pas kundërshtarë në qershor 2019!) Ja pra, në këtë atmosferë rilindjeje të partisë, kur zbulonte e nxirrte “floririn” nga hiçi, më në fund e ndau mendjen e më ngriti edhe mua drejt e nga pluhurat e kantiereve! Nuk kish nevojë të ngrinte më njeri tjetër në drejtim. I vuri kapak!
Unë, i zbuluar dhe i nxjerrë në dritë në këtë atmosferë, e quaj të tepërt të tregoj se sa i zoti isha! Le ta vlerësojë vetë lexuesi! Unë jo se jo, nuk e dija hiç se isha ai që isha, bile po krijoja bindjen se nuk e njihja mirë veten …

Dhe, që t’i kthehemi muhabetit aty ku e nisëm, se për këtë u zgjata deri këtu e do t’u lutem, të më falni, po ju rikujtoj se pikërisht për mua, për “figurën” time të asaj kohe, u hodh baltë me atë deklarimin “na ka vjedhur”, domethënë: Hajdut! Po, po, hajdut, hajdut librash! Dhe tani që ju po më njihni mirë, a e kuptoni se ç’përmasa merrte vetiu kjo damkë? Të mos kish qenë Shqipëria e rrethuar nga armiqtë, mund të quhej skandal ndërkombëtar!
Po, le ta marrim shtruar. Kush po më damkoste?
Në vitin 90, bashkë me sistemin ranë dhe maskat. U shfaqën tipare e vese të ndrydhura, që mezi prisnin të shpërthenin tek tuk. Lakmia për të kapur poste drejtuese nxori kokë edhe tek “NNI Fier”-i. Nuk mund të duronin më në krye të ndërmarrjes një të ardhur nga larg e, aq më keq, nga Gjirokastra. Mjaft më me gjirokastritë në krye! Na mbytën diktatorët!
Ç’kishin qenë me pushtet në të gjitha kohët, këtyre anëve, po ia faturonin Gjirokastrës. Edhe përpara Enverit! Po rikujtoheshin bejlerët me bëmat e tyre, sikur të kishin qenë të gjithë gjirokastritë. Dakord, njësoj e dinim edhe ne, ashtu si na i kishin mësuar nëpër shkolla, se belerët ishin injorantë, xhahilë, gjakpirës… por këta të Myzeqesë paskëshin edhe një havale më shumë, atë daljen për gjah rosash nëpër zhukat e kënetës. Me çiften në duar, hipur në qafë të fshatarëve të fuqishëm …! Nuk di pse s’mund ta përfytyroja të tillë një gjirokastrit dhe më mbiu në mendje justifikimi. Atë, të hipurën në qafë fshatarëve, në e kanë bërë, e kanë bërë nga e keqja, gjirokastritët nuk dinë not!
Vetë unë nuk ndihesha lakmitar për pushtet, por nuk më kujtohet në se ky mendim më ka ardhur pasi hipa në “pushtet”, ndaj fillova të dyshoj. Po të mos isha, përse nuk e kundërshtova me forcë ngritjen time në detyrë, po u grica me një kundërshtim sa për të thënë, e më pas miratim e falënderim, sapo ma propozuan? Dhe do kisha mbetur qejfmbetur me veten po të mos isha vënë në një provë tjetër. Po atë vit, në 91-shin, ndofta shtator, u thirra në Fier nga D. Mezini, deputet i PS-së dhe ministër i industrisë dhe energjetikës, i shoqëruar nga sekretari i parë i KP Fier, B. Jaupi, deputet, dhe m’u komunikua propozimi për të marrë detyrën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Fier, duke theksuar se kandidatura ime ishte e miratuar nga të gjitha palët, edhe nga Partia Demokratike. (Me të dy propozuesit njihesha dhe kisha shumë respekt. E vazhdoj miqësinë me ta!)
U befasova! Ishte krejtësisht e papritur kjo lloj oferte për mua. Megjithatë i falënderova, por, pa asnjë mëdyshje, refuzova. Vendimin e kam gjykuar të drejtë edhe më vonë. Ndryshe, më pas, në se nuk do të më shkarkonin nga detyra e lartë e kryetarit të një rrethi të rëndësishëm, me siguri do të kërkoja dorëheqjen. Nuk mendoja dështimin në punë. Eksperiencë organizimi, drejtimi e menaxhimi kisha fituar mjaftueshëm, por nuk do të bëja dot politikën, luftën e re të klasave … Do më duhej të persekutoja, të pushoja nga puna të gjithë anëtarët e partisë së punës, (apo të partisë socialiste, siç u vetëpagëzua atë vit), bile edhe ata që, pa e rrahur gjoksin, më kishin përkrahur sa herë më krijoheshin vështirësi nga biografia. Do të kishte qenë një punë tejet e shëmtuar për mua. Shpëtova!
Me sa duket, ndjenjën e karrierizmit e kisha të shuar herët në qenien time, apo, më saktë, ishte një ndjenjë e palindur dot tek unë. Në moshën që mund të lindte unë isha ndërgjegjësuar për kufizimet që rridhnin nga ç’ishte shkruar (shkarravitur) mbi biografinë politike të familjes. Mbijetesa me dinjitet mbetej i vetmi objektiv. Zoti, sikur ta dinte, ma kish dhënë me firo agresivitetin apo sjelljen autoritare, ndërsa tek paja e Gjirokastrës, qesëndia miqësore, nuk kish vënë dorë. Më mjaftonte!
Ky autoportret, i qëndisur për qejf, mund të mos jetë fort i ngjashëm me atë që shihnin sytë e të tjerëve. Ndryshe, ku e gjetën arsyen dhe kurajën të më përbaltnin një ditë të bukur, qoftë edhe mbas krahësh, kolegë të mi të punës, deri dje vartës të mi në detyrë?  Kjo fillimisht më bëri të mendoj se mund të isha unë shkaku, fajtori. Mos vallë ishte një lloj shpërthimi i pakënaqësive, deri në urrejtje, që mund të kisha krijuar unë tek ata? Mos e kisha tepruar me atë dreq qesëndie? Se ajo e shkretë të merr në lule, nuk qëllon në tule! Veç, ky dyshim imi mendoj se i rëndon më shumë ata. Gjithë sjellja e tyre e mëparshme me mua, pa asnjë përplasje, pa ndonjë konflikt, pa vërejtje, buzagaz, do të ishte dëshmia e një maske shumëvjeçare pas së cilës fshihej shëmtia që po prezantonin. Ndaj më shumë do t’i mëshoja një arsyetimi më të thjeshtë. U ish ngjallur dëshira për pak pushtet, ngritje në përgjegjësi, ndonjë post dhe, konkretisht, në këtë qëndrim të tyre të papritur ishin ekspozuar thjesht mjetet për të arritur qëllimin.
Si ndër inxhinierët më të vjetër në ndërmarrjen e mbetur në mes të katër rrugëve, hodha në opinion idenë e mbijetesës aktive të saj, duke ndarë kantieret si njësi ekonomike të veçanta, që mund të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, por secili të përpiqej të gjente punë vetë në tregun e ri të lirë. Kjo sa për fillim, rrugës do të na mësojë koha vetë! Ndërsa nga struktura ekzistuese e ndërmarrjes, drejtoria e përgjithshme, përfshirë edhe mua, dilte hallkë e tepërt si funksion sapo shteti u zhbë. Kish ardhur koha “O Mete, për vete!” Sugjerova që punonjësit e drejtorisë të shpërndahen nëpër kantiere. Unë pranoja të shkoja në atë kantier ku nuk donte kush të vente.
Në aktivin me pjesëmarrjen e ajkës të asaj ndërmarrje, personelin inxhiniero-teknik dhe brigadierët, kjo ide u kundërshtua me forcë e zhurmë nga një kategori, aq sa u etiketua edhe si një tradhti. Sidomos zhbërja e drejtorisë së ndërmarrjes! Parullat “Ndërmarrja jonë është me emër në gjithë republikën! Ndërmarrja jonë është e fuqishme! Nuk jemi për shkatërrimin e ndërmarrjes! Ndërmarrja jonë do mbijetojë me eksperiencën dhe traditën që ka!” e të tjera në këtë linjë u përkrahën edhe nga opinioni.
I ndodhur në këto rrethana, unë deklarova dorëheqje nga detyra e kryeinxhinierit dhe shkëputje nga ajo ndërmarrje, duke qëndruar, për pasojë, jashtë mundësisë për të marrë asnjë ditë pagën e asistencës një vjeçare. Nuk pranova të votohej emri im në listën e personave që do votoheshin për në këshillin drejtues, pasi unë do të qëndroja kundërshtar i idesë të zvarritjes me kokëfortësi “pas koqeve të dashit” kur dashi, për mendimin tim, kish ngordhur.
U korrigjuan gëzueshëm fletët e votimit, u fshi emri im në to dhe vazhdoi me sukses votimi për drejtuesit e rinj. Vonë kam marrë vesh se ndodhi edhe vjedhje votash për të garantuar kapjen e fronit të drejtuesit kryesor të ndërmarrjes. Pavarësisht përshtypjes që la tek unë, ky fakt duhet konsideruar një sukses i organizatorëve. Mund të meritojnë autorësinë e shpikësit të vjedhjes së votave në hapin e parë në demokraci. Joo! – mund të kundërshtohet. Pse, në diktaturë a nuk vidheshin votat për të dalë gjithë votimet 99.99 %? Mendoj se jo. Në diktaturë ishte vjedhur liria!
Dorëheqja ime u mirëprit nga pretendentët për “postin” e lënë bosh. Sa shumë pretendentë për një vend! Nga ç’ndodhi më pas në atë ndërmarrje, u kuptua se gëzimi i atyre që po luftonin të merrnin drejtimin nuk ish se u lirua thjesht një vend pune. Unë, me sa dukej, përbëja për ta një pengesë serioze. Kish filluar të ndihej era e “gjakut” mbas rënies së shtetit. Opozita politike kish hedhur parullën “Të çojmë gjithçka në zero!”. Jo të gjithë mund të nuhatnin, në ato fillime, mundësinë e grabitjeve.
Unë, pas vendimit për shkëputje, po tërhiqja nga zyra e kryeinxhinierit gjithçka kisha personale. Këtu lindi edhe epiteti “vjedhës i librave”. Gojët që u zgjidhën, si më dorovitën fillimisht epitetin tradhtar, nuk kish pse të mos më ngarkonin edhe faje të tjera. Ishte traditë e sistemit të rënë që, sapo të ngjiste damkën “Armik!”, të të kompletonte edhe me gjithë takëmet, pajimet, që i kishin lezet armikut, përfshirë edhe vjedhjen.
Nga dy akuzat që u përfolën, me të parën, armik, isha i mësuar nga biografia dhe e përsëritur rishtazi pas 90-ës, në tjetër atmosferë, dukej qesharake. Gjunjëzimi ekonomik dhe shembja e shtetit kishin sqaruar tashmë, jo vetëm opinionin, por dhe shpikësit e armiqve, se kush kish qenë armiku i vërtetë i këtij vendi. Damka tjetër, vjedhës librash, me kalimin e viteve po më pëlqente dhe filloi të më vinte keq që nuk ishte e vërtetë. Ah, sikur të ishte! Le të mburresha dhe unë më në fund. Vjedhës! E vetmja veti që i është hapur semafori me të tre dritat jeshile këtu. Hajdutit i hiqet kapelja!
          Si nga ndonjë kasetë e vjetër, e harruar, vazhdon të dëgjohet më të rrallë avazi “Shpëtimi na ka vjedhur librat!”, si këngë të dehuri që, sa herë i del gjumi, e nis nga e para dhe “sazexhinjtë” ambulantë, kur rastisin pranë, nuk ia prishin qejfin gotës për t’i mbajtur ison e qëmotit. E kujtojnë “vjedhjen”, nuk u ikën nga mendja, si të ketë ndodhur një gjëmë, si t’u kem hequr bukën e gojës, apo sikur t’u kem marrë autorësinë në librat e shkruar prej tyre. Asnjë nga këto! Po kujt i thua?
Por tani që mosha nuk më premton shumë për të pritur sa të harrohet, më shkoi mendja të lë një kartë të shkruar. Le të jetë! Ama jam në dilemë. Se, ç’është e vërteta, nga ky tranzicioni pa fund i tridhjetë viteve një gjë është kuptuar mirë. Ne nuk e duam hiç të vërtetën! Ne duam doemos të na gënjejnë, bile, kemi mbërritur në pikën kulmore, kur ne besojmë e votojmë për atë që na gënjen më shumë. Ato, gënjeshtrat me terezi, ne nuk i honepsim dot fare. O na gënje sa të na ikë mendja, o kot, mos u lodh, je i humbur! Prandaj, o njerëz, edhe jemi këtu ku jemi e ku mos qofshim!
Megjithatë unë e ndava mendjen të rrëfehem!
Është plotësisht e vërtetë që unë mora të gjithë librat që kisha në zyrën e kryeinxhinierit të ndërmarrjes! Por ç’përfaqësonin ato? Ishin një kopje e librave dhe broshurave nga kontigjenti që ministria e ndërtimit furnizonte ndërmarrjet, pa manualin e preventivimit, as librat e normave, të cilat i kishin në përdorim degët dhe zyrat e plan-normave. Pra kisha kopjen e kushteve teknike të zbatimit dhe të albumeve të përgatitura nga institutet e projektimit e ai i teknologjisë së ndërtimit. Veçse këtu bëhet i nevojshëm sqarimi: nga një kopje të plotë të këtyre dokumenteve kishin njëkohësisht dega teknike e ndërmarrjes dhe gjithë kryeinxhinierët e kantiereve, por jo vetëm! Falë përpjekjeve të mia personale për tirazh më të madh, u pajisën me to edhe një pjesë e mirë e inxhinierëve dhe teknikëve individualisht.
Mora, po ashtu, nga zyra edhe bibliotekën time personale të përbërë nga literatura arsimore inxhinierike, gjithë botimet e universitetit shtetëror të Tiranës, si dhe atë që iu dhembi më shumë se çdo gjë, literaturën e huaj teknike në disa gjuhë, libra të porositura dhe të ardhura nga jashtë shtetit, nga shtëpitë botuese në perëndim e lindje në vitet 1963-’73.*3
Akuzuesit s’patën faj. Nuk e dinin se unë isha lindur e rritur mbi libra, falë profesionit dhe pasionit të tim eti. Ata nuk e dinin se në kohën e tij si librár në Gjirokastër, deri më ‘73, Alizot Emiri shfrytëzoi maksimalisht mundësitë e krijuara në një periudhë të shkurtër drite dhe arriti t’u plotësojë kërkesat për literaturë të huaj, kryesisht profesionale, në gjuhët ruse, italiane, franceze e angleze, të gjithë kuadrove arsimlartë që kishin interesa intelektuale në qytetin e gurtë. Faji ishte i imi që nuk u kisha folur kolegëve në ndërmarrje. Por e pata të vështirë, sepse, sapo t’u tregoja se im atë kishte ndjekur studimet e larta me shkëputje nga puna, pa bursë shteti (me konfiskim pasurie), për pesë vite rresht në degën armik i popullit në disa nga univers-burgjet, përfshirë kalanë në Gjirokastër dhe burgun e famshëm të Burrelit, do t’u hapja punë, dashur-padashur, të më denonconin apo mbronin për “sabotimet” e mia.
Pikërisht këto, librat e huaja, me atë paraqitjen dinjitoze dhe të rënda, u tërhoqën më tepër vëmendjen vigjilentëve kur unë i transportoja i qetë, kokulur nga pesha e buzagaz. Zgjati dy tre ditë transporti. Përshkoja më këmbë rrugën nga zyrat, përgjatë Rrugës së Rrepeve dhe gjithë qytetin e Fierit nga jugu në veri, për të mbërritur në shtëpi. Nuk u kërkova ndihmë as miqve të mi të shumtë, jo për t’i shpëtuar ata nga cilësimi “bashkëpunëtorë me armikun”, por kisha dëshirë e kënaqësi t’i çoja ato me duart e mia. Pastaj, i papunë isha!
Po, si i njohën së largu “intelektualët” e nevrikosur që turfullonin zhurmshëm se nën sqetull po shtrëngoja literaturë të huaj?
Nga kapakët!
Përgjigjen po e jap unë. I sigurt! Jo për të fyer ata pse më ngritën pas krahësh akuzën e vjedhjes. E thjeshtë. Në atë kohë, vetëm librat e huaja kishin kopertina të trasha e me raste edhe me veshje bezeje. Në Shqipëri me kopertinë të trashë kartoni botoheshin librat politikë, veprat e Enverit dhe ato të klasikëve, Marksit dhe Engelsit, të cilat dallonin nga ngjyra kryesisht në tone të kuqe …
Do të bëja gabim të mos e sqaroja lexuesin se librat që zgjuan kërshërinë e akuzuesve, kur po bënin këmbë nga dera e ndërmarrjes, të mbajtura zbuluar në duar nga ish kryeinxhinieri, ata i kishin parë sa e sa herë në zyrën e tij, por nuk patën treguar asnjëherë interes të shfletojnë ndonjë prej tyre. Tani, befas u sulën thjesht për t´i ruajtur si pronë e ndërmarrjes, si mall stok në inventar. Stok dijesh! Kuptohej, librat për ca ishin mish i huaj! Ato kishin hije të rëndë. Është vetia universale e librave. Hijerënda! Iu shkon! Librat kërkojnë dashuri dhe i “dorëzohen” me më tepër dashuri lexuesit serioz. Njerëzve që ndihen të ngopur me dije ato u rrinë larg.
Ja pra, ato, librat me kapak të trashë, më paskan mbrojtur nga ata që po më ndiqnin si përgjuesit e qëmotit të çifteve tek kodrat e liqenit në Tiranë. Më ndiqnin, por nuk më afroheshin! Nuk duhej trembur “çifti”! Më trimat kanë pëshpëritur: “E pamë, e pamë!”
Le të bëjmë pak pushim! Ta zëmë se lexuesi më ka besuar për çfarë kam shkruar, si kam dashur, deri këtu. Ama, mbetet një pyetje, që kërkon përgjigje.
– Zoti ish-kryeinxhinier, po Ai që do t’u zëvendësonte juve në të njëjtën detyrë, në atë ndërmarrje, me ç’libra do të punonte?
Kjo pyetje mund t’i lindë natyrshëm lexuesit, por jo, askujt prej kandidatëve për atë pozicion drejtues në ndërmarrje. Secili prej tyre, inxhinier në atë ndërmarrje, ishte i pajisur më së miri me gjithçka kishte dërguar shteti. Pra do të punonte me librat e veta, në s’i kish humbur! Ndërsa për përmbajtjen e bibliotekave personale të gjithsecilit, në se kishin, nuk ka pse të pritet përgjigje nga unë. Nga ç’kemi folur deri tani në përshkrim, doli qartë, raftet e tyre kanë pas mjaftueshëm vende bosh për ato libra që po merrja me vete unë.
Pyetja më realiste për atë kohë do të ishte: Për çfarë do t’u duheshin librat e broshurat teknike drejtuesve, kur qeveria i la pa punë ndërmarrjet dhe u akordoi punonjësve asistencë njëvjeçare papunësie, sa për të mbajtur frymën gjallë? Në librat dhe broshurat që kish shpërndarë shteti i diktaturës nuk kish asnjë prej tyre që të udhëzonte se si mund të grabitet ndërmarrja!
Mirë të gjitha, po librat në gjuhë të huaj, ato më të dhimbshmet, për çfarë mund t’u jenë dashur? E, jo, kësaj pyetje unë nuk i gjej dot asnjë lloj shpjegimi. Kjo do mbetet enigmë! Botës i kanë mbetur plot enigma, që shkenca ende nuk është në gjendje t’u japë përgjigje. Le t’i shtohet asaj, botërores, edhe kjo enigma e ca kuadrove të “NNI Fier”-it të pas ‘91-shit.
Duket se u stërzgjatëm dhe ia vlejti në se u qartësua problemi i vjedhjes së librave. Por jo! Aspak! Përndryshe, çfarë emri mund t’i vësh kur edhe sot, pas tridhjetë vitesh, të çojnë haber me kallauz: “Shpëtimi na ka vjedhur librat!?”
Dreqi e mori, përse nuk guxuan, bërë tufë para zyrave të ndërmarrjes, t’i dilnin para kryeinxhinierit jabanxhi e t’ia merrnin librat? Trimëria nuk iu mungonte. Mund të kishin mes tyre edhe ndonjë sherrxhi profesionist.
Fare e thjeshtë! Nuk guxuan se nuk dinin çfarë po kërkonin. Ato simptoma sjelljeje të çojnë në konkluzionin se mungesa e librave mund të ishte sëmundje kronike e ndofta gjenetike, ndryshe, kujt mund t’i lejohet sot, në detin me libra e internet, të ankohet se para tridhjetë vitesh i kanë marrë ca libra e broshura të teknikës së ndërtimit të aplikuar para gjysmë shekulli, kur dihet se mbas 90-ës ndryshuan me themel teknologjia e realizimit, atrecatura e makineritë, shumëllojshmëria e materialeve, veglat e punës … Kjo lloj kërkese ka vetëm një vlerë. Vetëdiskreditimin!
Kujt t’ia lija, pra, i dashur lexues, librat që mora?
Ajo, më e vlerëta, që iu morra dhe që nuk mund t’ua ktheja edhe po të ma kërkonin, ishte eksperienca personale. Shkenca nuk kishte shpikur ndonjë marifet për magazinim apo dorëzimin e saj nga njëri tek tjetri, përveçse me libra., të cilat gjendeshin në librari ose biblioteka. Por këto institucione duhet të frekuentoheshin individualisht …
Mbase do të ishte më kuptimplote të ndjekim sa të mundim ecurinë e asaj ndërmarrjeje pasi zgjodhi këshillin e saj të ri drejtues.
Më të rrallë dëgjoja me keqardhje histori “gazmore” grindjesh mes administratorësh, magazinierësh, a individësh, të gjithë në garë për të përfituar nga shitja e materialeve dhe përvetësimi i kundërligjshëm i vlerave*4 deri sa dhanë shpirt dy magazinat qendrore të furnizuara deri në grykë, plus magazinat në katër kantieret dhe materialet e shumta ndërtimore, gjendje pranë objekteve në ndërtim e deri vetë objektet e asaj ndërmarrjeje gjigante. Ndërmarrja me rreth 1200 punonjës u shpërbë! Ajo që nuk mund të shpërbëhej ishte pikërisht eksperienca e fituar nga gjithsecili. Jo më kot, thuajse të gjithë inxhinierët e saj, me kurajën dhe eksperiencën e fituar aty, por dhe me “pajën”, që iu dha a ia morën “mëmës” “NNI Fier”, krijuan firma private. E përgjithshmja ishte pozitive. Nga të punësuar u kthyen në pronarë një pjesë e personelit që rastisën të jenë të fundit nën atë çati. Pakënaqësi, natyrshëm, ngjalli injorimi i personelit të larguar vetëm pak kohë para këtij procesi. Edhe pse kontributet e mjaft prej tyre ishin shumë më të mëdha se të atyre që mbetën, u injoruan brutalisht. U zbatua me sukses parulla “I ikuri dhe i vdekuri janë njëlloj”!
Ndryshuan kohët! Ndryshoi kriteri i vlerësimit të kontributeve. Metri nuk maste më me ç’kishe bërë, por me ç’ishe i zoti të ç’bëje, të vidhje dhe kontributet në atë grabitje nuk ishin të barabarta. Çfarë vidhej i takonte vjedhësit, atij që rrezikonte! Edhe menaxhimi i gjithë kësaj lëngate të ndërmarrjes, deri tek ceremonia mortore, ishte një risk që donte shpatulla, gjersa u hodhën lopatat me baltë mbi arkivolin e saj dhe vendosën kurorën, kapakun e krimit.
Pra, pikërisht ajo, ndërmarrja e madhe, e fuqishme, me emër, me eksperiencë e me tradita, e rënë në kthetra, e kafshuar, lëngoi dhe dha shpirt në dhëmbët e mbrojtësve të flaktë.
Në tërë këtë fatkeqësi, siç pritej, u doli i tepërt kryeinxhinieri i ri i porsazgjedhur! Nuk shkëlqeu sa duhet! Mos humbi toruan nga mungesa e librave …??! – do thoshte ndokush. Por jo. Procesi i përvetësimeve nuk kish nevojë për kushte teknike e as për kontroll. Kontrolli, përkundër, ishte i ndaluar. Mjaftonin rojet e besuar …
Dhe pas gjithë kësaj katrahure, serbes, të palodhur e të pangopur me zhvatje, nuk pushuan së klithuri: “Kapeni hajdutin!” Shih çfarë kurajë! Atë, “vjedhjen e librave” që u kisha bërë unë nuk e treste dheu. Bravo! T’u heqësh kapelën!
Sikundër e thashë diku më lart, po më pëlqente epiteti vjedhës dhe do të doja të bënim një kompromis me akuzuesit.Me lutje, rënë në gjunjë, do t’ua kërkoja këtë nder:
– Jam dakord, nuk do ta kërkoj më të drejtën time, le të më quajnë vjedhës, por, aman, të keqen, jo vjedhës librash! Pikërisht ky, objekti i vjedhjes, domethënë libri, më bën të ndihem i turpëruar. Është vjedhje koti! Vjedhja më pa kuptim. Të gjitha vjedhjet kanë lezet, përjashtuar vjedhjen e librave! Lezetin më të madh, dihet, e ka vjedhja e votave, domethënë e pushtetit, që vë në binarë vjedhjet e mëdha, serioze, si vjedhjet e ndërmarrjeve dhe që i pret rrugën e i dënon gjithë vjedhjet e vogla për bukën e gojës. Lezet ka edhe vjedhja e deputetëve, po ashtu vjedhja e tokave, sikundër vjedhja e pasurisë kombëtare mbi e nëntokë. Këto po, kanë kuptim! Por ekspozimi si vjedhës librash është fyerje e rëndë! Kjo të prezanton në publik, në mos të çmendur, pa dyshim budalla. E, kjo lloj reklame mua nuk më duhet. Nuk ka nevojë! Shpresoj se më njohin si të tillë edhe pa reklamë!
Në tërë këtë zallamahi do ta quaja fat të madh për mua që nuk më kanë akuzuar se, pikërisht unë, me atë gjestin tim, vjedhjen e librave, u kam zgjuar instiktet që i kanë shtyrë, të gjorët drejtues të rinj të porsazgjedhur, të vazhdojnë maskaradën mbi ndërmarrjen. Pas vjedhjes së librave në atë ndërmarrje nuk u bë asnjë punë më me rëndësi se vjedhjet!
Eh, fati im! Ky nuk është fat ! Është thjesht një rastësi, sepse atyre, fakirëve, nuk u ka shkuar dot nëpër mend ta shtrojnë kështu problemin.
Ajo që ka rënduar dhimbshëm shpirtin njerëzor në këto tridhjetë vitet e tranzicionit ka qenë pa dyshim mosmirënjohja. U përhap keq kjo flamë dhe kapte kë nuk ta priste mendja. Pa iu dridhur syri nga shëndeti i mirë fizik, mosmirënjohja gjeti strehë e vegjetoi në karakteret pa imunitet, ndaj akuzuesit e mi nuk i pengonte asgjë për ta konsumuar edhe këtë veti, mbi mua.
Ndërsa do të duhej të më ngrinin një përmendore që iu “vodha” librat atyre libërhumburve, duke ju ndriçuar horizontin e vjedhjeve të ardhshme, u ra goja e u zuri lesh me ankesën: “Shpëtimi na vodhi librat!” Akoma nuk e kanë kuptuar se, po të kishin gjetur ato libra, dhe, mos o Zot, t’i lexonin, nuk do të guxonin të grabisnin ndërmarrjen. Leximi do t’i merrte më qafë! Pas leximit të librave do ta hanin një copë bukë, si të gjithë, si unë, por kurrsesi nuk do pasuroheshin, siç po mburren.
Ndonëse më ka ndjekur si hije në prapaskenë, qysh prej vitit 91, ajo që folëm më lart, në vend të më shqetësonte, gjithmonë më ka krijuar një gjendje grotesku por të trishtueshme.
Im atë, librári i famshëm i Gjirokastrës, i dëgjuar për fjalën e mençur e qesëndinë e tij të hollë*5, sapo të dëgjonte këtë akuzë për të birin, do të ishte ringjallur.
– Kush vjedh një libër, nuk është hajdut! – e përsëriste shpesh thënien profetike të Leninit, duke e shoqëruar me shpjegimin origjinal:
– Hajdut është ai, që e blen librin dhe nuk e lexon!

I dashur lexues, gjithë kjo historizë që trajtuam, e vendosur në sfondin e tranzicionit tonë,  si padashur, na çon në një konkluzion që e ka të nevojshëm pëlqimin tuaj.

– Shqipëria do të bëhet siç e ëndërrojmë, 

kur shqiptarët të mos vjedhin më vota, por libra!

 

Lexues i dashur!
Tregimi nuk u bë për të portretizuar ca individë, ndryshe kjo nuk do t’ia vlente, por për të mos harruar një fenomen, përkimi i rënies së sistemit politik me rënien e maskave njerëzore, parë në këndvështrimin e një ndërtuesi mbi skena reale.
“Merita” për këtë shkrim i shkon koronavirusit që na ngujoi në shtëpi, si të rënë në gjak me një hasëm tinëzar që e ka shkelur kanunin, vret dhe gratë, foshnjat e mjekët, pa plumb, mizorisht me “litar”.

*          *          *

 

*1- Ishte momenti kur ndërmarrja, prej disa muajsh, kish mbetur pa kryeinxhinier. Shkak ishte aksidentimi me motor i z. P. Duka. – Mos kishe thyer këmbën ti, o Petraq, nuk do më vinte radha për të marrë “pozitë”! – e kam “falënderuar(!)” atë, shokun tim.                                                                                                                             

*2-Propozimin dhe këmbënguljen, që si kryeinxhinier të më emëronin mua, e bëri drejtori prej dhjetë vitesh i asaj ndërmarrje, z. A. Pone, inxhinier ndërtimi, kolegu dhe shoku jonë, fjala e të cilit peshonte në institucionet qëndrore.

*3- Të moskrijohetpërshtypja se unëishandonjë tip shkencëtari! Jo, sigurisht! Dijapërmbajtjen e libravedhekonsultohesha me to sa here e gjykojatënevojshme. Kishalibrapërkonstruksionetbetonarme, përveshjetzjarrduruesenëfurratindustriale,  librapërorganizimpunimeshnëvepraindustriale, përstrukturatëndërlikuara, bazamentemakinerish, apometodarealiziminëkushteekstremeprejujravenëntokësoreapongatemperaturat, teknollogjitërealizimittëpunimevespeciale, kishatëfamshminlibër me normaprojektimitëautorit NEUFERT etj. 

*4- Në librin “Kujtime me buzë në gaz” shkrimi “Paske qenë gomar i madh ti, o shoku drejtor!” i referohet groteskut të kësaj situate.

*5- Në dy librat memorialë të botuara për librárin Alizot Emiri, me krijimtarinë e tij gojore, përfshihen dhe mbresat e kujtimet për të nga personalitete të kulturës kombëtare, të shkëputura nga botimet e tyre, apo intervistat.                                                               Prej autorëve Kastriot Hadëri dhe Izet Çulli janë botuar dhe dy libra “Ariu e gjeti llullën” dhe “Dirigjentit i rroftë shkopi!” me fabula me motive nga Alizot Emiri – Qytetar Nderi i Gjirokastrës.

Ing. Shpëtim Emiri                                                                                    

Tiranë, mars 2020

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shënime për triptikun me vargje satirike të Shpëtim Emirit - Albspirit

E Qeshura e Autorit Gjirokastrit Shpetim Emiri në Librin“Studentët ...

Petrit Ruka: NJË PEMË E MBJELLË, NJË PYLL ME FJALË - Albspirit

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: