Astrit Gjunkshi: NJË RRAP QË RËNKON
Astrit Gjunkshi
Një rrap i madh, mes pyllit të dendur
Prej njëqind vitesh mbretëronte,
E nëpër degë, nën gjethe fshehur
Si një qytet, me mijëra zogj strehonte.
Ende pa zbardhur, mjaft të tronditur atë ditë
Një shkundje e fortë banorët i kish zgjuar,
Vetëm kur zbardhi, drita u çeli sytë
Kuptuan ç’kishte ndodhur- rrapi ishte anuar.
Kryetar korbi, me urgjencë, një panel mblodhi
Me analistët më në zë. Në krye bufi erudit,
Pranë tij një kanarinë, e zbukuruar plot stoli,
Në fund i heshtur rrinte një petrit.
Në transmetim direkt, kamerat ndezur, kërshëri,
Moderator në studio- gjeli pa lafshë, si çdo ditë.
-Ç’të bëjmë- tha korbi,- se në rrezik jemi vërtet?
– Dëgjoni mirë, vetëm njëqind vite kanë kaluar-
fjalën bufi mori,- por rron kjo specie rrapi katërqind vjet,
Nga Anadolli e sollën në shekullin e shkuar,
Andaj mos keni frikë, ky rrap ka edhe tre jetë,
E thonë të gjithë librat që kam lexuar!
– Atë edhe unë them- foli serbes bjondja kanarinë,-
Gjethet po shihja sot, janë plot shëndet,
Dhe vallëzojnë e lëkunden si balerinë!-
Pozoi para kamerës, shpalosi hijeshinë e vet,
Në një sallon bukurie gjithë ditën kishte qenë
E dinte, klasi duhet në studio, s’ka rëndësi çfarë flet.
– Në rrënjë shihen gjërat, – petriti nuk duroi më,-
Rënkonte rrapi sot, është dëmtuar shumë,
Prej kohësh i kam parë urithët aty poshtë
Gërmojnë çdo ditë nën rrap, pa zhurmë
Tunele kanë hapur e kanë këputur rrënjë,
Do zverdhen edhe gjethet shpejt, këtë them unë!
Po ti, tani këtë sekret e thua? – u nxeh keq korbi kryetar.
– Aspak,- zërin ngriti petriti,- mesazhe të kam dërguar,
Prej disa vitesh të kam spjeguar, por s’i ke parë,
Ke pasur punë të tjera nëpër duar!
Folenë tënde dhe të miqve kishe në plan të parë,
Nga majë e rrapit, ku qëndron, hallet s’i ke shikuar!
Hallet e rrapit kam trajtuar, nga shqetësimi i rrëmbyer,
Kam ngritur mjaft ide si mund t’i zgjatet jeta,
Janë novatore si ide dhe miqtë i kanë pëlqyer
Bashkë zërin kemi ngritur, por na është mbyllur dera.
Ju vlerat shihni vetëm kokëposhtë kthyer
Dhe jepni çmime për libra mediokër, krejt pa vlera.
Gazetat që botohen nga miq të rrethit tuaj
Fryjnë autorë që ju lëpihen dhe ju shërbejnë,
Dhe, nëpër studio, njerëzit me ide janë të huaj,
Por janë të përhershëm njerëz që show bëjnë
Dhe tjerrin vetëm fjalë, asgjë pa thënë!
Ndaj unë po iki! – petriti sy përflakur foli
Krahët u ktheu moderatorit- gjelit pa lafshë- dhe korbit
E shpejt u ngrit në fluturim, në ajër të pastër doli.
05 prill 2020