Cikël poetik nga Preng Maca
Preng Maca
Banim
Jam qielli
përshkuar vetëtimash,
jam veshi i mprehur…
dëgjoj muzikën që gjëmon përbrenda
dhe më rreh zemra!
dua te jetoj gjatë,
për shkak të dēshirave
celebruar nëpër vargje
e verën e përpirë festave,
kur guximshëm i kalojmë caqet.
Vargje karantinë
Mbyllur brenda mureve
më merret fryma.
kërkoj të hap diku një derë
ta shoh botën e trembur nga vdekja
të shënuar nga sëmundja.
Mbyllur brenda,
vetja më ngjan pajisur me një lloj baterie,
e ndezur një llampë brenda vetes,
duke kundruar veten edhe botën
e cila për çdo gjë që duam
na nxjer pengesa aq të mëdha.
papritur gjendemi në një botë tashmë të vogël.
Gjithnjë përpiqem t’i kaloj ato pengesa,
për shkak të cilësisë sime njerëzore
luftoj gjithnjë t’i kapërcej,
duke kërcyer sa më lart…
por çdo ditë pengesat bëhen më të larta,
sërish tentoj t’i kapërcej,
derisa një ditë prej ditësh,
duke tentuar t’i kapërcej ato të mallkuara
do ta prek qiellin që hesht
para përpjekjeve të panumurta
ndoshta nuk do të mundem ta pres dot më
biletën për në tokë.
Të shoh në çast,
si një lule që kalon mes luleve
nga kjo dritare që sapo e hapa
me një laps drithërues në dorë
(magjinë sjell lapsi mbi letrën e bardhë!)
kalon, sikur nuk jemi dashur kurrë.
çfarë të shkruaj për ty?!
dashurinë e kam në lëkurë.
çdo ditë më mbulon trishtimi,
fëmijë fatkeq i lëndimit të ngutshëm
Nuk ka shanse ta mbaroj këtë jetë
pa të takuar
jam i pandreqshëm
përderisa të mendoj sërish.
me të pa e kam të pamundshme,
je një motiv sundues i mendjes sime të pa lodhur,
prej vargjeve të shumta
shkruar për dashurinë e pakryer.
Vdekja, ndërkohë, na kalon aq pranë
asnjëherë nuk ka qenë kaq pranë me njeriun
kukafshehtas lozim,
por jam një lojtar i keq
nuk di të fshihem.
Vdekja gëzon nga këto lloj lojtarësh
ngaqë i kap lehtë, pa u munduar…
Ka do kohë
thuajse janë fshirë kufijtë
mes jetës e vdekjes,
sa tani i sjell ndërmend lehtë
ato që prej kohësh më mungojnë,
jetojmë aq pranë e pranë
thuajse i takojmë vështrimet.
Nuk shihemi prej kohësh në këtë botë
aq gjëra po ndryshojnë, po vjen një botë e re
nuk jemi të sigurtë sa ditë na kanë mbetur,
por përderisa akoma frymorë jemi
eja e t’i lemë grindjet
të harrojmë, të përfshihemi dëshirave
siç përfshihen në pranverë zogjtë… pyjeve
në këtë kohë të bukur,
kur akoma jetën e pikturon dielli!
Apel për ndihmë
Ka ditë gjendem i mbërthyer
në një burg frike
ngre sytë nga qielli duke udhëtuar me mendje
nëpër gjithë Atdheun tim pushtuar prej pranverës.
Kudo çelin pemët, lulet e tyre shumë ngjyrëshe
dhe trëndafilat kanë filluar të shohin ëndrra, në sythe
në magjinë e kësaj magjistarje ngjyrash dhe gjelbërimesh
kësaj piltorje të pa imitueshme
që lëshohet me penelin e saj pyjeve
(që akoma prej babëzisë tonë kanë mbetur gjallë)
jeshilimi i gjetheve është lajmi i bukur i jetës
shpresa se ka kuptim shprehja, se ne do të jetojmë akoma
përpos lajmin e dhemshur të ikjeve …
Pyje, pyje, pyje, pyje
drurë të drejtë e të lartë rritur me urdhër të Zotit
pisha, bredha, lisa, panja, frashër, bunga, qarra, rrepe, mështekna, blirë erëmirë, plepa…
mos na mbani inat për sulmin shfarosës
mos pranoni ta ushqeni më këtë vdekje
i thoni asaj stop, i thoni
“nuk ka më për ty arkivole”!
Bëjeni ju të mundur këtë stop
sepse ne ka gjasë, u lodhëm!
Ditë ndryshe
Lëviz nëpër dhoma
i vetëm mes mureve të ftohta
më merret fryma
“sa shpejt u zvogëlua bota”!
Pastaj dal në ballkon,
dëgjoj cicërima gjoksbardhash, bishtëgërshërash
diku në qosh të në muri
ngrenë folenë dallandyshet.
Krejt bota duket se nis të marrë frymë,
si një lajm e përjetoj ardhjen e këtyre dallëndysheve
krejt ditën tani e përjetoj ndryshe
dhe të “mërzitur” e lë në një qosh… mërzitjen.
Shënjestër
Një vrasës i fshehur në shenjë çdo ditë na merr
na zgjedh çdo dite një e nga një.
Kur e morëm lajmin, se është mes nesh
e kërkojmë, por ai fshihet
i padukshmi, në pritën e tmerrshme
na qëllon paprerë një e nga një
drejt e në zemër.
Ne kemi mbetur mbështjellë mes frikës dhe dhimbjeve
të gjithë trembemi,
se mos ky i panjohur, i fshehur
na e shkruan, në listën e tmerrshme, emrin.
Ndjehem aq ngushtë nëpër shtëpi
sikur kam veshur një kostum tepër të ngushtë
kam frikën se po lëviza ai do të shkyhet
nga jashtë bota ma bën me sy.
Më step ajo që nuk e shoh
i druhem domosdo.
ku të fshihem nuk kam askund
nga kjo e keqe e pafund.
Si vezë më sillet në kokë globi
nga lart shpresoj të më vë re Zoti!
Ai di gjithçka ne aq pak dimë…
dëgjoj botën që mezi merr frymë!
Koha ndarë në tre
Ishte koha kur nuk të njihja
si në bosh jetoja
nuk kisha frikë nga asgjë
as nga vdekja.
Kur të njoha ty
bota ishte plot ngjyra
lutja Zotin të jetoja gjatë
as sesi nuk doja të vdisja.
Tani nuk jemi më bashkë,
qielli është i zymtë
dielli shfaqet herë pas here, si një plagë
dhe shfaqja e koronavirusit
nuk përbën ndonjë lajm.