Albspirit

Media/News/Publishing

Gresa Latifi, pedagogia e universitetit të Mynihut, letër publike për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti

Image may contain: 1 person, smiling

Dr. Gresa Latifi, ekonomiste, ligjëruese në Universitetin Teknik te Mynihut.

 

Si studiuese e fenomeneve ekonomike, përkatesisht si kërkuese shkencore në fushën e ndikimit të institucioneve dhe politikave në ekonomi, duke imagjinuar pasojat që pritet të ndihen vitet e ardhshme në vendin tonë, unë ndihem e detyruar që të vë në pikëpyetje vazhdimin e pafund të kufizimeve të gjera në jetën publike që ne aktualisht kemi ndërmarre me qëllimin e reduktimit të përhapjes së virusit COVID-19.

Dilemat që kam mund edhe të zhduken në tymnajën e debatit të ndezur për çështje të tjera politike në vend. Megjithatë, mendoj se është detyra ime të jap një kontribut modest për t’i vendosur në perspektivë të dhënat dhe faktet aktuale që janë në disponueshmërinë tonë.

Nga diskutimet që kam pasur me akterë të ndryshëm nga komuniteti i biznesit, përkundër iniciativës së inicimit të pakos emergjente fiskale të ndërmarrë nga Ministria e Financave – iniciative kjo e cila është për t’u përshëndetur, me të drejtë jam e shqetësuar për pasojat socio-ekonomike të masave ndaluese të cilat aktualisht janë duke u aplikuar në Kosovë ashtu si edhe në pjesën dërrmuese të Evropës.

Duke ditur se çfarë ekonomie të brishtë ka vendi ynë, kam drojë se vazhdimi i mëtejshëm i kufizimeve në jetën publike do ta rraskapisë çdo sektor ekonomik, e sidomos atë të sektorit informal, i cili përbën 30% të PBB-së së Kosovës (EU, 2017). Dhjetëra mijëra punëtorë që mbështeten në këto sektorë (ndërtimi, shërbimet, hoteleria, restorantet, tregëtia dhe transporti) do të goditen pamëshirshëm.

Do të doja të diskutoja në mënyrë kritike për avantazhet dhe disavantazhet e kufizimit të jetës publike dhe efektet afatgjata që mund të rezultojnë nga ndërmarrja e këtyre masave. Këto pyetje për të cilat nuk kemi përgjigjjen e duhur ende, kërkojnë domosdoshmërisht një analizë të ekuilibruar.

Do të isha e lumtur që ju dhe kabineti qeveritar të mendoni me shpejtësi rrufejeje për zhvillimin e një strategjie të mirëfilltë e cila në një anë do të mbronte në mënyrë efektive grupet e rrezikuara nga virusi, ndërsa në anën tjetër nuk do të kufizonte hermetikisht jetën publike të atyre që do ta mbanin gjallë dhe avanconin ekonominë e vendit, duke përfituar nga avantazhet lokale që kemi në krahasim me vendet e rajonit.

Ta bëni këtë duke ofruar evidencë të bazuar në fakte në mënyrë që të shmanget çdo polarizim i mundshëm i shoqërisë për sa i përket kësaj teme. Ne nuk i kemi karakteristikat socio-ekonomike as të Shqipërisë, as të Maqedonisë së Veriut, as të Serbisë e as të Italisë a Gjermanisë. Pse duhet të sillemi si ato?

Janë disa faktorë të rëndësishëm të cilët na dallojnë me të tjerët:

  1. Statistikat në anën tonë: Të gjithat të dhënat që i kemi në dispozicion shpalosin një numër të vogël të të infektuarve/vdekurve për kokë banori, në krahasim me vendet e rajonit.

Pyetja ime: A ka ndonjë analizë shtetërore që na skjaron faktin se rezultat i cilës gjë është numri i vogel i të infektuarve: vetëm rezultat i masave drastike të ndërmarra, apo i ndonjë rrethane tjetër demografike që e karakterizon vendin.

  1. Mosha në anën tonë: Rritja e numrit të rasteve të prekura me virusin COVID-19 në vendin tonë është më e ngadaltë dhe me më pak pasoja në jetët e njerëzve. Nuk mund t’a krahasojmë situatën në vendin tonë, ta zëmë me vende si Italia, ku supozohet se një nga faktorët lokalë (shiko Ebhardt et al. 2020) si mosha e shtyer e të prekurve (80 vjeç e tutje – 99% me sëmundje paraprake) është një nga arsyet kryesore e vdekshmërisë së lartë.

Pyetja ime: Pse ne duhet te ndjekim shembullin e izolimit të Italisë për t’ia dalë betejes ndaj virusit kur mosha mesatare në shoqërinë tonë është 29.6 vjeç (Indexmundi, 2018)? Le të rikujtojmë se Italia është shtet i BE-së dhe rikuperimi i ekonomisë së saj do jetë shumëfish më i lehtë përmes inxheksioneve financiare nga BE-ja, sesa që mund të jetë rikuperimi ekonomik i një vendi të brishtë dhe me shumë probleme si Kosova.

  1. Vdekshmëria e vogël: Ekziston tashmë evidence e cila nderlidh numrin e vogël të vdekjeve prej virusit COVID-19 me popullatën e vaksinuar kundër TBC -së (Rathi, 2020).

Pyetja ime: Sa është analizuar kjo informatë për të kuptuar më tepër luftën tonë me këtë pandemi. Nëse kjo do të ishte një rrethanë lehtësuese, a keni menduar të ndërroni strategjinë e masave kufizuese tashmë të ndërmarra?

  1. Kërkimi i ideales: Sipas ‘The Economist’, dy vendet fqinje të gadishullit skandinav si Suedia dhe Norvegjia kanë ndërmarrë masa diametralisht të kundërta në rrugëtimin e tyre për të luftuar pandeminë (The Economist, Prill, 2020). Pra, ato nuk e kanë shikuar njëra tjetrën, thjesht kanë bërë atë që ata kanë menduar së është gjëja e duhur për to sipas specifikave demografike e lokale të tyre. Që të dyja duket se po e mbajnë nën kontroll shpërndarjën e virusit, me një dallim të vetëm: e para, po vazhdon të mbajë në funksion makinën e ekonomisë.

Pyetja ime: Sa e kemi të përditësuar informacionin në lidhje me hapin e rradhës? A kemi menduar se pasojat ekonomike do të jenë shumëfish më të rënda sesa pasojat e shkaktuara nga vet virusi?

Analiza e duhur e pyetjeve të parashtruara do të duhej të shtyente përpara përpilimin e agjendës shtetërore se si duhet vepruar në një periudhë afatshkurtër, në mënyrë që ekonomia e brishtë e vendit të mos shohë ditë të errëta e pasoja të parikuperueshme. Kur flas për pasojat e parikuperueshme kam në mendje që 2-3 muaj izolim të mos na kushtojnë me 2-3 vite ngecje ekonomike.

 

Referenca

 

  • Ebhardt, Tommaso, et al. “99% Of Those Who Died From Virus Had Other Illness, Italy Says”. Bloomberg.com, Bloomberg, 18 Mar. 2020, www.bloomberg.com/…/99-of-those-who-died-from-virus-had-oth….
  • EU, Further Support to Kosovo Institutions in fight against organized crime, corruption and violent extremism, 2017, (fq.37).
  • Kosovo Demographics Profile 2019, www.indexmundi.com/kosovo/demographics_profile.html.
  • Rathi, Akshat. “Nations with Mandatory TB Vaccines Show Fewer Coronavirus Deaths”. Bloomberg.com, Bloomberg, 2 Apr. 2020, www.bloomberg.com/…/fewer-coronavirus-deaths-seen-in-countr….
  • “The Hard Choices Covid Policymakers Face”. The Economist, The Economist Newspaper, 4 Apr. 2020, www.economist.com/…/the-hard-choices-covid-policymakers-face.

 

 

Please follow and like us: