Albspirit

Media/News/Publishing

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl. (1)

Në kërkim të eshtrave të babait Eugjen Merlika (voal) | Radi and Radi

7 Prilli, pushtimi fashist e rrethanat ndërkombëtare të tij 

Eugjen MERLIKA

Zakonisht katastrofat, në jetën e kombeve, kanë një aftësi bashkimi e kompaktësimi të shoqërisë në gjirin e tyre. 7  prilli 1939, në historinë tonë, nuk pati një fat të tillë. Ai e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi.

Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog i a shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet Mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Nuk ka asgjë më të rreme e më pa baza se ky “postulat”, që prej gati 80 vjetësh turbullon kujtesën historike të shqiptarëve. Asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu, nuk ka patur mundësi t’a shmangë. Sfidoj cilindo që të vërtetojë të kundërtën e këtij pohimi, qoftë edhe me një dokument të vetëm të vërtetë, jo me hamëndje dashakeqe demagogjike, të vëna në shërbim të politikës e të mbetura të tilla edhe sot, kur ajo lloj politike ka dështuar duke lënë mbrapa vetëm gërmadha.

Mbreti Zog që, deri në fund, i vazhdoi tratativat vetë ose nëpërmjet titullarëve të Qeverisë, vendosi të largohet kur e kuptoi se kërkesat italiane nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë shqiptare. Bisedimet ishin një shprehje e hipokrizisë së politikës italiane, mbasi vendimi për pushtimin ishte marrë nga Kryeministri italian dhe ministri i jashtëm i tij, rreth një vit më parë. Mjafton të lexohet Ditari i Çianos :

Viti 1938

30 prill. I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipëri. Do t’i përmbledh në një raport. Po ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e më thotë se, për të patur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë një luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë : “Ja fiqtë e Kartagjenës”.

10 maj. Në tren me Duçen diskutuam promemorien time mbi Shqipërinë. Bie dakord me vendimet e mia e mendon që muaji i mirë për veprim do të jetë maji i ardhshëm. Kështu do të kemi një vit për përgatitjet lokale e për ato ndërkombëtare. Meqënëse do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca me Ingliterrën do të jenë patjetër kundra nesh, është mirë të shtrëngohet Pakti me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavia e veçuar nga miqësitë e saj perëndimore e lindore, e shtrënguar midis Italisë e Gjermanisë, do të duhej të durojë e të adaptojë qëndrimin që kemi adaptuar ne ndaj Anshlusit.

Fola me Jakomonin e kërkova të më përgatiti një plan veprimi lokal : vepra publike, bamirëse,veprimtari ekonomike, sportive e, mundësisht, politike.

19 maj… Si pasojë e një informacioni nga Tirana lidhur me aktivitetin e ekzagjeruar të Ministrit të Gjermanisë, Duçja më tha t’i bëj të ditur Ribentropit se ne e konsiderojmë çështjen shqiptare si “çështje të familjes”; formulë e përdorur nga ata për Austrinë e Sudetet. Pra “hands off”. Deklaroi se është gati të shkojë menjëherë  në Shqipëri edhe me çmimin e ndezjes së luftës evropiane. Tani po vlerëson mjetet ushtarake.”[1]   

Këta ishin planet e fshehta të drejtuesve të shtetit italian që, në asnjë rast, nuk mbanin parasysh e nuk merrnin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve, as për të diskutuar mbi një kundërveprim të mundshëm të tyre. Janë shprehje të mendësisë megallomane të shtetit të madh në një epokë ku gjithënjë e më tepër zotëronte fuqia dhe zbeheshin liritë e të drejtat, mendësi që gjen edhe një motiv tjetër shtytës në garën me miken rivale, Gjermaninë. Kjo e fundit kishte pushtuar Austrinë më 12 mars 1938 dhe do të sulmonte Çekosllovakinë më 15 mars 1939, duke detyruar Presidentin Hacha të nënëshkruante pushtimin dhe ndarjen e Vëndit në dy shtete : Çeki dhe Sllovaki. Fillonte kështu zbatimi i “rendit të ri” në Evropë, me rikthimin e disa territoreve që Konferenca e Versajës i kishte mohuar Hungarisë e Polonisë.

Ishte parahyrja e Luftës II Botërore, të cilën Anglia e Franca u munduan, në të gjitha mënyrat, t’a shmangin ashtu siç bëri dhe BS, duke nënëshkruar Paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Më parë ishte zhvilluar konferenca e Mynihut, një përpjekje skajore për të ndaluar luftën që afrohej. Ajo qe një mashtrim i madh që Hitleri i bëri tre kolegëve të tij, përfshirë këtu, veç  kryeministrave të Anglisë e të Francës edhe Musolinin, të cilët u larguan që andej me bindjen se kërkesat e Gjermanisë, me marrjen e Sudeteve, ishin plotësuar. Aq sa kryeministri anglez, me t’u kthyer në Londër, deklaroi i kënaqur : “Besoj se ka paqe për epokën tonë”….

Duke u kthyer tek përgjegjësitë hipotetike shqiptare për pushtimin, ato mund të barazohen me zero. Mbreti shpresoi deri në fund se do të gjente një marrëveshje me Musolinin, që të ruante pavarësinë e Vendit. Qeveria shqiptare pranoi të verë në dispozicion të ushtrisë italiane portet dhe rrugët që do të shërbenin për të organizuar “mbrojtjen e Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i fqinjëve”, por këto nuk mjaftuan. Mesazhet mes Zogut dhe Musolinit vazhduan deri më 6 prill, por Mbreti shqiptar e kuptoi se i duhej të vendoste ndërmjet ikjes nga Vendi dhe qëndrimit në kushtet e vartësisë italiane. Nga shumë anë kanë rrjedhur paditë se Mbreti nuk organizoi qëndresën e armatosur. Vendimi i Mbretit ndryshe nga kjo mundësi tregoi pjekurinë, largpamësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj interesave t’Atdheut, sepse shtyrja e këtij të fundit drejt vetëvrasjes ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhej. Ishte praktikisht e pamundur, sepse nuk kishte asnjë mundësi qëndrese ndaj një ushtrie të madhe e të paisur me mjete bashkëkohore lufte. Qëndresa do të thonte dëme të pallogaritëshme në njerëz e në pasuritë e qytetarëve e të Shtetit, sepse “dyfekët me gjalmë” nuk mund të haheshin me topat apo aeroplanët e Italisë. Dikush mund të nxjerrë si argument qëndresën greke më vonë kundrejt sulmit italian, por rastet nuk ngjasojnë, jo vetëm se Greqia kishte një ushtri të organizuar më së miri, por edhe sepse mbas saj qëndronte Anglia, e gatëshme të dërgonte forcat e saj në ndihmë. Shqipëria nuk mori nga Qeveritë e Evropës asnjë lloj inkurajimi për fatkeqësinë e saj.

Gjykimet mbi çaste të caktuara të historisë duhet të mbajnë parasysh veçantitë dhe rrethanat e atyre çasteve. Një gjykim që bazohet vetëm mbi parime, pa u ballafaquar me ato veçanti e rrethana, kthehet në një moralizëm shterpë e nuk mund të jetë as i saktë e as objektiv. Mos të harrojmë se asnjë nga shtetet e vegjël evropianë, duke filluar nga Norvegjia e Danimarka në veri, tek vendet e Beneluxit në perëndim, tek republikat baltike në lindje, tek shtetet e Evropës qëndrore, nuk organizuan qëndresat që mëtonin komunistët shqiptarë në historiografinë e tyre, mbasi këto qëndresa kërkonin ushtri të organizuara në shkallën më të lartë. Madje Franca e më pas Rusia treguan se edhe këto ushtri ishin të pamjaftueshme të përballonin fuqinë ushtarake gjermane. Koha provoi se vetëm ndërhyrja e forcave ajrore amerikane bëri të mundur kundërsulmin rus në fillimin e 1943-it dhe kthesën e luftës. Për të kuptuar sot se si jetoheshin ngjarjet e asaj kohe po sjell një pjesë nga “Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare” :

…Musolini nuk lëvizi dhe nuk i u përgjigj thirrjeve për ndihmë të Schuschnigg-ut. Atëherë, Hitleri i dërgoi një telegram Musolinit, duke thënë se “nuk do t’a harronte kurrë”. Musolini i u përgjigj: “Qëndrimi im është i përcaktuar nga miqësia mes dy vendeve tona, që është vulosur me krijimin e Boshtit”…

Mirëpo në orën 16:30, Chamberlaini i dërgonte telegram ambasadorit të Anglisë në Vjenë, me qëllim që ky i fundit të mos këshillonte rezistencën dhe nga ana tjetër u paralajmërua edhe qeveria franceze. Pra, i vetmi reagim ishte nota e protestës, që Francois – Poncet e komunikoi mbrëmjen e 11 marsit” [2]

Kur dhe Anglia e Franca kishin vështirësi të këshillonin qëndresën e Austrisë, që kishte qënë për shekuj një perandori, të gjitha insinuatat për Shqipërinë, nga cilado anë të vijnë, nuk janë realiste e nuk i shërbejnë vërtetësisë në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe dinamikës së tyre. Ato mund t’i shërbejnë demagogjisë së një pjese të politikës, asaj komuniste, për të justifikuar rrugën kriminale me të cilën e mori dhe e mbajti pushtetin. Ja çfarë deklaronte në Dhomën e Komuneve më 13 prill 1939 Kryeministri i Britanisë së Madhe:

“…Cilido që ka njëfarë ndjenje përgjegjësie nuk mund të bëjë me lehtësi diçka që mund të shkaktojë një shtim të tensionit ndërkombëtar. Secili do të dënonte humbjen e përfitimeve që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të përfunduara mbas një diskutimi të ndërsjelltë”.[3]

Shqipëria, e vetme në rrugën e saj, nuk kishte tjetër zgjedhje veçse të mundohej që, nëpërmjet politikës së saj, të pakësonte dëmet e pushtimit e të punonte për t’i dhënë Bashkimit një karakter sa më të dobishëm  për shqiptarët. “Shqipëria e pavarur nuk ekziston më” shkruante Çiano në Ditarin e tij. Këtë e kuptonin mirë atdhetarët shqiptarë, por vazhdonin të shpresonin se në fjalët e bukura të Musolinit, Çianos apo Jakomonit do të kishte sado pak të vërtetë.

Një tjetër tezë e historiografisë komuniste është dhe një “marrëveshje” e Opozitës kundër zogiste jashtë me Italinë për pushtimin. Edhe kjo është një tjetër tollumbace propagandistike. Duke marrë si dëshmi kujtimet e M. Krujës apo të A. Këlcyrës, që kanë qënë protagonistë të ngjarjeve për të cilat flitet, është e qartë se një farë bashkëbisedimi ka ekzistuar ndërmjet organizatorit të rinisë fashiste Xhiro dhe Ernest Koliqit e Mustafa Krujës. Ky i fundit mbante në dijeni edhe kolegët e tij të Bashkimit Kombëtar mbi bisedimet.

Italianët, në kuadrin e dredhive karakteristike të politikës së tyre, donin të gjenin tek Mërgata një shkak për të justifikuar planin që kishin hartuar. Por Mërgata, që donte të rrëzonte Mbretin, ishte e gatëshme të pranonte vetëm një princ të shtëpisë së Savojës për Mbret të Shqipërisë. Ishte edhe për bashkimin doganor, që do të sillte dobi për tregtarët shqiptarë që furnizoheshin me mallrat italiane. Bisedimet dështuan sepse italianët kërkonin bashkimin e kurorave dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri. Mustafa Kruja, që kryente bisedimet, më 19 mars i telegrafoi kolegëve të BK se “Tregtia u pezullue”. Pra çdo përpjekje për marrëveshje mori fund. Më 3 prill ai shkoi në Grenobël dhe vuri në dijeni të tjerët se pushtimi ishte i vendosur e nuk kishte asnjë shpresë të pezullohej. U bë një përpjekje e dëshpëruar nëpërmjet një telegrami, drejtuar Musolinit, nga ana e Mërgatës, i firmosur nga M. Kruja, Q. Koculi e A.Këlcyra, në të cilin shprehej shpresa se Italia do t’i mbante  premtimet e saj për të respektuar pavarësinë shqiptare.

 

[1] Galeazzo Ciano   Ditari (1937 – 1943)  Shqipëria  Albinform 1994  faqe 13-14

[2] Jean – Baptiste Duroselle, André Kaspi  “Historia e marredhënieve ndërkombëtare” vëllimi I  f. 268

[3] Francesco Jacomoni  di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  Capelli editore F. 151

 

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl. (2)

Please follow and like us: