Albspirit

Media/News/Publishing

Lamtumirë arbëreshi ynë i mirë, Giovanni BELLUSCO

Gianni ka lindur në fshatin arbëresh Shën Vasil (Kalabri) më 25 gusht 1961.
Ka mbaruar shkollimin fillor në fshat, ndërsa liceun në Castrovillari.
Është diplomuar në Universitetin e Calabrisë, ku edhe është doktoruar më 1993.
Në komunitetin albanistik njihej me pergëdheli me emrin Gianni.

Si mjeshtër i punës studimore në terren, kërkimet e tij i ka përqëndruar në studimet dialektore, veçanërisht të arbëreshëve të Italisë, në fonetikën eksperimentale të aplikuar mbi shqipen dhe të folmet arbëreshe, por edhe në leksikologji dhe leksikografinë e shqipes, sociolinguistikë si edhe analizë teksti lidhur me konkordancat elektronike të teksteve letrare shqipe.
Ka shkruar mes tjerash për realizimet fonetike të spikerëve në radiot e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Në kuadër studimeve të tij në terren ka zhvilluar ekspedita gjuhësore në pjesën veriore të Shqipërisë: Theth, Vermosh, Bogë (2007), Bajram Curri, Dragobi, Cernicë, Shoshan, Rajë, Viçidol (2012).
Ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume shkencore dhe ka dhjetëra punime shkencore.
Ka kontribuuar në disa projektei: IRRSAE Puglia (1992), Progetto EMOL, Fryske Akademy-Olanda (1995), EUROMOSAIC (1993-94). Ka botuar dy libra: Fjalor krahasues i termave të gjuhësisë, shqip-italisht-frëngjisht-anglisht (2011, bashkautor), The Albanian Language in Education in Italy (2010).
Ka qenë anëtar i bordit të INA-s (International Network of Albanology).
Ka qenë pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (herën e parë më 2003).
Ka qenë, po ashtu, pjesë e një projekti të përbashkët me Departamentin e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Prishtinës për hulumtimin e të folmeve arbëreshe.
Kumtesa e tij e fundit për albanologjinë është mbajtur dhjetorin e shkuar në Universitetin e Berlinit (Humboldt Universitat).
Ka qenë profesor në Universitetin e Kalabrisë. Ky universitet nën udhëheqjen e John Trumperit ka një ndër laboratorët më të njohur për studime të fonetikës. Belluscio ka bashkëpunuar ngushtë me Trumperin, nga i cili ka nxënë mjeshtërinë e kërkimeve dhe te matjeve eksperimentale në fonetikë. Universiteti i Kalabrisë (Unical) ka departament të Gjuhës shqipe që drejtohet nga Prof.Francesco Altimari.
Albanologjia nuk ka një tjetër studiues të kalibrit të tij që do ta zëvendësojë në fushën e fonetikës dhe të studimeve në terren.

Please follow and like us: