Albspirit

Media/News/Publishing

Dalip Greca: BAHRI OMARI, EDITOR I DIELLIT

BAHRI OMARI, “NDERI I KOMBIT SHQIPTAR’’ SOT, I PUSHKATUAR NGA KOMUNISTËT SHQIPTAR, 75 VJET MË PARË/

Mendimi i dyzuar për Bahri Omarin më ka shoqëruar edhe mua qysh nga fëmijëria: Isha 11 vjeç kur kam dëgjuar për herë të parë emrin e Bahri Omarit, sepse me dhimbje të thellë, thuajse është qarë për të me ngashërim nga prindërit e mi gjirokastritë, të cilët e njihnin personalisht dhe e kishin ndjerë shpesh dorën e tij të ngrohtë. Keqardhja dhe indinjimi për këtë dënim ekstrem, që shprehte deri mosmirënjohje e pabesi (siç u quajt asokohe nga shumëkush), tejkalonte lidhjet e afërta fisnore të babës tim me Fahrijen (gruan e Bahriut) dhe bashkëpunimin e njohjen direkt të babait tim me viktimën, bashkëmoshatar dhe ish emigrant të njëkohshëm në Amerikë.

Ishte muaji prill i vitit 1945, kur Gjyqi Special me prokuror po gjirokastritin (ish toger të Zogut) Bedri Spahiu dhe kryetar, (teneqexhiun fillorist) Koçi Xoxe, e dënoi me vdekje bujarin e ditur, Bahri Iljaz Omarin, për fajin politik se ishte me Ballin Kombëtar dhe kishte punuar 5 muaj si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, në Qeverinë pro Gjermane të Rexhep Mitrovicës dhe për akuza të tjera ordinere, pa asnjë fakt personal veprimi kriminal. Kjo, thjesht se ai e mendonte të dobishëm bashkëpunimin e përkohshëm me pushtuesin “rrugë kalues” (edhe pse duke gabuar) si më “të mirin” veprim për  vendin e vet, për ta pasur atdheun me kufi të plota, duke përfshirë Kosovën dhe Çamërinë. Ai, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë të kohës (përfshirë dhe kreun e tyre,  nacionalistin e provuar, Mitat Frashërin), u lidhën me boshtin Italo-Gjermano-Japonez, se mendonin njëanshmërisht, që aleanca me Ruso-Anglezo-Amerikanët do rrezikonte copëtimin dhe ndofta deri asgjësimin e Kombit Shqiptar.

Bahri Omari u lind në vitin 1888 në qytetin e Gjirokastrës dhe ishte biri i Iljazit dhe Rehos, që formonin një familje të nderuar qytetare gjirokastrite në gjendje të mirë ekonomike dhe me tradita të lashta atdhetarie.

U shkollua në vendlindje dhe më tej në Shkollën Civile të Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” në Stamboll për Shkencat Politike-Administrative.

Në moshën 25 vjeçare u emërua nënprefekt i Himarës. Në këtë funksion  gjatë viteve 1913-14 pati nderin të organizoj dhe udhëheq çetat patriotike kundër andartëve të pushtimit grek të Shqipërisë së jugut gjatë Luftës së Parë Botërore.

Më 1915 Bahri Omari shkoi në ShBA, ku shpejt doli në krye të emigracionit shqiptar përparimtar dhe u bë drejtor i gazetës “Dielli” të Shoqatës Pan-Shqiptare “Vatra”.

Në 1919 ai u kthye në Shqipëri dhe mori pjesë dy herë në zgjedhjet parlamentare, në 1921 dhe 1923, si përfaqësues i opozitës duke i qëndruar përballë partisë së Myfit bej Libohovës në prefekturën e Gjirokastrës. Në vitin 1924, gjatë qeverisë së Fan Nolit, themeloi dhe u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike-Nacionale dhe botoi e redaktoi organin e saj, “Shekulli”. Janë të njohura qëndrimet e tij dinjitoze, plot dashuri e adhurim për kosovarët dhe çamët. Bahri Omari shprehet në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmrën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Jakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmues.”

Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit nga Ahmet Zogu në vitin 1924, Bari Omari lëvizi nëpër Evropë. Gjatë kësaj kohe u formua dhe “Bashkimi Kombëtar”, ku ai aderoi ndër të parët. Në Bari u vendos për një kohë të gjatë dhe qëndroi deri në vitin 1939, kur u kthye në Tiranë, i ndjekur dhe  i survejuar nga italianët.

Me mjaft interes dhe kuriozitet shikohen marrëdhëniet me kunatin e tij, Enver Hoxhën, (20 vjeç më të ri) ku spikat kujdesi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Bahri Omarit për edukimin, shkollimin dhe punësimin e nxjerrjen në jetën normale të tij. Këtu përfshihen për një periudhë të gjatë, ndërhyrja ndër miqtë e mbetur në Shqipëri, për t’i siguruar bursë dhe studimi i kunatit në Toulouse të  Francës.

Në 1942 Bahri Omari u bë anëtar i organizatës së Balli Kombëtar. Enver Hoxha strehohej shpesh në shtëpinë e tij në Tiranë. Kunati i kujdesshëm, vazhdoi ta ndihmojë shumë Enver Hoxhën ekonomikisht gjatë kësaj periudhe, ashtu siç e kishte ndihmuar edhe më parë, gjatë studimeve të tija në perëndim.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Gjermania naziste, Bahri Omari, u bë Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e Rexhep Mitrovicës për periudhën shkurt – qershor 1944. Në këtë pozicion, pa i vërtetuar ndonjë krim e ndëshkim, ai u arrestua dhe u burgos fill mbas Çlirimit dhe u dënua me vdekje nga Gjyqi Special, në prill të vitit 1945.

Gjyqi u zhvillua në kinema “Kosova” (sot “Teatri Kombëtar”), ndërsa mijëra vetë e ndiqnin atë nëpër rrugë, seancat transmetoheshin edhe nga altoparlantët që qenë vendosur kudo në Tiranë. Vendimi u dha më 13 prill 1945, ora 10.00. U ekzekutua ditën e nesërme dhe trupi u hodh  në një hendek tek “Kodra e Priftit” në Tiranë.

Mendoj se nuk duhet harruar një fakt historik, që do më ngelej peng, po mos ta përmendja: Italia Fashiste e hoqi fare postin përfaqësues të Ministrit të Jashtëm Shqiptar, “kuislingët” pro Gjerman, e krijuan atë. Kjo është një  shfaqje pavarësie e krenarie shqiptare. Nga ana tjetër asnjë pakt ndërluftimi nuk u lidh me Gjermanët dhe “Qeveritarët” Shqiptar, refuzuan të dërgonin  në luftë forca ushtarake në ndihmë të frontit, me gjithë kërkesat e përsëritura të tyre.

Duhet të theksohen virtytet e larta të publicistit, atdhetarit dhe politikanit demokrat Bari Omari dhe sidomos guximi dhe trimëria e tij, që spikati sidomos para pushkatimit, në moshën 56 vjeçare, kur, pa iu trembur syri, u thirri shokëve:

“Ktheni ballin nga pushkët! Tradhtarët, vriten pas shpine. Ne nuk jemi tradhtarë. Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”.

Dhe në këto momente madhështie kulmore, (po të përjashtojmë 5 muajt kur vërtetë gaboi deri në faj), gjithkujt i del para syve me admirim, jeta e tij plot përpjekje, atdhetari e deri heroizëm, si publicist, nëpunës shteti, deputet e politikan demokrat, që veproi gjithë jetës me qytetari e në luftë parimore:

Në Parlamentin Shqiptar ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve: Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Lushnjës, që njihen si ”Statuti i zgjeruar i Lushnjës” dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit, ku mbahet mend këmbëngulja e tij me postulatet: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike”, ose “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, dhe “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje parimore demokratike që vlejnë si model edhe për ditët tona. E tillë është p.sh., vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose porosia për lirinë e shtypit, që: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.”  dhe shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të deputetit që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që evidentojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.

Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur e origjinal, kur del në disa raste edhe kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndron besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike konsekuente. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve të kohës, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve, çka mungon sot dhe duhet të jetë shembull e mësim i mirë për çdo parlamentar.

Pa dyshim një periudhë e vështirë e jetës së Bahri Omarit ishte Shqipëria e fillimviteve 1944, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë komuniste. Ajo zgjedhje e vështirë vuri në dilemë shumë burra shteti. Ishte nga një anë pushtuesi, që sillte bashkimin e tokave shqiptare dhe për kundrejt “aleatët”, nga rrezikohej deri cungimi e mohimi i krejt Shqipërisë. Një shqetësim tjetër imediat ishte frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura gjetiu. Nga ana tjetër ishte mendimi se, duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.

Sidoqoftë, pjesëmarrja në anën e kundërt, pra në Organizatën e Ballit Kombëtar, që bashkëpunoi me Gjermanët, si edhe pranimi i funksionit si këshilltar shtetëror dhe për më tepër, ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Këtu mendoj se ndikoi dhe lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili vuri pandehmën e shpikur se, ndërhyrja për t’i shpëtuar jetën të kunatit, ishte “kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht”!

Askush nuk e mendonte dhe nuk do kërkonte deri dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim si i implikuar me kundërshtarin politik po, por jo kapital. Edhe vet babai i diktatorit, Mulla Halili, mbajti qëndrim të prerë dhe e dënoi deri me mohim të përkohshëm birin e tij, gati indiferent e mosmirënjohës. Dënimi kapital i Bahri Omarit ishte një ekstremitet i paligjshëm i një trupi gjykues inkopetent, tendencioz dhe partiak, që nuk kishte asnjë jurist në përbërjen e tij. Gjyqi patjetër duhet të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit, si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur atdhetar, si Vatran, si politikan i ndershëm e demokrat,  të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë me rrezik e pa asnjë përfitim dhe së fundi, duhet të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes kundër pushtuesit dhe vetë kreut të kësaj lëvizjeje. Një shtet ligjor nuk do ta ekzekutonte, por shteti shqiptar i pas 1944-ës, jo vetëm që nuk ishte as demokratik, mandej as i ligjshëm e deri atëherë, as i votuar e i zgjedhur.

Kaluan mbi 70 vjet nga koha e pushkatimit prej komunistëve të atdhetarit Bahri Omari dhe ende gjëmon në vesh thirrja dhe profecia e tij trimërore: “Ne, nuk jemi tradhtarë! Historia do të jetë gjyqtari i paanshëm”. Erdhi shpejt koha që ai burrë i shquar i kombit, deputet, publicist dhe demokrat përparimtar, vatran i Amerikës, u rigjykua nga historia dhe nga Presidenti i Republikës, (që është edhe jurist në arsimim dhe aktualisht kreu e përfaqësuesi i drejtimit legjislativ të vendit) dhe u shpall “Nderi i Kombit”,  çka është njësoj si të jetë falur, rilindur e nderuar në shkallë kombëtare. Dhe kjo, na gëzoi të gjithëve!

Please follow and like us: