Covid-19, Orjola Pampuri: Të bëhet transparencë me testet, Rama nxit panik
Orjola Pampuri, anëtare e kryesisë së Partisë Demokratike në një intervistë në “Konfident” tregon se si ka mundur të jetë aktive në politikë duke qenë në shtëpi, si ka komunikuar me qytetarët dhe çfarë problematikash ngrenë ata tek opozita. Mungesa e transparencës sa u takon testeve dhe numrit të realizimit të tyre si dhe nxitja e ankthit nga kryeministri vendit nëpërmjet termave të përdorur janë një shqetësim i vërtetë për qytetarët të cilët po kalojnë ditë të vështira duke u përballur më Covid-19.
Si është për ju të bëni politikë teksa jeni në shtëpi?
Sigurisht nuk e thjeshtë, megjithatë janë qytetarë të shumtë që denoncojnë, profesionistë të shëndetësisë të cilët denoncojnë një realitet krejt ndryshe nga ai që paraqet sot qeveria dhe shpesh ballafaqimi i tyre mund të bëhet edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Gjithsesi më është dashur edhe të dal duke iu gjendur dikujt që më ka telefonuar, për mungesë të ushqimeve, apo medikamenteve, duke qënë se shteti nuk i është gjendur unë dhe kolegët e mi kemi ndihmuar me sa mundemi. Sigurisht nuk është e thjeshtë, megjithatë kjo pandemi na mësoi që mund të punohet edhe kështu.
Si keni mundur të komunikoni me qytetarët?
Me qytetarët kam komunikuar nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve, dhe me kanë informuar për gjithçka, dhe për çdo vështirësi me të cilën po përballen.
Çfarë problematikash kanë ngritur ata tek ju?
Një pjesë e mirë të cilët janë të pamundur, janë të përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, janë fëmijë jetimë pa përkrahje, pensionistë , sigurisht që problematikat kryesore kanë qënë mospërballimi i situatës, nuk arrijnë të përmbushin nevojat bazë për ushqyerje, për pensionistët, pensioni nuk i ka mbërritur, apo i ka mbërritur me shumë vonesë, dhe nuk kanë patur mundësi të blejnë ushqimet bazë, të marrin ilaçet, apo të bëjnë pagesat e detyrueshme. Përsa i përket qytetarëve që shfaqin simptoma, u ka rastisur që të telefonojnë në numrin 127 të urgjencës, dhe aty janë përballur me tmerrin, kur për ditë të tëra kanë pritur, dhe askush nuk ka ardhur të interesohet për ta, pasi ata duhet të ishin në gjendje të rëndë, që urgjenca t’u vinte në shtëpi, pra shumë prej tyre kanë kaluar simptomat në shtëpi duke përberë rrezik për familjarë e të afërm, pa e kuptuar nëse po përballeshin më COvid 19. Mjekë të cilët ankohen për mungesë të masave mbrojtëse, e mungesë testesh për personelin shëndetësor dhe qytetarë më simptoma. Hartimi i një pakete ekonomike për t’i ardhur në ndihmë personave që jetojnë në varfëri, dhe jo vetëm atyre që janë të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike, por edhe mijëra të tjerëve që janë përjashtuar.
Cili është shqetësimi juaj në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi?
Transparence dhe vetëm transparencë, përballë qytetarëve. E vërteta ul nivelin e frikës, rrit ndjesinë e sigurisë tek qytetarët dhe përgjegjshmëria, për të testuar çdo person të dyshuar dhe rrethin e tij shoqëror e familjar rrit efikasitetin e izolimit dhe masave të marra. Ky është shqetësimi ynë si opozitë të cilin e përsërisim dhe e kemi përsëritur që në fillim.
Si e keni organizuar ditën dhe si po kujdeseni për familjen tuaj?
Sigurisht dita është organizuar në një mënyrë të tillë, ku në disa momente gjatë ditë i përkushtohemi njëri-tjetrit, duke qëndruar bashkë, duke gatuar e duke u impenjuar së bashku për shtëpinë, gatimin dhe fëmijët, duke lexuar, dëgjuar muzikë, duke parë së bashku filma kryesisht komedi, por duke i lënë dhe hapësirë njëri-tjetrit, për t’u impenjuar në punët e tij, duke qënë që im shoq është mjek, një pjesë të ditës e kalon në klinikë. Por të qëndruarit me njeri-tjetrin, është kënaqësia më e madhe që njeriu mund të ndjejë, besoj që gjithkush më kupton, që familja është vendi ku njeriu gjen paqe e qetësi, e nuk ngopet kurrë së qëndruari bashkë.
A është e vështirë për ju të qëndroni në shtëpi?
Nga njëra anë është kënaqësi, të qëndrosh me familjen është terapi më vete, por sigurisht edhe puna ka kënaqësinë e saj, të alternuara, besoj janë shkëlqyer, gjithsesi kjo është një situatë, ku të gjithë duhet të bindemi që do të kalojë, dhe nëse qëndrojmë, do ia dalim.
Si i konsideroni masat e ndërmarra deri tani nga qeveria, a janë efikase në këndvështrimin tuaj?
Sigurisht izolimi është njëra anë, por izolim pa masa nuk ka vlerë, dhe masat thelbësore janë testet, ku qeveria ka çeduar totalisht. Bërja e tyre në sasi fare të pakët, ka ulur transparencën, dhe vlerën e izolimit.
Përse PD nuk ka një qëndrim zyrtar për përdorimin e termit “luftë” nga kryeministri?
Ne jemi shprehur, që kjo nuk është luftë, kjo është një betejë, siç mund të jetë një betejë me një sëmundje, në një garë apo diçka tjetër. Termi luftë nuk është përdorur nga asnjë lider, përveç Ramës. Nxitja e panikut me skena të tilla duke shfaqur video e duke përdorur terma të tillë, nxit ankthin e stresin tek qytetarët, të cilët kanë nevojë më shumë se kurrë të ndjehen të qetë e të sigurtë. Ndaj është termi i gabuar, i cili ka efekt negativ në një situatë të tillë.
Konfident.al