Qeveria greke kërkon disa mijëra shqiptarë si punëtorë sezonalë
Qeveria greke kërkon një marrëveshje me palën shqiptare për hapjen e kufijve vetëm për shqiptarët të cilët duan të punojnë si punëtorë sezonalë në vendin fqinjë.
Ministri grek i Bujqësisë Makis Voridhis, tha sot se është i shqetësuar pasi mbyllja e kufijve me vendin tonë për shkak të koronavirusit po dëmton vjeljen e frutave dhe perimeve duke pasur impakt edhe në rënien e ekonomisë së Greqisë.
“Kemi një shqetësim në Greqi kryesisht për muajin tjetër, sepse kufijtë me Shqipërinë janë mbyllur. Ne jemi duke punuar për të gjetur një skemë në mënyrë që nga njëra anë të vijnë shqiptarët, por nga ana tjetër masat shëndetësore të mos dëmtohen. Ata do të vijnë me një proces më të kontrolluar, të cilin do ta bëjmë sa më fleksibël”, – tha z.Voridhis.
Greqia ka nevojë për më shumë se 50.000 punonjës sezonale në vit në sektorin e bujqësisë. Në shumicën dërrmuese forcat e krahut janë nga Shqipëria dhe shumë shqiptarë shkojnë rregullisht në Greqi sa herë që ka sezone bujqësie.
Ministri grek duke folur në një intervistë radiofonikese, shpjegoi se si do të ndodhë konkretisht marrja e fuqisë punëtore sezonale nga Shqipëria.
“Shqiptarët do të karantinohen për një kohë, e më pas do t’i nënshtrohen një testi, pasi të rezultojnë negativë do të dalin në fusha. Prodhuesit grekë e pranojnë këtë zgjidhje. Ne do të shohim kur mund të bëjmë marrëveshjen me Komitetin e Specialistëve të Sëmundjeve Infektive, por gjithashtu kemi nevojë për një marrëveshje me Shqipërinë për kontrollet efektive të kufijve”.
Në fillim të muajit prill edhe Gjermania deklaroi se do të lejojë që punëtorët e huaj të hyjnë për të ndihmuar në korrjen e frutave dhe perimeve në ferma: 40,000 punëtorë sezonalë në prill dhe 40,000 të tjerë në maj.
Komisioni Evropian gjithashtu u kërkoi anëtarëve të BE-së që të lejojnë hyrjen e qindra mijëra punëtorëve sezonalë, pavarësisht masave për të parandaluar përhapjen e virusit.