Lutfi Alia: Kongresi i parë gjuhësuer i 1895 në Koriliano që sanksionoi alfabetin latin në Kongresin e Manastirit
Nga më i vjetri shkrim shqip i vitit 1167, i zbuluar nga historiani Nicolae Jorga në dorëshkrimet e Bibliotekës ‘Laurentiana’ në Firence (Ashburnham 1167 Laurentiana; Hasan Aliaj “Rrënjët” Nr. 17. 2019) dhe deri në Kongresin e Manastirit 1908, patriotët shqiptarë kanë bërë përpjekje titanike për të ruajtur pastërinë e gjuhës sonë amtare. Ka shumë veprimtari të organizuara për këto qëllime të larta, janë hartuar shumë alfabete, janë lënë dorëshkrime të shkurtra e të gjata dhe plot vepra. Ndërmjet veprimtarive të shumta e të rëndësishme janë dhe kongreset e patriotëve arbereshë, që miratuan alfabetin shqip me gërma latine dhe kontributi i patriotëve shqiptarë, që organizuan kongresin e Manastirit, që miratoi alfabetin që kemi aktualisht.
Më 1 – 3 tetor 1895, pra 125 vjet më parë, zhvilloi punimet kongresi i parë gjuhësuer shqiptar në Koriliano Kalabro të Provincës së Kozencës, një ngjarje e rëndësishme e pasqyruar gjërësisht në shtypin italian dhe europian të kohës. Tema e këtij kongresi ishte prezantimi i aspekteve gramatikale, leksikore dhe fonetike të gjuhës shqipe, të asaj gjuhe të lashtë, të ëmbël e melodioze, që arbëreshët e ruanin dhe e kultivonin me dashuri dhe patriotizëm shembullor. Kongresi i zhvilloi punimet në mjediset e gjimnazit Garopoli të Korilian-Kalabro dhe morën pjesë 25 kongresista gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe klerikë të shquar të kishës arbëreshe. Ky aktivitet shkencor gjuhësor dhe patriotik u ndoq nga rreth 500 pjesëmarrës të ardhur nga komuna të ndryshme të Kalabrisë, Kampanjeë, Pulias dhe Siçilisë.
Si kuptohet, aktiviteti i parë tekniko-gjuhësor dhe patriotik, në krijimin e alfabetit, për shkrimin e gjuhës shqipe dhe para Kongresit të Manastirit (më 14 – 22 nëntor 1908), ishte kongresi i Koriliano – Kalabro, me pjesëmarrjen e 25 arbëreshëve shqipfolës, të cilët hartuan dhe miratuan alfabetin e gjuhës shqipe me grafema latine.
Me 2 tetor 1895, pjesmarresit ne Kongresin e Koriliano miratuan themelimin e Shoqërisë Kombëtare Shqiptare, statutin dhe këshillin drejtues:
Kryetar nderi, Jeronim De Rada dhe nënkryetar Pietro Kamodeka, Anselmo Lorekio, Akile Toçi. Në artikullin 1 të Satutit theksohet:
Asht themelue nji Shoqni Kombëtare Shqiptare, e cila do të përkujdeset:
a) Për njisimin e nji alfabeti të vetëm
b) Për përpilimin e një fjalori
c) Per perpilimin e abetares ne gjuhen shqipe
d) Për botimin e një reviste italo – shqiptare
e) Për të fillue marrëdhëniet me Mamën – Atdhè.
Kongresi përshtati alfabetin e gjuhës shqipe që kishte përdorur Jeronim De Rada në vitin 1848 në gazetën “L’albanese d’Italia – Shqiptari i Italisë”, në vitin 1888 në gazetën “Fiamuri i arbërit” që botohej në Kozenca, si dhe në shtypjen e “Rivista italo –albanese” me nëntitullin “Illi i arbresvet – Ylli i arbëreshëve” me drejtor Anotnio Argonizza. Alfabeti i Koriliano përmbante 7 zanore dhe 29 bashtingëllore, që i perkonin tingujve të gjuhës së folur në dialektin arbëresh:
Zanoret: a, e, i o, u, è, ë
Bashkëtingëlloret: b, c, d, f, g, j, l, m, n, p, q, s, t, v, x (si në italisht) dhe
gj, gh (e egher – e egër), h (herë), ň (një), r, rh – rr, ŝ (sh), k – q,
dh – δ , th – θ, z – ζ (Zot), sg – zh.
Si kuptohet nga struktura e alfabetit, gjuhëtarët arbëreshë ishin të ndikuar nga italishtia, si gjuhë e të folurës së përditshëme në mjedisin shoqëror ku jetonin, andaj huazuan germa nga italishtia, kësisoj ne vend të germës “k” përdorën “q”, për “nj” morën “ň” nga spanjishtja etj.
Për tingujt e gjuhës së folur arbëreshe, kongresistët huazuan dhe germa të veçanta, p.sh shtuan germën è me theks si gjuha frënge, përdorën germen “ë”, për tingullin Z huazuan germën grekeζ, për bashtingëlloret dyshe “dh” përdorën grafemën greke δ; ndersa për tingullin “th”, grafemën greke θ.
Alfabeti i Koriliano, ishte përshtatur dialektit arbëresh të gjuhës shqipe, andaj u përdor nga autorët arbëreshë në shumë vepra letrare, ne tekstet mesimore per kolegjin e Shen Adriano, ne shtypin areresh te kohes dhe ne shume vepra të botuara pas kongresit.
Në vitin 1896 u mblodh kongresi i dytë i gjuhës shqipe në Lungro, ku u miratuan aktivitetet e kryera gjatë një viti dhe njëkohësisht u miratua statuti i Shoqnisë Kombëtare Shqiptare (Associazione Nazionale degli Albanesi).
Alfabeti i miratuar në Kongresin e Korilianos mbijetoi 13 vjet, deri sa u miratua alfabeti i unifikuar dhe i standartizuar në Kongresin e Manastirit, në viti 1908.
Pjesëmarrësit në Kongresin e Koriliano Kalabro hartuan dhe miratuan abetaren e gjuhës shqipe.
Në vitin 1896, Anselmo Lorekio (avokat, poet, gazetar dhe shkrimtar arbëresh), në zbatim të detyrave të kongresit të parë të gjuhës shqipe, botoi abetaren shqipe, ndërsa në vitin 1897 botoi gazetën në gjuhën shqipe “La nazione albanese”.
Në vitin 1899, në Kolegjin e Shën Adriano filloi rregullisht mësimi i gjuhës shqipe, ku Jeronim De Rada shkonte tre ditë në javë për të dhënë mësime në gjuhën shqipe. Edhe pse i moshuar, De Rada udhëtonte në këmbë nga San Demetrio deri në Shen Adriano për t’i mësuar djelmërisë arbëreshe gjuhën e bukur shqipe.
Kongresi i Manastirit (1908) e unifikoi dhe e standartizoi alfabetin, kësisoj u shtua zanorja Y, u hoq zanoria è– e theksuar dhe u strukturuan bashkëtingëlloret dyshe gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh.
Kjo histori përpjekjesh dhe aktiviteti intensiv intelektual dhe patriotik, për të ruajtur gjuhën tonë të lashtë, duhet të frymëzojë brezat e rinj, sidomos ato në emigrim, që t’iu mësojnë fëmijëve të flasin, të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e bukur shqipe, pra të hapen shkolla shqipe kudo ku banojnë shqiptarët në emigracion, sidomos në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Austri, Spanjë, Suedi, SHBA, Kanada, Francë, Gjermani e deri në Australi dhe Zelandën e Re.
E theksoj këtë këshillë, pasi po ndodh një dukuri e pakëndshme, sepse disa fëmijë shqiptarë, kryesisht ata të lindur në dekadat e fundit në vendet e tjera ku kanë emigruar familjet shqiptare, nuk e flasin mirë gjuhën shqipe, madje disa as nuk dinë të flasin, të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën tonë.
Në maj të vitit 1997, në Certaldo të Italisë, shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, kur konstatoi se disa fëmijë shqiptarë, nuk dinin të flisnin shqip, u revoltua dhe iu drejtua me kritika të rrepta prindërve të tyre, të cilëve iu tha: “Fëmijët tuaj mund të mësojnë disa gjuhë të huaja, por kurrë nuk do të jenë shqiptarë të mirë, në se nuk dinë gjuhën amtare. Mësojuni fëmijëve gjuhën e bukur shqipe, gjuhën tonë të pasur dhe të mrekullueshme”.
Një ngjarje e njëjtë i kishte ndodhur mendjendriturit Faik Konica në vitin 1900 dhe ai i revoltuar shkruajti: “Këta që kanë patur mjaft durim për të mësuar gjuhë të huaja, a s’mundin, për dashuri të Shqipërisë, të kenë mjaft durim dhe të përpiqen të mësojnë sa më mirë e më kulluar edhe gjuhën e tyre amëtare”?!