Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Skenarët e goditjes së ekonomisë

 No photo description available.

Në shtypin ndërkombëtar projektohen skenarët e goditjes së ekonomisë.
Sa do ndikohet rritja ekonomike në varësi të parashikimit të goditjes: e fortë, shumë e fortë, ekstreme.

Sipas Standard&Poor’s, ja cilat janë devijacionet në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto për disa vende, përfshi Shqipërinë.

Çfarë do të thotë kjo?

Masat e shtrëngimit, karantina e fortë dhe kufizimi i plotë janë të domosdoshme për vende me shërbim shëndetësor të dobët në masa, në teste.

Por nga ky shtrëngim pasojat në ekonomi janë të rënda, duke parashikuar reçesion për të gjithë vendet e OCDE-së. Pa një stimul fiskal dhe masa mbështetëse për garantimin e konsumit dhe një lloj rentabiliteti nga bizneset do jetë një tunel tjetër i gjatë përballë.

Financimi i krizës dhe nisja e ekonomisë janë të domosdoshme, që nga financimi pagave, pse jo dhe qirave, madje me një minimum edhe për ata që kanë punuar në të zezë. Buka nuk i privohet as kriminelit në burg më thosh një mikeshë sot. Me krijim monetar të brendshëm është e mundur, pa i hyrë aventurave me eurobonde, që do na ekspozonin ndaj një risku e kostosh të frikshme. Me mjete të brendshme, borxh të brendshëm, shtypje monedhe pasi inflacioni i ulët na e lejon, me një sjelle më aktive të Bankës Qendrore, që ngjan tejet e kufizuar në këto kohë me gjithë mjetet në dispozicion.

Borxhi i jashtëm, ndërhyrjet në raportet mes palëve në kontrata, trajtimi i biznesit me paketën sociale dhe jo ekonomike, mbajtja e anës në debate europiane mbi skemën gjermane a italiane e franceze, lënë shqiptarin jo vetëm pa bukë sot, por në një krizë të gjatë, të një rënieje jociklike. Aty ku edhe më të pasurit e nginjurit në këtë vend do ngjajnë si një makinë Bentley, super luksoze, që rri parkuar se s’ka më karburant për ta ndezur, e për pasojë me bateri e goma të rëna.

Duhet ndezur ekonomia dhe të paktën të shohim një plan ekonomik. Është koha, zien çdo vend nga ky debat, paketat e ndihmës emergjente tashmë nuk janë vetëm sociale, por edhe ekonomike. Koha për të parë planet, parashikimet, skenarët dhe zgjidhjet.

Please follow and like us: