Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Vizita  

Tregim 

Dita është shumë e bukur. Qetësia e prajshme. Unë eci gjithmonë drejt. Ajri është i kthellët, i tejdukshëm. Nuk arrij të kuptoj nëse është një ditë e fëmijërisë, apo një ditë e zakonshme e moshës sime të tanishme. Dija që nuk isha më fëmijë, por i rritur sepse e perceptoj këtë gjendje pjekurie dhe tek eci mbaj në xhep 30 lekë të vjetra. Lekë të asaj epoke që nuk kthehet më, edhe pse tani, burrë me flokë pak të thinjura, me siguri duhet t’i kisha kaluar të 50-at.

Tek ecja drejt, mendoja se nuk duhet të isha këtu në këtë moshë, edhe pse ishte gjëja më e natyrshme të gjendesha këtu, në këtë mjedis. Këtu ku shpesh fantazia, kujtesa, dëshira e fortë, pa e pyetur vullnetin, shkon sipas humorit të zemrës.

Tek eci më duket sikur ne, gjatë gjithë jetës, nuk bëjmë tjetër veçse bartim sipër nesh fëmijërinë tonë, përherë. Kjo dallgë e ëmbël kujtimesh, si një fllad i papritur, i padukshëm më përshkoi qenien time dhe ndjeva fort pulsimin e saj. Mund të ishte 1976, por mund të ishte dhe 2023, nuk isha në gjendje ta kuptoja. Veshja, mosha, pjekuria më bëjnë të mendoj se jam në kohën e dytë, por toka ku shkel, rruga e gjatë plot gurë të pluhrosur, heshtja e një dite vere pasdite, pemët e kredhura nën ngrohtësinë e zhegut të vapës me hijet e tyre të palëvizshme, më bën të mendoj se jam përtej kohës.

Jam në kohën e largët të fëmijërisë. Konturet e kodrave larg, ato të Shtrazës apo ato të Gjepalajve janë të njëjtat konture kur fëmijë vija këtu duke bërë një orë e gjysmë në këmbë, por strukturat e shtëpive janë ndryshe. Kjo heshtje pa njerëz e bën të pamundur për ta kuptuar nëse është ëndërr apo e vërtetë kjo situatë aq e çuditshme dhe e veçantë. Një gjë është e sigurtë. Nuk jam në ëndërr, sepse gjithçka është aq e kthjellët, aq e qartë, aq e pastër sa unë ndjej gjithçka me një forcë perceptimi shumë më të madhe se sa në jetën e përditshme. Tek eci, një puhizë e ëmbël verore sjell bashkë me aromën e ngrohtë të tokës dhe shijen e grurit të korrur. Një melodi e largët, e cila gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë përherë. Shtrëngoj fort kartmonedhën e letrës me gishtat e burgosur në xhepin e xhinsave dhe them me vete: Qëllimi im është ta lë këtë monedhë aty ku e kam gjetur. Nuk them vjedhur, sepse me sa mbaj mend monedha 30 lekëshe ishte e braktisur në të largëtin 1976, në muajin qershor, kur Meta, gjyshi kishte zbritur poshtë tashmë dhe shtëpia në fshat i ishte shitur Latifit. Atje jetonte akoma Saliu me familjen, derisa të mbaronte viti shkollor, ku ai ishte mësues.

Është e rëndësishme, që unë, tani që jam i rritur dhe i pjekur, ta lë këtë monedhë, atje ku e gjeta, mendoja. Kam bërë një budallallëk të madh atëhere. Mendje fëmije!

Por tek i ngjitem malores me kaçubet afër rrugës dhe gardhin e dikurshëm me ferrat e dendura, shoh se shtëpitë e Cialliksve, të Konve, janë banesat e dikurshme, me tulla te kuqe, suvatime shkel e shko dhe gëlqeren e bardhë, ku kakarisin pulat dhe qeni i bahçes ulëret netëve me yje. Shtëpi të vjetra fshati të mbytura nga degët e fiqve, kumbullave dhe shegëve në bahçe.

I habitur tashmë nuk gjej më ato shtëpitë e vjetra fëmijërie, as dyert e kalbura plot me plasaritje nga shiu dhe era, por janë vila të mrekullueshme, por të heshtura, ku nuk ka më këmbë njeriu. Vila të cilat në ndërgjegjen time më bëjnë të reflektoj. Atëherë nuk jemi në 1976, por jemi në 2023, sepse këto lloj ndërtimesh, këto vila të mrekullueshme, janë ndërtuar pas viteve ’90-të. Pas eksodit të madh i cili trandi tërë kombin.

Nuk kuptoj. Por ky është një pështjellim i cili nuk më shqetëson shumë. Duket sikur jam i ndërgjegjshëm për këtë ngatërrim kohësh, moshash, epokash. Një fllad i ngrohtë veror, fillon të përkulë barin dhe lulet andej-këndej. Nëse është kështu, atëhere nuk duhet të jetë më as dhe shtëpia e vjetër në kodër, atje ku jam drejtuar të shkoj. Shtëpi e cila ishte rrënua me kohë, nga vjetërsia por sidomos nga indiferenca dhe mospërfillja  e pronarëve të cilët e blenë më vonë. Herën e fundit që e kam parë, ishte kur fejuam Lili dhe shtëpia kalonte momentet e saj të fundit, gjysmë e shembur. Latifi ia kishte shitur një malësori, i cili e përdorte për të strehuar dhentë.

Por atëhere ç’bëj këtu? Nuk jam vallë në ëndërr? Po të isha në ëndërr nuk do të shihja kaq kthjellët këtë kalldrëm të pluhurt, këtë tokë të shkrifët, këto lule të vockla erëkaltër; nuk do të dëgjoja këngën e thëllëzave poshtë degëve dhe as shushurimën e mistershme të gjetheve të manit, të tundura nga era e ngrohtë e asaj toke! Gjithçka është aq e çuditshme. Jam i madh tani?! Thonë se shpirti nuk ka moshë, veç pasurohet në njohuri dhe përsoset, ndërsa vetëm trupi plaket. Përse mos t’i kishte njeriu bashkë, freskinë e rinisë dhe mençurinë e plakjes? Do të ishte me të vërtetë një mrekulli. Jam vetja ime, po, tani. Por jo më fëmijë tek rend me këmbët zbathur, i nxirë nga dielli, lakuriq, me llastiqet dhe kërrabën e  ngjeshur në brez tek pantallonat e shkurtra tërë baltë të tharë dhe kërcinjtë plot me dregëza dhe pluhur. Zukatja e gjinkallave bëhet akoma në këmbëngulëse.

Ç’epokë do të jetë vallë? Nuk është një shaka. Unë duhet ta lë këtë kartmonedhë atje ku e mora atëhere. Dikur më falej sepse isha i vogël, por tani nuk më falet më, sepse jam gati 9 herë më i madh. Është vallë një ëndërr tërë kjo histori? Di që nëpër ëndrra, situatat janë aq të kthjellta dhe të pastra sa ia kalojnë dhe reales. Dua ta zbuloj dhe këtë gjë. Vetëm atëhere më shfaqet shtëpia e vjetër me trinën e drunjtë. Është po ajo e dikurshmja. Është e çuditshme. Është ajo, por në të njëjtën kohë nuk është më ajo. Është si e shpëlarë nëpër ujra mrekullie. Ndrit e tëra dhe ka një rregullsi ëndrre.

Mrekullia më ngjeth mishrat prapa kokës dhe nxjerr një gulçim habije. Rri si i shtangur. Rregullsia e oborrit me lulet përgjatë më mrekullon. Poshtë landrës, ose lules së xhamisë, si ne e quanim, sythet rozë kanë një esencë të përjetshme, ndezur nga drita e pasdites dhe afshi i këndshëm i diellit lë në shpirt ndjesinë e asaj epoke. Jeshilet e dendura të gjetheve, si thika të mprehta dhe krenare, janë aq të ndezura sa më habisin fare. Landra rri në heshtjen e saj të sinqertë, natyrale, në vendin e saj të duhur në univers dhe poshtë është akoma tavolina e drunjtë, rrethore, me dy stolat e gjatë në krah.

Atëhere jam në vitin 1976, mendoj. Por unë tani jam i rritur. E di që kam flokë të bardha mbi krye. Ja, mendoj, më mjafton të vë këtë kartëmonedhe mbi gurin në oborr ku e gjeta  fëmijë dhe misioni im do të marrë fund.  Ndoshta mund t’i hedh një sy shtëpisë.

Ngre kokën, por nuk ka asnjeri. Një erë e vakët vere, fund korriku, plot me aroma fshati përtërin gjethishten përreth dhe më zgjon emocione të forta, të vjetra. Kthej kokën nga qoshku i Lalës dhe kjo heshtje e kristaltë, gati magjike, më sjell ndër mend jehonën e një jete të jetuar diku në një skaj të universit. Në një epokë, në një kohë, në një dimension të pakapshëm akoma. Çuditërisht jam akoma këtu dhe nuk jam më fëmijë. Si një vizitator i largët, i huaj, por edhe pjesë përbërëse e asaj jete, hedh hapat nëpër oborrin e vjetër.

Ja oxhaku i dikurshëm, mendoj. Ja vargjet e duhanit. Ja dritaret sipër, ja muri i bardhë i kollonës me zilen dhe me pikturën e Saliut. Ja dhe pëllumbat e Ferikut të cilët guasin akoma brenda në kafaz.

Ngre kokën. Drita e qiellit ka marrë një ngjyrë turkeze aq të fortë, sa duket sikur brenda, një pushtet i padukshëm, t’ia kishte ngritur kontrastet 100 herë më tepër. Kam në shpirt një emocion të mrekullueshëm i cili lëkundet mes një malli të largët, por të shuar dhe një mrekulli gëzimi në zemër i cili bëhet përherë dhe më i dendur dhe sundues. I habitur, por jo i shtangur, eci dhe gjithçka përreth vazhdon të jetë si dikur. Është e njëjta bahçe, i njëjti oborr, të njëjtat pemë dhe mure, por më të bukur, më me dritë, sikur një shpirt i padukshëm dashurie dhe drite, ta kishte përsosur  apo rindërtuar në një dimension tjetër më të lartë.

Ije, o Ije! – ngrita zërin unë duke thërritur gjyshen, siç bëja dikur fëmijë. Atëhere tek endesha përreth mureve e pashë. Ishte prapa shtëpisë me të tjerët që kujtoja vagullt se nuk jetonin më. Si mund të jetonin nëse ishte viti 2023. Ija ishte duke zier manat për mushtin e trashë poshtë zjarrit të madh. Mbi trekëmbëshin e hekurt qëndronte kazani i madh me manat. Pak më tej ishte gjyshi Meta. Rrinte me shuplakat në vithe, pak i kërrusur, i thatë si përherë, xhaketën mbi supe me mëngët e vyshkura pa krahët brenda, pantallonat kadife dhe zinxhiri i orës, i cili varej tek xhepi i vogël. Shihte me një buzëqeshje të lumtur sipër, tek mani plot me fruta të ëmbël ku Saliu tundte degët me tërbim.

Meta ishte shumë më i ri dhe më i pashëm se dikur. Manat e pjekur binin si breshër mbi çarçafin e bardhë dhe të gjerë poshtë. Nuk më kujtohet sa kohë kaloj, ku isha dhe kur. Në ç’epokë, në ç’moment, në ç’moshë, sepse gjithçka zhvillohej me skena të cilat ndryshonin sipas humorit të shpirtit. Manat vazhdonin të vërshonin mbi çarçaf dhe flutura të mrekullueshme plot me ngjyra të ndezura, endeshin andej-këtej duke u krijuar dhe duke u shpërbërë nga asgjëja, si në një botë mrekullie. Kureshtja, malli, habia dhe gëzimi më pushtonin shpirtin si një afsh bekimi të mrekullueshëm dhe vetëm atëhere gjithçka ndriti akoma më shumë si një ëndërr e bukur.

Ije, ngrita zërin unë. Jeni akoma gjallë atëhere?! Brenda vetes kisha tri ndërgjegje.  Njëra ishte ajo e 1976, tjetra ajo e 2023, burrë me flokë të thinjur pak, e treta ishte vetëdija se gjithçka ishte veç ëndërr. Por kjo vetëdije ishte aq e brishtë, sepse e vërteta e asaj skene i kalonte, i mposhtte pikëpyetjet e mia.

Po, tha ajo dhe më buzëqeshi. Këtu jemi të gjithë.

Po thuamë atëhere që kjo nuk është një ëndërr.

Unë nuk po ëndërroj, Ija foli, por unë nuk e pashë të hapte gojën. Kjo është jeta. Ajo ishte ëndrra!

Jeta?! – pyeta unë vetveten.

Ngrita kokën i habitur dhe vetëm atëhere pashë kumbullën e verdhë sipër pusit të vjetër, poshtë rrugicës. Drita e cila thyhej nëpër gjethe, ishte aq e ndezur, i jepte pemës aq forcë në ngjyra, sa nuk të bëhej t’ia hiqje sytë. Një paqe e paparë, një mrekulli e bekuar nga një fllad i padukshëm, më bëntë të jetoja tërësisht atë çast. Një gjendje lumturie e thellë ku gjithçka kishte një përgjigje, një kuptim, një domethënie. Pjesë e natyrës, në mënyrë të pakuptueshme, arrija të dija kush jam, pse jam, ç’bëja aty?

Sa bukur, i thashë, kjo është jeta e vërtetë. Për këtë përgatitemi!

Mu bë sikur tha dhe më pyeti ç’bëja aty.

Atëhere shtrëngova bankënotën prej 30 lekësh të vjetra e nxorra nga xhinsat dhe i thashë: Jam këtu për të ndrequr një gabim të dikurshëm. Ndërkohë, nuk kuptoja nëse ishte 1976, 2023 apo një epokë e ndërmjetme, një jetë paralele, ëndërr apo realitet.

Këtë monedhë, kur Lala zbriti poshtë në Ballias, unë kur isha 6 vjeç e mora pa leje. Tani po e dërgoj ku e mora!

Ajo qeshi me një mirësi të paparë në vështrim.

Të keqen Ija, tha, sa çapkënllëqe bëjnë fëmijët!

Po këtu ku jemi? – e pyeta unë. Këtu jemi aty ku arrihet herët a vonë!

Atëhere pashë të afrohej Lala, gjyshi. Më buzëqeshi me një dlirësi dhe mirësi të cilën e kisha njohur që i vogël, por tashmë, ajo mirësi, ajo dlirësi, ajo forma e tij prej bujku të thjeshtë, tashmë ishte shumfishuar mrekullisht.

Akoma i tregon ndodhitë e tua?! – e pyeta kureshtar.

Ai pohoi me kokë. Ishte e çuditshme. Ishte gjyshi im, njihja vështrimin e tij të thellë me sytë plot dritë sa i dilnin lotët nga gëzimi, i dilnin dhëmbët e bardhë nga e qeshura, por në të njëjtën kohë ishte ndryshe.

Ç’e mirë të ka sjellë? – më pyeti.

Kam ardhur për të mbajtur një amanet!

Amanet!?

Shumë gjëra, shumë gabime nuk do t’i bëja më akoma, tani që jam i rritur. Do t’i bëja ndryshe, por vetëm koha na i mëson gjërat.

Nxorra kartëmonedhën nga xhinsat dhe ndërsa ia tregoja mendoja se gjithçka aty ishte e çuditshme. Në vitin 1976, të kishe një palë xhinsa në Shqipëri, ishte luks i paparë, sepse regjimi nuk i lejonte. Kurse unë i kisha. Atëhere duhet të ishte viti 2023, por gjyshërit nuk ishin më mes të gjallëve që prej 14 vjetësh. Dukej si mbasdite vere. Si ato mbasditet e qeta kur dielli i çmend gjinkallat poshtë ullinjve dhe nxehtësia e këndshme i bie melodisë së përjetësisë. Një melodi natyre e cila përsëritet prej miliona vitesh në tokë. Lulet e vockla, dahliat, gladiolat dhe petoniat ndrisnin mrekullisht. Dukeshin sikur kishin shpirt më vete sepse ndriçonin me intensitetin e shpirtit. Sa më shumë lumturohesha, aq më shumë ato e shtonin intensitetin e ngjyrave me një pafajsi ëndrre.

Po shtëpia?! -pyeta.

Ashtu është! -mu përgjigj.

Doja ta shihja, por më parë duhej të ndreqja gabimin e monedhës. Ta vendosja aty ku e mbaja mend ta kisha marrë. Tek zona e diellit. Tek kopshti djerrë ku Hamide ndizte zjarrin për të zier rrobat.

U afrova si në ëndërr dhe pashë gurin e atëhershëm. Aty e pashë veten fëmijë. Vështrimet tona u kryqëzuan. Unë 53, ai 6 vjeç. U pamë pa luajtur qepallat. Në kokërr të syrit. Të ngrirë.

Je ti?!

Po më duket! – tha duke qeshur dhe preku shenjën në mes të ballit. Ne jemi!

Përse je këtu?

Kam ardhur me mision! Dua të ndreq një gabim që ti ke bërë këto ditë!

Unë nuk kam bërë asnjë gabim! – tha ia. I veshur me rrobat më të mira verore, të cilat nëna si rrobaqepëse i bënte për merak.

Je akoma i vogël dhe nuk ia di rëndësinë shumë gjërave që bën!

Pasi mbarova nxorra kartmonedhën 30 lekëshe dhe duke ia treguar e vura poshtë gurit.

Ja kjo ka ndodhur. Më sa mbaj mend unë ti e more!

Jo. Kujtesa të gënjen. Nuk është e vërtetë. Fakti ndodhi disa ditë më parë. Deja ulëriste se i kishin humbur 30 lekë të vjetra, por as unë as Moza nuk dinim gjë. Ne u habitëm si mund të humbnin lekët në bahçen e shtëpisë.

Posi jo. Ti i more! Kam ardhur për këtë punë nga larg, për të ndrequr gabimin! Monedha ishte e re fringo. Ngjyrë kafe me figurën e kooperativistes së qeshur e cila mbante shportën në sup plot me rrush. Monedha kishte dhe numrin e serisë me shkrimin: I paguhet prurësit më të parë.

Përse nuk më beson?! – tha ai i prekur dhe plot nerva.

Mua nuk më gënjen kujtesa!

Kujtesa?! Kujtesa jote pas 47 vjetësh. Kujtesa nuk është ajo si ka ndodhur, por ajo si ne e kujtojmë, tha ai i prekur thellë dhe ia mbathi me vrap i lënduar.

Ti ke gabuar! – ngrita zërin unë. Duhet ta pranosh. Jo çdo gjë falet vetëm se je i vogël!

Thashë kështu dhe lashë kartmonedhën në vendin ku e mbaja mend. Por kur të rritesh do të kuptosh shumë gjëra! Mes të tjerash do të kuptosh se ne vijmë në jetë për t’u rritur moralisht. Kështu do të shkojmë një ditë drejt përkryerjes!

Kaq thashë dhe u ngrita, por ishin fjalë shumë të mëdha për një fëmijë 6-vjeçar. Fare afër, sikur të kisha hequr një barrë nga vetvetja mu shfaqën detajet e shtëpisë. Era e fortë e duhanit të tharë përgjatë murit më shpoi hundët.

Iu afrova shtëpisë së vjetër dhe me një forcë të paparë evokuese pashë të më kalonin nëpër mend shumë kujtime të asaj epoke të largët.

Ndoshta jeta, mendova, është veç disa gjendje shpirtërore të cilat përtërihen gjithmonë dhe na ndjekin kudo?! Pastaj si i dërguar me duar të padukshme u gjenda tek po ngjisja shkallët e drunjta të shtëpisë në fshat. Nga e majta quri me tërë orenditë e vjetra, nga e djathta guzhina me raftin e madh që kundërmonte era bukë të pjekur. Orenditë e vjetra, tigane, tepsi, kova dhe tundësja e qumshtit në cep të shtëpisë. Nga dritarja, një rreze e bukur dhe e pastër drite tejkalonte ajrin dhe thyhej diku tutje. Shkallët e vjetra kërkëllisnin poshtë hapave të mi të rëndë. Heshtja ishte e thellë. Ishte heshtja e një shtëpie e cila ishte kthyer tashmë një gjendje shpirtërore. Një hapësirë e shpirtit me atë formë, me atë paraqitje fëmijërore. Atëhere, mendova, njeriu nuk është gjë tjetër veç vitet e para të fëmijërisë! Nën hapat e mi solemne, dukej sikur gjithçka më vështronte me kujdes. Muret e vjetra me suvanë e bardhë, parmaku i dërrasës, mugëtira prej ëndrre, ajo kredhje memece kohërash dhe ai ajër i ngrirë në hapësirë.

Sipër, në katin e dytë, shkova drejt tek qoshku i Lalës. Nuk kishte asnjeri brenda. Drita që filtronte nga dy dritaret e kishte mbushur dhomën me një hare pa kohë, pa hapësirë, një festë e përhershme grimcash drite, të cilat fluturonin si krahë të panumërt fluturash të padukshme. Gjithçka ishte e purifikuar nga humori plot zjarr i dashurisë. Akoma nuk kuptoja asgjë, por më pëlqente ajo gjendje lumturie e cila nuk kishte më shpejtësinë fluturake të kohës sonë, ku çastet e lumtura ikin aq shpejt, por gjithçka ishte përgjithmonë, kudo, përherë.

 

Please follow and like us: