Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Pasqyra

Image may contain: text that says 'ILIR LEVONJA Gjenerali vret Tregime'

Tregim
Në një mbrëmje shkurti si kjo e sotshmja ku era e ftohtë të pret fytyrën, muzgjet të trishtojnë me varfërinë e rrugëve, ndofta edhe për shkak të lagështirës së tepërt. Në dy anët e rrugës së “Myslimanëve” kanë çelur mimozat, kaq bujshëm dhe bukur sa ëndja ime pllaquritet midis kurorave dhe përndritjes së xhelozisë. Më pëlqen të ëndërroj sepse vetëm kështu kjo mbrëmje bëhet e imja, e shoh të drithërohet në sytë e mi. Sepse vetëm kështu, nga vetmia e ftohtë e rrethinës, nga ky mjerim majosh, mundem të mbijetoj duke krijuar e korigjuar.
Muret e dhomës sime, dritaret e së cilës bien mbi rrugë, shfaqin një tjetër njeri, atë me ndihmën e të cilit unë gjykoj vetveten. Sapo i mbyll pakëz sytë më shfaqen ato muret, pasqyra e madhe vrastare. Them kështu nga që rrallë e kam guximin të shihen drejtë e në sytë e mi. Kjo ndërgjegje që s’është aspak faqja e përndritur e rrafshët, është fusha e betejës. Nuk ekziston njeri në botë që në mbrëmje të këtilla të mos e guxojë një dialog të tillë, të mos shihet në këtë pasqyrë. A ndofta bota e ka dhe më jep iluzionin e fillimit tamam këtu ku nis kundrimi im mbi vetveten?! Kushedi si është puna?
Nëpër relievet e fytyrës sime janë përhapur ca stërkala, ca si stërpikje të kuqërremta sa që gjithmonë kam përshtypjen sikur jam krijuar nga këto thërrmija, nga këto metafora. Në mos jam krijuar nga këto me siguri që shpjegohem që këtej, nga përhapja e tyre. Por i kam sytë mjaftë të bukur! Shëmtia më ka futur djallin në bark kurse drita e syve më shpëton shpirtin në të përjetshmen e madhe nga mëkatet e shumta. ”Kjo që njeriut të këtij shekulli i duket një e vërtetë e madhe, njeriut të shekullit tjetër do t’i duket një shaka”, -shkruan Sartri. Unë s’bëhem kaq naiv sigurisht.
Jam ulur mbi një karike thuprash dhe sodis rrugën e “Myslimanëve”, gjithë e duke mos parë asgjë: Sepse soditja më shpie diku tjetër dhe ne të gjithë e dimë mirë që nuk shohin sytë, por mendja.
Përpiqem t’i mbush mendjen vetes se këto baluke në ngjyrën e grurit të pjekur përmbi ballin e gjerë, kjo hundë e stërpikur nga quka të shumta, këta sy të kthjellët, kjo gojë e zakonshme, mjekra majuce, mollëzat e ngrira nga fraqi, zëri që vetëm unë e ndiej, s’janë të miat.., por të atij që rron në mua.
“Duhet të jesh më tepër i qartë se sa i bindur, -thotë ai. -Se ai njeriu që rron brenda teje, je ti. Dhe po kështu ta dish mirë se personazhi më i suksesshëm që mund të krijojë shkrimtari, është vetvetja”.
Nxora një bllok dhe e shkrova gjithë fjalën e tij për të mos e harruar.
“Po e ngulis mirë në mendje këtë dhe s’kam për të harruar kurrë” -i them unë.
“Mos e nënvleftëso çdo shqetësim”.
“Qoftë edhe këtë që ma ka mbyllur brenda”?
“Sigurisht, megjithëse unë kujtoja se të ka mbyllur i ftohti i madh” -tha ai.
Më erdhi turp, ndofta atij i erdhi turp dhe unë vetëm sa ndjeva të më skuqen faqet.
“Kur ishim në Siçili e humbëm jetën vetëm pse lamë pas dore një shqetësim fare të vogël”.
Kush nga ne të dy e tha këtë fjalë? Në Siçili unë s’kam qenë asnjëherë. Mos po lajthisë para kohe? E vështrova ngultas, kurse ai qeshte. Dukej i qetë, i qartë, i sigurt në atë që thoshte.
“Kemi qenë në Siçili, -më tha me zë të gjalli. -Sepse ti vazhdon një mision të lënë përgjysmë”.
Këtu ka të drejtë, nuk po ngatërronte asgjë. Por unë me sa duket s’mbaj mend asgjë nga koha e përjetshme. Kjo më trishtoi.
“Atëhere nuk i dhamë rëndësinë e duhur pasionit” -tha ai.
“Me se u morëm atje”? -pyeta.
“Eksploruam toka të reja në Kanada”!
“Po vdes nga habia”.
“Më vonë zbritëm në jug, por spanjollët kishin shkuar më përpara, afro 70% të arit ata e kthyen në bankat e tyre”.
“Po tmerrohem nga që paskam humbur shumë kujtesë”.
“Asgjë, tani e di rregullin, mos lërë pas dore qoftë edhe një vegim sado i brishtë qoftë ai”.
“Kurse unë u mbylla në dhomë nga që humba një dashuri”.
“Asnjëherë ne nuk humbasim”.
“Si është e mundur”?
“Kështu është”.
“Ajo s’më do më”.
“Jo nuk është ashtu”.
“Jam më se i sigurt që ajo s’më do më”.
“Ajo do vite të tjera dhe s’është puna se s’të do ty” -tha ai.
“Më duket se njësoj është” -thashë unë.
“Vetëm ndryshimet janë të barabarta, por ti nuk njeh akoma tkurrjen shpirtërore për shkak të taksave, qerasë, hyrje-daljet, udhëtimet, fustanet apo qejfin e paprishur”.
“Kam turp”.
“Eshtë ndjenjë e njeriut, vërtetë ashtu është. E dëgjon se si përsoset në të përditshmen tonë, gjuha? Çdo pasthirrmë na ngre në beft’. Kujtohu që dikur ke kaluar mirë dhe sa do të dhimben pastaj ato vite jete” -përfundoi ai.
U ngrita vendit dhe dola përjashta. Rrethina nuk dukej gjëkundi. As statujat atje në krye të rrugës. Megjithatë unë nisa të kërkoj portë më portë vajzën e humbur.

Lushnje 1995
_________
Shkëputur nga vëllimi me tregime
”Gjenerali vret pëllumba” 1996.

Please follow and like us: