Poezia e Bodlerit vjen në shqip nga Lasgush Poradeci
Charles Baudelaire: Vegim
Rri urtë, o Dhëmbja ime, dhe bëju m’e duruar;
Ti dëshëronje Mbrëmjen, po zbret plot qetësi,
Një mugëtirë e dëndur qytetin ka mbuluar,
Disave u solli paqen, disave breng të ri.
Tashi kur turm’e vdekshme dh’e ndotur dh’e përçmuar,
Kamzhikun e Dëfrimit, këtë xhelat shpirt-zi,
Do t’a shijojë e brejtur nga zemr’e skllavëruar,
O Dhëmbje, nep-m’a dorën le t’ikim un’e ti.
Larg saj. Vështró si vitet përkulen posi hije
Ballkoneve qjellorë me robe vjetërsije;
Keqardhja del prej viresh*) e qesh përzemërsisht;
Në nj’harg po digjet djelli mes flakës së pamatë
Dhe, si një napë q’endet ndaj lindjes fshehtësisht,
Dëgjo, dëgjo, e dashur, si ec e ëmbla Natë.
Shqipëroi Lasgush Poradeci.
*vir – vendi më i thellë