Arnida Çapi: Pak rreshta për civilizimin, lirinë dhe të vërtetën
Mund të jetojmë në një hapsirë, madje dhe në hapsirë virtuale, por jo të gjithë jetojmë në të njëjtën kohë. Çfarë është koha? Koha është qytetërim. Është eksperieca që jetojmë dhe trashëgojmë në drejtim të të kuptuarit të vlerave të jetës dhe humanitetit, mbi bazën e të cilave, ndërtimin e individit si personalitet dhe shoqërisë si organizim që respekton e mbron atë për ta shtyrë përpara.
Por, a e kuptojnë disa konceptin e personalitetit?
Intelekti i ulët kupton aq sa kanë veten për model dhe nuk mund të shkojnë më larg se aq. Nëse sipas modelit të vetes këtij tipizimi i mungon personaliteti me komponentët e tij, sigurisht që nuk do arrijnë kurrë ta kuptojnë se çfarë është personaliteti i një individi dhe se si duhet ta respektojnë atë.
Prej kohësh kam menduar se antropologjia, e shkenca të psikikës dhe shoqërisë i kanë kushtuar vëmendje zhvillimit emancipues të njeriut dhe jo atij joemancipues. Kjo do të na ndihmonte me pyetjen se ‘si ka mundësi që disa humanë akoma sot nuk janë emancipuar intelektualisht me vlerat e kohës’?
“Mos vidh, mos vrit, mos gënje” janë rregullat biblike e të kulturave të tjera fetare apo të çdo filozofie moderne e të jetuarit. Këto rregulla të thjeshta të qytetërimit akoma nuk arrijnë të konceptohen mendërisht nga disa, sepse ka akoma që vjedhin e korruptohen, ka akoma që vrasin dhe ka akoma që shpifin, fyejnë e përfitojnë nga kjo në dëm të tjetrit.
Në këtë tipizim ka akoma disa që vjedhin imazhin e dikujt dhe përdorin pa autorizim me etiketime para qytetërimit egjiptian.
Këta tipa madje arrijnë të induktohen si “media” apo t’i thonë vetes “gazetar”, apo se po rendin ndaj “interesit publik”. Çfarë media mund të jeni kur ju i serviloseni pushtetit ‘si gjalpi pas bukës’ për një vend pune! Çfarë gazetarie bëni kur s’jeni dot të pavarur ndaj rrogëdhënësit dhe as të fitoni tregun me fjalën e lirë, por mes pështyrjes së lirë dhe pas kujt interesi publik fshiheni kur ju as nuk e dini rëndësinë e së vërtetës, e jo më ta mbroni atë; sigurisht sepse nëse do e dinit nuk do të serviloseshit pas hipokrizisë.
E dini çfarë është e Vërteta? Eshtë kjo që bëj unë. Ju injoroj kur të dua. Ju them atë që nuk e keni dëgjuar nga të tjerë. Ju padis dhe e mbroj çështjen vetë në gjyq dhe e fitoj. Dhe e dini pse, sepse e kam ditur në çfarë bote jetoja kur zgjodha të bëhesha avokate, në një botë kur duhej të isha e zonja e vetes, ku të jesh femër ose do pranosh shtypjen ose do luftosh seksizmin. Unë nuk strukem pas shpatullave të një mashkulli e as paguaj “gazetarë miq”.
E kuptuat çfarë është fjala e lirë?