Poetja Irma Kurti merr çmim të parë në Zvicër
Lajm i bukur në kohë të vështirë
Poetja dhe shkrimtarja e njohur shqiptare Irma Kurti nderohet me çmim të parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Universum në Zvicër, në seksionin e librave të botuar me poezi. Libri titullohet: “In una stanza con i ricordi” (Në një dhomë me kujtimet) dhe është botuar në 2019 nga Shtëpia Botuese Pedrazzi Editore.
“Marrja e këtij çmimi bëhet në një moment tepër të vështirë për arsye të pandemisë Covid-19, që rrëmben çdo ditë jetë njerëzish” thotë Kurti. “Në fakt, ceremonia ishte e planifikuar në muajin maj, por është shtyrë për në shtator. Dua ta konsideroj këtë një ogur të mirë për shqiptarët kudo që ndodhen, me shpresën se gjithçka do të mbarojë sa më shpejt dhe dalëngadalë do t’i kthehemi normalitetit… Falenderimi më i madh u shkon prindërve të mi Hasan e Sherife Kurti, që më kanë ndihmuar të arrij deri këtu. Por gjithashtu, miqve, të cilët me dashamirësi më janë gjendur pranë dhe më kanë inkurajuar në çdo hap të krijimtarisë”.
Irma Kurti jeton në Bergamo të Italisë. Ajo ka botuar nëntëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht.