Albspirit

Media/News/Publishing

Albana Shala: LOJË SHTËPIASH

Image may contain: 2 people, people standing

Atje, te shkallët e ftohta të pallatit,
fëmijët luajnë shtëpiash.

Me kukulla, pasqyra, pulla, peshore,
vagonë trenash e targa makinash të rralla.

Dy jevgj të vegjël –
Romeo dhe Xhuljeta,
pinë ujë shiu nga ulluku,
qeshin si të dehur dhe puthen.
Thonë se janë motër e vëlla.

Sapo ka lindur ime motër,
mezi pres që ajo të rritet,
sepse dua të bëj edhe unë si ata.

Ndërkohë u ndërroj vendin mobiljeve të shtëpisë,
kam nxjerrë shëtitje dy kukulla,
kam mbledhur ca pulla shtetesh me emra vajzash të bukura,
mësoj të lexoj, të numëroj e të shoh ëndrra me sy hapur,
kam puthur një shok klase faqekuq e flokëzi,
jam dashuruar kokë e këmbë me David Koperfildin
– nuk di nëse dua të jem Dora apo Anjeza –
kam kapur e kam lëshuar shumë xixëllonja,
kam thyer tri palë syze,
dhe nuk di se ç’do të ndaj më parë me motrën.

© Albana Shala “Parajsa është e portokalltë” poezi – Botime Dituria.

Please follow and like us: