Blerina Ruka: “Nata e Ustikës” sipas meje
Dritë… përsëri kjo dritë që vinte fluturimthi si shkumë bardhoshe, tutje horizontit, në mes blusë së thellë të detit dhe asaj më të çelët të qiellit; vinte fluturimthi pa frymë edhe njëkohësisht e përshkuar e tëra me frymë, ndriçim e reflex njëherësh….
Ç’lumturi e stërlashtë kjo lumturia e dritës. Të jesh kaq i çiltër, kaq vezullues, të endesh nëpër hapësirë, kështu pa kurrfarë substance.
Por nata do ta hedhë sërish perden e saj të zezë të qëndisur me yje vezulluese. Trokitja e ngadaltë e akrepave të orës depërtonte nga jashtë në heshtjen e dhomës, dukej sikur kërkonte të hynte diçka brenda, diçka e murrme, e brengosur, e paformë, diçka më e trishtuar se vetë trishtimi… një kujtim i largët, anonim, një valë e pafund që avitej dhe që donte ta merrte sërish me vete, ta varroste në gjirin e saj atë që e kish pas sjellë dikur dhe e pat’ harruar në një ishull. Një grimëz njeri, një grimëz mendim, një grimëz dritë…
E ndjeva sesi Toka po fluturonte pa zhurmë në hapësirën e pamatë. E ndjeva aq fort, saqë më erdhi të mbahesha për t’u mos u gremisur tatëpjetë. Ndoshta kjo më ndodhi meqë u zgjova nga gjumi i thellë dhe duke qenë i brakstisur për një çast nga kujtesa e zakoni, vështrova drejt në qiellin e largët e të pakufijshëm që kish shkarë kështu papritur e pakujtuar.
Toka për mua, s’ishte më e qëndrueshme, e qysh atëherë ska qenë më e tillë. Ngadalë e gjithë bota po më dukej e paqenë. Sikur isha humbur e bridhja në një qytet të huaj të cilin e kish mbuluar uji…
Akrepat e orës lëviznin qetësisht dhe po qetësisht ecnin nën hapat e tyre. E ndjeva vetminë, të qënit indiferent. Më duhej një fytyrë e re, një fytyrë të cilën mund ta ndryshonte edhe më i lehti fllad i shprehjes. Në atë fytyrë ku mund të kridhesha me të gjitha ëndrrat e tua. Jetoja në një dhomë të mbushur plot heshtje… si një grimëz e cila ngrihej përpjetë një avulli të kuq e marramendës. Nata po afrohej. Është natë e rrezikshme. Magjia e së panjohurës ka kaluar tashmë, kurse magjia e besimit s’ka mbërritur ende. Ora ështe jetë dhe akrepat ndryshojnë si për t’i dhënë një tjetër kuptim jetës por… por ajo mbetet po e njëjtë.
Burimi:
Në romanin “Nata e Ustikës” Petro Marko rrëfen një fragment nga betejat, burgjet, dramat dhe dashuritë e tij nëpër Evropë giatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit XX, pra para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1940, Petro Marko u kthye nga Lufta e Spanjës. Një vit më vonë u arrestua prej pushtuesve italianë dhe u internua së bashku me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin e Ustikës (në veri të Sicilisë). Në burgun e Ustikës, një ishull famëkeq në afërsi të Palermos, në mesin e mijëra të burgosurve, edhe grupi i shqiptarëve do të qëndrojë deri në kapitullimin e fashizmit. Prej këtej e merr subjektin e tij romani “Nata e Ustikës”.

Please follow and like us: