Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Për të vërtetën flasin vetëm ata që besojnë në të

Ndue UKAJ: Poezi – Revista Letrare

Ndue Ukaj

Shoqërinë tonë e kanë vërshuar intrigat, injoranca dhe fytyra e tyre është vizatuar kudo. Prandaj, pasojat reale të degradimit, nuk mund t’i kuptojmë dhe as t’ i imagjinojmë tani për tani. Ato di t’i kuptojmë një ditë – nëse do të kthjellemi – kur do të detyrohemi ta pastrojmë llumin e madh që është mbledhë mes nesh, llum ky që gulçon kudo.

Njerëz, në vendin tonë, intrigat politike, quhen politikë, ndaj është vështirë të flitet për cilësi të mendimit politik dhe për cilësi qeverisje.
Si pasojë e intrigave, “kundërshtarët” politikë vlerësohen vetëm për një aftësi: sa dinë të urrejnë tjetrin dhe sa mund të ndërtojnë intriga.
Disa prej tyre (ju e dini cilët janë), nuk janë udhëhequr prej ndonjë parimi të lartë moral e intelektual. Ata nuk e kanë luftuar të keqen, pa treguar të mirën. Kjo u ka shërbyer por pse e në agjendën personale për t’i realizuar ambiciet personale për pushtet.
Njerëz – të diturit qëmoti kanë porositur “një ide e keqe nuk luftohet me kërbaç, por me një ide ma të mirë” – Vangjel Koça.
Te ne, ka kohë që kërbaçi përdoret për t’i çuar përpara idetë dhe kauzat politike. Po, kërbaçi i fjalëve të egra dhe të pa emancipuara, të pështira, të egra, kërbaç ky që ka sulmuar pa mëshirshëm këdo e kurdo dhe e ka dobësuar imunitetin e shoqërisë sonë.
Kjo atmosferë e egër politike e ka shmangur nga politika politikanin e njerëzishëm.
Udhëheqësi i njerëzishëm ka parime dhe ai nuk e lufton dikë për shkak të një ambicie personale, por pse beson në një ide tjetër, në një ide më të mirë, më të emancipuar dhe më progresive.
Çfarë idesh politike promovohen në Kosovë?
Fatkeqësisht, prej vdekjes se Rugovës e këndej, gjuha dominues politike vazhdon të jetë ajo e intrigave, një gjuhë e pështirë dhe krejt e paemancipuar, ku secili e mundon gurmazin duke treguar sa di të urrejë tjetrin dhe jo sa di të dojë vendin.
Të gjithë udhëheqësit e mëdhenj në histori, që kanë bërë ndryshime cilësore dhe u kanë dhënë kahe pozitive proceseve politike, kur janë angazhuar kundër të keqes, këtë e kanë bërë pse kanë besuar te e mira, te liria, përparimi dhe drejtësia.
Dhe ata para së gjithash kanë qenë të njerëzishëm e të kulturuar.
Shembull fantastik është Václav Havel, një shkrimtar i mirë dhe një politikan i jashtëzakonshëm. Ja çfarë thoshte Jiří Pehe, këshilltari i tij për të: “Shumë mund të pyesin se çfarë e bënte Havelin të jashtëzakonshëm. Përgjigjja është e thjeshtë: njerëzia. Ai ishte i njerëzishëm, njeri me parime. Ai nuk luftoi kundër komunizmit për shkak të një agjende të fshehtë personale, por vetëm sepse ishte, sipas atij, një sistem i padrejtë dhe imoral”.
Pra, sa herë grindeni rreth politikës, çoni mendjen te ky parim: për të vërtetën flasin vetëm ata që besojnë në të.
Please follow and like us: