Mjekët, gazetarët, Policia dhe Ushtria – katër armatat e heronjve të heshtur përballë armikut të padukshëm
Albert Z. ZHOLI, publicist, shkrimtar, kryeredaktor i gazetës “Labëria”.
Në këtë luftë pa front, ata janë 4 armata të fuqishme që veprojnë dhe luftojnë në heshtje, pa zë, por me zemër.
Dy armatat e para, Mjekët dhe Gazetarët!
Të dytët, Policia dhe Ushtria.
Mjekët sot më tepër se kurrë (e theksoj sot-jo e kaluara) i përmbahen betimit të Hipokratit: “Betohem për emër të Apollos mjekut, të Asklepiusit dhe Higjeas e Panaceas, e për emër të të gjitha perëndive dhe perëndeshave, që do të jenë dëshmitarë të mijë, se do ta përmbush sipas aftësive dhe gjykimit tim, këtë betim dhe detyrim; Se do ta trajtoj atë që më mësoi Artin e mjekësisë, si të jetë prindi im, dhe do të kaloj jetën time me të, dhe do ta ndihmoj në pastë nevojë; pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe atyre do t’ua mësoj Artin e mjekësisë, nëse do ta duan këtë gjë, pa pagesë dhe pa shpërblim; Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mijë, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që pranohen me marrëveshje dhe nën betim sipas Ligjit të mjekësisë; por askujt tjetër….”.
Gazetarët!
Sot janë çdo minutë çdo sekondë ku është lajmi për Covid-19. Në zonën e zjarrit, natën dhe ditën. E mendoni dot veten në kushtet e karantinës pa televizor, pa lajme, pa gazetarët?! Vlerësojini, mos i fyeni! Ata janë heronj në çdo kohë, janë fryma, ndërgjegje e popullit që përfaqësojnë….
Gazetaria, gazetarët, realiteti dhe e ardhmja
Gazetarinë të bukur e bëjnë gazetarët e mirë dhe të zotë- apo të vështirë, ata që ngecin në këtë profesion pa e dashur atë. Ndaj edhe gazetarët që kërkohen, që kujtohen, që merren si pika referimi për kohët, janë pak, shumë pak, por mëse të mjaftueshëm për të krijuar idenë se kur e do një profesion e bën atë të lexueshëm, të shikueshëm dhe tërheq vëmendjen e shoqërisë dhe politikës ndaj tij. “Ai që nuk lexon kurrë gazeta, është i marrë, por ai që beson çdo gjë që lexon, vetëm se thuhet në gazetë, është edhe më i marrë”, është shprehur para dy shekujsh August fon Shlëcer, historian dhe gazetar gjerman në fundin e shekullit të 18-të, kur ende televizioni nuk ishte shfaqur si ide. Parë në këndvështrimin e kësaj sentence, del qartë se gazetaria është sa profesion i vështirë po aq i bukur.
Është i vështirë sepse duhet ta bësh lajmin në kohë dhe të besueshëm që gazeta të blihet (ndërsa sot televizioni të shikohet), është e bukur sepse nëpërmjet lajmit apo komentit, njerëzve u serviret në duar ushqimi i përditshëm shpirtëror për të ruajtur ekuilibrat e dy marrëzive, atë që njeriut të mos i shkojë ndërmend të lexojë (nqs lajmi është i pa bazë), por edhe atë që jo çdo gjë që lexon ta fusë brenda vetvetes me seriozitetin më të madh… Shërbimi mediatik është një mjet për të transmetuar jetën e secilit, bashkësisë dhe një globi të tërë, me ngjarjet më pikante, ndaj dhe rëndësia e tij është më shumë se forca e perëndisë. Dikush mund t’i ketë zili gazetarët. Leximi i emrit në gazetë është disi tundues për lexuesin e thjeshtë, por edhe atë me përvojë (kualifikuar). Lexuesi mendon se një gazetar mund të ndihet disi krenar për veten, ngaqë emri i tij del në gazetë, apo shfaqet në ekran. Por në gazetë apo ekran nuk dalin zhgënjimet, rivaliteti, xhelozitë, fyerjet, poshtërimet, ankthet, montazhet, efektet, zërat, përplasjet që i ndodhin çdo gazetari në profesionin e tij. Gazeta apo ekrani është dukja e një fabrike të madhe e cila punon “nëndheshëm” por me mendjen më të civilizuar dhe me pjekurinë maksimale, se ndryshe, jo vetëm nuk do duket puna e gazetarit, por do mbytet edhe ai vet nën trysninë e shikuesit apo lexuesit që zakonisht di të çmojë dhe të vlerësojë.