Cikël poetik nga Avdush Canaj
PIKTURË NË VARGJE
Në flokë një pyll me lule.
Tri flutura të përgjumura.
Një mollëkuqe gati në fluturim.
Në balluke cicërima e zogut.
Si liqeni rrëzë malit sytë e qeshur.
Pikturë në vargje
shoqja ime.
LULE ME XHINSE
Lena nuk është Lenë,
është lule me xhinse,
kështu i thashë edhe mamit.
Loçka e zemrës i qeshi:
Ke zënë të rritesh.
AJO VJEN SI TRËNDELINË
Zemërimit ia mbyll shtegun
tutje në ugare,
buzëqeshjes i lë hapur
dyer e dritare.
Dhe ajo vjen si trëndelinë
dorë për dore me lumturinë.
SYTË E PRILLIT
Çeli lulja si sytë e prillit.
Zogu ia afroi faqen:
Ti je kënga ime.
Tri herë ia puthi ballin,
lulja u zbukurua edhe më shumë.
Në flatrat e zogut
solli ylberushin.
NË DERË TË YLBERIT
Në derë të ylberit trokita
për një fustan të vjershës.
MELODI
Në melodinë e kitarës
është pranvera ime,
është zogu im.
MAGJI
Kur ti fle trëndafilisht,
ëndërron
si flutura,
si zogu,
xhaxhi poeti
vjershës ia kreh flokët,
ia lidh bistekët
kallirisht.
Faqet ia bënë të mollta
të të ëmbëlsoj ty si dje.
Agimit i troket
në dritare
dhe bie të flejë.
Zgjohet paspak,
ka harruar
vargut t’ia vë
kollaren kuq e zi.
Dhe ti zgjohesh
mrekullohesh,
zemra duartroket:
Magji!
Magji!
KRENARIA
Ani pse u linda
në St. Galen.
Atdhe e kam Kosovën,
i dua lulëkuqet,
Shtëpinë e Lidhjes
e kam histori,
Prekazin e Bac Ademit
gjak lirie.
Në St. Galen u linda.
Nëna më rriti
me ninulla shqiponjash.
Të fisit e kam
krenarinë e Arbrit.