VETMIA – OPERË PËR DY GROSHË
Mustafa SPAHIU, Shkup
– Lirikut prestigjioz Rrahman DEDAJ, (1939 – 2005)
1.
(Vuajtja – Werther riosh)
Shtatë persona ndjekin poetin
urnës udhëtimeve të Guliverit
jo për adhurim për ta mposhtur
dëshpërimisht ta përunjin tevona
e fusin brenda shtëpisë së sëmurë
mbahen seanca linçimesh të marra
të vetëhelmohet shkallmuar uritur
anonim të dukej peshkatar rënishtes
ngujonie si zog të këngës në kafaz
i daltë shpirti vrimave lëkurëregjur.
2.
(Natyra – kënaqësi bletësh)
Sall rrënjë të jem thithi nga natyra
sekrete bjeshkësh këngët e zabeleve
Ajme, drerët s’mi mësuan shtigjet
dhe zbresim përrenjve qetë xunkthi
gëzim’e vrerë hahen me buk’e kripë
fattreturit ogurbardhë rrjedh jeta
moskëndimi pafatësi është mallkim
në turr drite futem e dalë rishtas
ata-të shtatët banojnë prapa meje
në shtëpinë e zallinës së përgjumur.
3.
(Vetmia – as dru, as dashuri)
Telat e kitarës zhdarravisin ditët
me plithar ngrita qiellit kështjella
hajnat e pjeshkëve i ngjok merimanga
këngët e virgjëritetit vargjet n’ëndërr
vetmia ime blerohet nga amforat, se –
duhet sërisht të vëshrojmë përreth
njeriun e padukshëm tokës së bukës
as moravaset s’zhduken tok me erën
më në jug se parajsa pylli i pashkelur
gjendet shtëpia ndërtuar prej agimi.
4.
Ata që i duan hithërat janë qeleposhët
mbase ndehnin duart purpur diellit
gishtit në plagë i mungojnë unazat
ta zbërthejnë trishtimin e ëndrrës
në oborrin e mallkuar kishte ngordhur
dikur zvarritej Kronikës së Travnikut
deshti sforcimin e kështjellës eshtrash
e ndali në vend Kthimi Filip Latinit…
nëna kurajë me kalamajtë vocërrakë
vonë kuptuan mortin në Herceg-Novi!
5.
(Dera e barkut – lindjesimi)
Stinë mëshire nuk binin kambanat
shpirtërat iknin nga vetmia e qelbur!!!
Vjershat e fundit të Rrahman Dedajt
ju lutem shpjegim mos më kërkoni
për “Fatkësinë e urtisë” “Baladën e
fshehur” drejtgjykim “Zoti thotē
ndryshe Adam”, gjërat s’preken me etje
sepse “Jeta gabon” me sy kënge, koha
në unazë”
dreqi çalaman nuk plaket në kryqëzim hijesh
fjalët biblike i dilnin stërmençurisht…
E shtunë, 28 fundshkurti 2020, në Dardaninë Ilire.