Albspirit

Media/News/Publishing

Dorela Beqaj: Coronavirus – Rënia e Globalizmit 

Globalizmi, ngritja masive e neo-nacionalizmit dhe falimentimi i ...

Përhapja e Coronavirusit me ritme të shpejta në të gjithë botën, përpos rrezikut për sigurinë e jetëve të njerëzve dhe dështimit të sistemeve shëndetësore (si në rastin e Italisë), po shoqërohet edhe me pasoja të shumta ekonomike dhe politike, impakti i të cilave pritet të ndihet edhe në një periudhë kohore afatmesme e ndoshta afatgjatë. Aktualisht, emergjenca kryesore për të gjitha vendet është frenimi i përhapjes së këtij virusi, shërimi i të prekurve, si dhe gjetja sa më parë e një vaksine apo kure efektive.

Pra, në pamje të parë kjo duket si një luftë e përbashkët kundrejt një “armiku” të panjohur deri sot, mposhtja e të cilit do të jetë një fitore e padiskutueshme për të gjithë njerëzimin. Por, bazuar në reagimin e shteteve të veçanta kundrejt kësaj situate, vërehet se kjo luftë e përbashkët po nxit në njëfarë mënyre një lloj “lufte” apo gare midis vetë shteteve, pasi secili po përdor mënyra dhe strategji të ndryshme të përballimit të situatës duke filluar që nga medikamentet e përdorura për trajtimin e të prekurve, e deri te natyra e masave shtrënguese që po zgjedhin të ndërmarrin për qytetarët përkatës. Madje, edhe vendet e Bashkimit Europian, të cilat pritej që të kishin një plan masash më të unifikuara dhe një reagim më solidar kundrejt njëri-tjetrit, duket se kanë zgjedhur të ndjekin rrugë individualisht të ndryshme për përballimin e situatës.

Rasti i Italisë e dëshmon më së miri këtë fakt: në momentin e përkeqësimit të situatës në Itali, vendet e BE jo vetëm që nuk ofruan ndihmë konkrete me materiale mjekësore për këtë vend, por në shumicën e rasteve as nuk ndërmorrën masa në kohë reale që të parandalonin përhapjen e virusit në vendet e tyre. Në ditët e para të përhapjes së virusit në Itali, dukej sikur Italia ishte shumë “larg” vendeve të tjera, dhe se pjesa tjetër e Europës nuk do të ishte e kërcënuar nga ky virus. Tashmë, me rastin e Italisë, apo edhe me eksperiencat më të suksesshme të vendeve si Kina dhe Koreja e Jugut për menaxhimin e situatës duhet të ishte kuptuar se shmangia e skenareve të këqija nuk mund të bëhej vetëm me informim apo ndërgjegjësim të popullatës, por me masa shtrënguese dhe të menjëhershme të ndërmarra nga qeveritë, gjë e cila për fat të keq vonoi.

Pra, pavarësisht se tashmë ekzistonin shembuj suksesi dhe dështimi lidhur me menaxhimin e kësaj situate, secili vend vendosi në mënyrë të pavarur dhe të pakonsultuar me të tjerët mbi masat dhe planin për përballimin e kësaj emergjence, madje u arrit deri në atë pikë sa në disa vende (p.sh.Franca) të ndalohej eksporti i produkteve mjekësore të nevojshme drejt vendeve të tjera të Unionit. Por, përse po ndodh ky lloj diferencimi në mënyrën e menaxhimit të situatës, dhe përse pikërisht në këto momente kur lufta është kundrejt një virusi të panjohur, nuk ka një unifikim të masave dhe qëndrimit për përballimin e kësaj situate?

Së pari, kjo sjellje e vendeve të zhvilluara kundrejt njëri-tjetrit, e në veçanti e vendeve të BE, dëshmon se në raste të tilla emergjence uniteti dhe vendimmarrja e përbashkët e vendeve mbetet një utopi. Kjo mund të justifikohet me mungesën e kohës për analizimin e saktë të situatës dhe marrjen e një vendimi të përbashkët në mënyrë racionale. Megjithatë, mosveprimi në kohë dhe deri diku nënvlerësimi i kësaj emergjence nga disa vende krijon më shumë përshtypjen e një mungese të vullnetit për angazhim të përbashkët, sesa të dështimit të këtij angazhimi prej faktorëve të jashtëm si koha.

Së dyti, kjo preferencë e ndjekjes së politikave individuale nuk është rastësi dhe nuk ndodhi papritur. Retorikat dhe ngjarjet politike të viteve të fundit si Brexit, politikat deri diku proteksioniste të Donald Trump në SHBA, si dhe rritja e mbështetjes së partive të ekstremit të djathtë në disa vende të BE, kanë një emërues të përbashkët: largimin nga fryma globaliste dhe promovimin e një fryme neomerkantiliste në politikëberje dhe ekonomi. Gjatë mesit dhe fundit të dekadës së shkuar janë dëgjuar shpesh nga publiku deklarata populiste dhe nacionaliste, ide për mbyllje kufijsh, ndalimin dhe minimizimin e emigracionit, promovimin e punësimit të vendasve në vendet e zhvilluara vendet e punës së të cilëve ishin “zaptuar” pa të drejtë nga emigrantët, si dhe zhvillimin e tregtisë dhe ekonomisë vendase duke ndaluar konkurrencën “e pandershme” të vendeve të tjera.

Por, këto ide dhe politika, pavarësisht se kanë marrë mbështetje të konsiderueshme nga votuesit përkatës, kanë vazhduar të jenë objekt diskutimi dhe pakënaqësish pasi kanë rënë ndesh me mënyrën globaliste të zhvillimit të ekonomisë, politikës dhe stilit të jetës. Pra, deri përpara përhapjes së virusit dhe krijimit të situatës së pandemisë globale, këto tentativa për ndryshime politike dhe ekonomike antiglobaliste kanë hasur diskutime dhe polemika, dhe implementimi i tyre me sukses nuk do të mund të ishte i sigurt. Ndërsa situata në të cilën bota ndodhet sot krijon një panoramë krejt ndryshe.

Nga njëra anë është frika dhe paniku i përhapur në pjesën më të madhe të vendeve nisur nga shpejtësia e përhapjes dhe vdekjet që kanë ardhur si pasojë e virusit. Për pasojë masat shtrënguese si karantinimi dhe mbyllja e kufijve për udhëtarët nuk janë shoqëruar me kundërshtime nga publiku, pavarësisht se konsistojnë në dhunim të lirive dhe të drejtave të njerëzve.

Nga ana tjetër, është individualizmi dhe mungesa e solidaritetit të shteteve për përballimin e situatës. Të ndodhur përballë emergjencës, shumë nga vendet më të zhvilluara të botës duket se shqetësimin e vetëm e kanë për përballimin me sukses të emergjecës shëndetësore dhe ekonomike brenda kufijve të tyre, pa u shqetësuar për fatin e vendeve të tjera, qofshin ato edhe vende të tyre fqinje. Duke marrë parasysh këto tipare që vendet e botës kanë marrë sot, vihet re një model ekonomik dhe politik proteksionist në pjesën më të madhe të vendeve, ku drejtuesit e shteteve kanë marrë rolin e “mbrojtësit” të popujve të tyre, dhe popujt janë të vetdijshëm për këte rol të drejtuesve të tyre duke shpresuar për përmirësimin e kësaj situate kaotike në të cilën ndodhen. Pasi këto ndryshime janë bërë evidente, pyetja që lind natyrshëm në mendjen e gjithësecilit është nëse kjo lloj fryme dhe politikëbërjeje do të vazhdojë të jetë prezente edhe pas kalimit të kësaj pandemie, apo do të marrë fund me pandeminë duke bërë që gjërat të kthehen në normalitetin e tyre të mëparshëm.

Duke marrë parasysh se kjo ngjarje globale dëshmoi paaftësinë e vendeve për të marrë vendime dhe për të ndjekur strategji të përbashkëta, si dhe vuri në dukje individualizmin e secilit vend, është më e mundshme që kjo mënyrë e zhvillimit të politikave të vazhdojë edhe pas pandemisë. Disa mund të gjykojnë me të drejtë se fundi i pandemisë do të shoqërohet me kthim në normalitetin e mëparshëm e për pasojë me rikthimin e njerëzve në vendet e tyre të mëparshme të punës dhe aktiviteteve normale të jetës së përditshme. Por, kjo nuk do të mund të jetë kaq e thjeshtë, sidomos nëse situata e izolimit zgjat shumë. Sa më shumë të zgjasë kjo situatë, aq më të thella dhe më të vështira për tu riparuar do të jenë dëmet ekonomike.

Aktualisht shumë aktivitete ekonomike, në veçanti ato të turizmit dhe shërbimeve janë pezulluar, gjë që përkthehet në vende pune të pezulluara, rroga të papërftuara, taksa të papaguara, defiçite buxhetore shtetërore të thelluara e për pasojë rritje të borxheve publike. Të gjitha këtyre u shtohen edhe kostot financiare të përballimit të situatës emergjente shëndetësore, të cilat janë në rritje, dhe për shumën e të cilave nuk mund të ketë ende parashikim, pasi çdo gjë është në varësi të ecurisë së epidemisë. Si përfundim, pasi kjo situatë e jashtëzakonshme të përfundojë bota do të pëballet me pasojat reale negative ekonomike. Kjo do të jetë një sfidë po aq e madhe sa edhe sfida e përballimit me sukses të emergjencës shëndetësore aktuale, e cila do të vazhdojë t’i mbajë vendet e prekura në kaos dhe paqartësi.

Të gjendur në kushte krize dhe paqartësie mbi të ardhmen ekonomike dhe sigurinë e tyre, drejtuesit e shteteve do të vazhdojnë të luajnë rolin “mbrojtës” të popujve të tyre (sikurse po ndodh edhe sot) dhe popujt do të përkrahin këtë rol të drejtuesve, duke shpresuar që situata ekonomike të përmirësohet sa më parë. Natyrshëm, ashtu siç po ndodh edhe me emergjencën shëndetësore, secili vend do të bëjë maksimumin që të përmirësojë situatën e tij ekonomike dhe sociale, duke ndjekur politikat që i duken më të përshtatshme, dhe që do të mund ta përmirësojnë sa më shpejt situatën e keqe.

Në këtë fazë mbështetja e nga vetë popujt e politikave nacionaliste dhe proteksioniste do të jetë më e madhe, pasi në kushte të paqartësisë edhe vetë individët do të priren të besojnë se shtetet përkatëse do të duhet të bëjnë çdo gjë që do të jetë e nevojshme dhe të ndërmarrin çdo masë, qoftë edhe ekstreme për të arritur rimëkëmbjen ekonomike. Për këtë arsye, politikat proteksioniste dhe nacionaliste do të gjejnë mbështetje edhe më të madhe se më parë, duke synuar fuqizimin ekonomik dhe tregtar të secilit shtet, gjë që do ta zhvendosë sistemin ekonomik dhe politik botëror nga globalizmi drejt neomerkantilizimt.

Neomerkantilizmi nuk është diçka e paprovuar në politikat aktuale, shembull i ndjekjes së një sistemi të tillë është Kina. Suksesi që ky model ka treguar në rastin e Kinës do të përbëjë një arsye më shumë që të preferohet edhe nga shtete të tjera të zhvilluara. Në kushte normale ky lloj ndryshimi do të bëhej shumë gradualisht ose nuk do të ndodhte, por rrethanat aktuale mundësojnë që kjo lloj kthese të ndodhë në mënyrë të shpejtë.

Historia ka dëshmuar se pas luftërave vendosja e regjimeve të reja, qoftë edhe totalitare (komunizmi, fashizmi) ka qenë i mundshëm dhe ndryshimi i sistemeve ka ardhur në mënyrë të natyrshme, madje ka qenë i mirëpritur nga masa. Edhe në këtë rast, pavarësisht se nuk kemi të bëjmë me një luftë të mirëfilltë midis shteteve, njerëzimi ndodhet në një krizë për përballimin e së cilës politikat dhe strategjitë e ndjekura deri sot nuk kanë rezultuar efektive. Kjo do të thotë se ndryshimet e politikave dhe strategjive ekonomike do të jenë të nevojshme dhe të mirëpritura. Për më tepër, kërcënimi se në të ardhmen njerëzimi do të mund të përballet sërisht me situata të tilla, do të bëjë që njerëzit të jenë të gatshëm të preferojnë sigurinë e tyre përballë lirisë apo të drejtave që kanë gëzuar përpara kësaj situate. Pra, ata do t’ju japin qeverive përkatëse më shumë besim dhe akses për të marrë vendime, edhe nëse këto vendime do të konsistojnë në cënimin e disa prej lirive e të drejtave, si dhe privatësisë së tyre.

Kjo e fundit do të jetë e domosdoshme për tu parapërgatitur për një situatë të ngjashme në të ardhmen. Aksesi në një informacion më të detajuar mbi individët si p.sh.: lëvizjet në kohë reale apo njerëzit me të cilët kanë kontakt, do të lejojë shtetet që në të ardhmen të mund të përballojnë me sukses një situatë të ngjashme. Natyrisht, kjo do të kërkojë kompromis nga ana e publikut, kompromis i cili duket i arritshëm pasi shumica dërrmuese e popullsisë është e gatshme të “paguajë” për sigurinë me çmimin e cënimit të lirisë dhe privatësisë. Gjithashtu, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë do të lejojë që sisteme të tilla të implementohen me lehtësi, duke u inkorporuar në bizneset dhe aktivitetet që lidhen me përditshmërinë e individëve. Kjo do të bëjë që roli i teknologjisë dhe inovacionit të vazhdojë të rritet në çdo aktivitet të shoqërisë njerëzore duke i orientuar ekonomitë e vendeve gjithmonë e më shumë drejt këtyre sektorëve.

Si përfundim, pasojat e situatës që bota po kalon sot do të jenë prezente edhe në të ardhmen si në aspektin e politikave dhe masave që do të duhet të ndiqen për sigurinë, ashtu edhe në aspektin e politikave ekonomike. Në mënyrë që të tejkalohet me sukses kjo situatë, si dhe të mos përsëritet në të ardhmen, njerëzimi do të jetë i gatshëm të pranojë ndryshime thelbësore që mund të ndodhin në sistemet ekonomike dhe politike të cilat do të ndikojnë edhe në aspektet e përditshmërisë.

Please follow and like us: