Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Kaltrinë E. Uka

Image may contain: Kaltrinë E. Uka, closeup

Kaltrinë E. Uka

 

Ndezi e ndali yjet, Prishtinë

Erdha Prishtinë t’i ndezë e t’i ndalë yjet
dhe t’baj tri herë ma t’bukur se ç’je

Erdha! Erdha nji lumë ta shpikë
të t’qep peizazh shirash me nji fije re.

Erdha t’takohena e s’takova njeri
qenkam harrue, a qenke harrue

Kush e ka harrimin ma t’moçëm, s’e di:
Unë? Ti? Dashunitë e ndalume?

Përmbi zekth mos ‘mbijë drithërimë
për kokërriza gzimesh mi ruej lot’

kur qiellit tand t’flatrojë nji shpendmirë
mos ta përzë era nji zemër zog.

Erdha takohena me lule në buzë
mbi petale reshi borë; gjymtyrëngrirë

oj, lulja ime, oj! e agujve flokëkuq
gjëmim i çarë i dashurisë së mërdhirë.

Askush s’e pa në ç’lumë reshi shiu
si u shndërrue reja në fije malli

të gjeta Prishtinë si nji mallëngjim;
ndezi yjet ndezi! Ndezi e ndali!

 

Marrëzia e bukur

Mbrenda xhanit mbuluem mirë
kam nji marrëzi, qi s’kam me ja thanë kujt

Se u marrosa paprit’ dhe i dhashë krahë
Ishte fort i hijshëm
me mbet veç andërr qi andërrohet e asgja tjetër

Mbjellte buzëqeshje t’ambla
o aq t’ambla
sa mjalti i hidhun ish.

Larushi dritash i ndrinin ndër sy
sa m’u ba andërr
e m’futej n’gjumë
rendja mbas nurit qi çilte lule
o pranvera ngjyente penelin n’hijeshinë e tij.
Sytë i kish si qielli ku rrinte kaltërsia
yje mbramjeve
si dhurata shndritëse
Ftyra ish sheshi ku rrinte e mira
O, Zot sa doja me u grabit shikimesh

Shtati i drejtë qi m’vinte përskaj
pa ditë qi m’përflak
s’mund ta lija veç hije
qi zvarritet e tretet
njaj qilibar i ndritshëm
pa e shtrëngue ndër duer
njajo dritë e bardhë
qi ta ban me uluritë shpirtin

S’mundesha me lanë zanin q’i kumbonte
pa u ba klithmë në vesht’ e mi
s’mundesha me i ik kureshtjes
si asht me flatrue bashkë
si asht me u naltue e me u vërtit qiellit
q’i mbledh heshtjet
tue u jep fjalëve flatra

Ai ish blerimi
ish gzimi
ish vera qi nji herë t’vjen
ish mendimi i pamenduem najherë,
i çoroditshëm
ish ekstaza
o ish dashnia
dashnia ish
qi të dridh’, e të çmend…

Dhe unë e kam nji marrëzi t’bukur
qi s’kam me ja thanë kujt
si ti
se t’ka çmend
si mue…

Nji ditë

Reshi malli nji ditë
siç resh137 vesa përmbi bar
siç reshë shi përmbi tokë
siç reshë n’male borë e bardhë.

Çeli malli nji ditë aq lehtë
siç çel lulja në pranverë
siç çel nji gaz në fytyrë
siç çel hareja në verë.

U shtri malli nji ditë
siç shtrihet prilli me blerim
siç shtrihet acari në janar
siç shtrihet freskia në agim.

Dhe në mue u dogj shpirti
dhe u shkriva si qiri,
kur reshi, çeli, e u shtri malli
përnjiherë me furi.

U përhap malli nji ditë
siç përhapet thashetheme e marrë
siç përhapet nji lajm plot bujë
siç përhapet dritë e bardhë.

E unë rrija pa bza
siç rrijn’ halat në grurë
siç rri nji frut në nji pemë
siç rri heshtun gjethja në lumë.

Dhe iku malli nji ditë
siç ik’ lejleku në arrati
siç ik’ papritë nji dëshirë
siç ik’ pakthim nji njeri.

Please follow and like us: